Lajmet

​Hapet Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta në Dubravë

Muralet e këtij pavijoni janë ngjyrosur nga dora e vet të burgosurve.

Published

on

Pavijoni D në Dubravë është shndërruar në Institut për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Muralet e këtij pavijoni janë ngjyrosur nga dora e vet të burgosurve, në të cilin do të trajtohen 80 persona me probleme mendore, përdorues të substancave narkotike dhe personave të shtyrë në moshë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është hera e parë që po bëhet një institucion i tillë në kuadër të qendrave korrektuese.

“Prej momentit kur kam marrë detyrën si ministre e Drejtësisë ka qenë trajtimi i të burgosurve, ka qenë pikërisht mungesa e një institucioni të veçantë profesional, me staf shëndetësor e korrektues ku do të trajtohen këta persona. Për shkak të kësaj jo rrallë herë kemi pasur situata të tentimit të vetëvrasjes në institucionet korrektuese dhe kjo në masë të madhe na ka shtyrë që të punojmë seriozisht për inaugurimin e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës në momentin kur ka parë që ka pasur plane ideore për ta adresuar këtë institucion, ndonëse këto kanë qenë nga viti 2014 por asnjëherë qeveritë e kaluara nuk e kanë trajtuar me seriozitet, por ne kemi marrë përsipër që t’i adresojmë të gjitha nevojat të cilat kanë qenë për inaugurimin e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri në rreth gjysmë milioni euro për investimet këto”, ka thënë Haxhiu.

Derisa ka folur për kapacitetet, Haxhiu shtoi se nevojat janë edhe më të mëdha bazuar në numrin e të burgosurve.

“Ky institucion do të ketë deri në 81 persona ku do të marrin shërbimet. Sigurisht që nevojat janë edhe më të mëdha, bazuar në statistikat që i kemi të të burgosurve në institucionet korrektuese, por unë mendoj që është një fillim i mbarë dhe është një vëmendje që shteti e kthen tek personat që kanë nevojë dhe që duhet të trajtohen pavarësisht që janë të dënuar në institucionet korrektuese, me vendime të gjykatave”, ka shtuar ajo.

Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha se themelimi i këtij instituti ishte paraparë me ligj qysh në vitin 2014.

“Në këtë institucion janë financuar afër 500 mijë euro. Kryesisht do të vendosen personat me nevoja të veçanta, përfshirë personat të cilat kanë probleme mendore, rastet të cilët janë përdorues të drogave, po ashtu edhe personat e shtyrë në moshë të cilët kanë problem me ecjen, shikim, dëgjim. Më në fund po trajtohet dinjitetshëm një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë sonë”, tha Dibrani.

Dibrani theksoi se nga sot do të fillojë vendosja graduale e personave, ku vetëm në pavijonin D janë kapacitet për 60 persona. Ndërkaq 20 të tjerë do të vendosen në pavijonin 7, i cili do të jetë aneks i këtij instituti.

“Po ashtu janë punësuar afër 50 persona, por natyrisht që këtu do të punojnë stafi tjetër me përvojë. Për fillimin e punës këtu ne kemi realizuar vizita studimore ku kemi marrë praktikat më të mira të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Evropës. Ky do të jetë shembull, model në Evropën Juglindore”, shtoi ai.

Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta është mbështetur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa në ceremoninë hapëse i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier. 

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara