Aktorja Jenna Ortega ka zbuluar arsyen e vërtetë pse u largua nga filmi “Scream 7”, pas përjashtimit të koleges së saj Melissa Barrera nga projekti. Në një intervistë të re për “The Cut”, Ortega ka thënë se vendimi i saj nuk kishte të bënte me pagën apo oraret.
“Nuk kishte të bënte fare me pagesën apo orarin. Gjërat me Melissan po ndodhnin, dhe gjithçka po shkatërrohej pak nga pak”, ka thënë Ortega.
Barrera u largua nga franshiza pasi kishte bërë komente në rrjetet sociale ku kërkonte armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Kompania prodhuese “Spyglass Media Group” ka deklaruar se kishte “zero tolerancë ndaj antisemitizmit apo nxitjes së urrejtjes në çfarëdo forme”, dhe për këtë arsye e përjashtoi atë nga projekti.
Në të njëjtën periudhë, edhe regjisorët Tyler Gillett dhe Matt Bettinelli-Olpin, të cilët qëndronin pas suksesit të kapitujve të fundit të “Scream”, u tërhoqën nga filmi. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në vendimin e Ortegas për të mos u rikthyer.
“Nëse Scream VII nuk do të realizohej me atë ekip regjisorësh dhe me ata njerëz që i kisha dashur shumë, atëherë nuk më dukej si lëvizja e duhur për karrierën time në atë moment”, ka thënë ajo.
Me gjithë largimin e tyre, “Scream 7” po ecën përpara.
Aktorja legjendare Neve Campbell do të rikthehet në rolin e saj ikonik si Sidney Prescott, ndërsa për herë të parë në histori, Kevin Williamson, krijuesi origjinal i projektit, do të marrë vetë drejtimin e filmit. Ai gjithashtu po e shkruan skenarin bashkë me Guy Busick.
Në kastën e re do rikthehen gjithashtu aktorja Courteney Cox ne rolin e Gale Weathers dhe Mason Gooding ne rolin e Chad Meeks-Martin.
Ndërkohë, aktorja, Isabel May do të luajë rolin e vajzës së Sidneyt, dhe aktorët Celeste O’Connor, Asa Germann, Mckenna Grace, Sam Rechner dhe Anna Camp do t’i bashkohen kastës në role të reja që ende nuk janë zbuluar.
Filmi është planifikuar të dalë në kinema më 27 shkurt 2026.