Lajmet

​Hajdari: Investimet nga Zvicra dhe diaspora, çelës i zhvillimit të Kosovës

Hajdari tha se investimet e huaja nga Zvicra dhe diaspora janë çelës i zhvillimit të Kosovës.

Published

on

Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një vend tërheqës për investime të huaja, ndonëse investitorët nuk duhet të hezitojnë të kontaktojnë dhe komunikojnë me Odën Ekonomike Zvicerano-Kosovare ose me Ambasadën e Zvicrës në mënyrë që të eksplorohet potenciali i pashfrytëzuar që shteti i Kosovës ka për të ofruar.

Kështu është thënë sot gjatë inaugurimit të zyrave të Odës Ekonomike Zvicerano-Kosovare në Prishtinë, e cila është themeluar në maj të këtij viti.

Zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex Gacaferri ka thënë se beson se shumë kompani, si nga Kosova ashtu edhe nga Zvicra, do të tregojnë interes dhe dëshirë për t’u bashkuar me këtë nismë të re.

Diplomatja zvicerane shpreh besimin se Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare do të jap një kontribut të theksuar për tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat do t’i shërbejnë interesit të ekonomisë së Kosovës.

“Si Ambasadë, ne jemi këtu për të promovuar dhe mbrojtur investitorët, dhe mezi presim të punojmë ngushtë me shoqatën. Pra, që nga sot, mendoj se mund ta quajmë zyrtarisht funksionale. Investitorët nuk duhet të hezitojnë të kontaktojnë për të komunikuar me shoqatën ose Ambasadën, në mënyrë që të eksplorojmë potencialin e pashfrytëzuar që shteti i Kosovës ka për të ofruar. Unë do të theksoj këtu punën e mirë të ministres (Rozeta) Hajdari. Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një vend tërheqës. Në fakt shoqata u hap zyrtarisht më 28 maj. Rreth pesë kompani na kanë kontaktuar tashmë me planin për të investuar, për të punësuar, dhe për të krijuar vende pune këtu në Kosovë. Pra, ky është padyshim një lajm i mirë dhe unë gjithashtu dua ta ndaj me ju këtë lajm disa javë më parë”, theksoi Menthonnex Gacaferri.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se investimet e huaja nga Zvicra dhe diaspora janë çelës i zhvillimit të Kosovës.

Që të arrihen këto investime, ministrja Hajdari ka kërkuar nga Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare që në bashkëpunim edhe me institucionet arsimore nga Zvicra dhe Kosova t’i prezantojnë nevojat e tregut të punës, siç tha ajo për adaptimin e profileve dhe kërkesave të tregut.

“Si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk ndihem rehat nëse i shoh të rinjtë tanë pa punë, kurse shoh industritë e tjera që kanë nevojë për industritë tona, por edhe ndërkombëtare që kanë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar. Andaj, me ndihmën e juaj kërkoj sa më shumë bashkëpunim edhe me institucionet arsimore si nga Zvicra, dhe këtu në Kosovë si odë ekonomike zvicerane që t’i afrojmë nevojat e tregut dhe t’i adaptojmë profilet sipas nevojave të tregut, sepse vetëm kështu mund ta zhvillojmë industrinë dhe të sjellim investitorë për fuqi punëtore të kualifikuar. Unë i takoj disa investitorë gjermanë, që thonë se; “ne vet do ti trajnojmë fuqinë punëtore në Kosovë, sepse kemi llogari të fillojmë me vija të prodhimit në Kosovë”. Kështu që praktika të tilla kam dëshirë t’i shoh më shumë… Pra, sa më afër të jemi në bashkëpunim me industrinë, sa më afër me diasporën që është çelës i zhvillimit për vendin tonë”, theksoi Hajdari.

Presidenti i Odës Ekonomike Zvicerano-Kosovare, Fikret Murati para të pranishmëve, u shpreh optimist se do të jetësojë projektet që pritet të rrjedhin nga bashkëpunimi i mirëfilltë në mes palëve.

“Nuk kam çka të shtoj më shumë, përveç se t’ia nisim punëve së bashku dhe t’i qasemi sinergjive tona, ku mendoj se Zvicra është shembull për neve si vend. Kështu që është mënyra e duhur se si duhet të zhvillohemi si Odë e re në tregun evropian. Faleminderit për prezencën e juaj!”, theksoi Murati.

Si një ndërmarrës që është rritur në Zvicër, Murati u kthye në Kosovë për ta hapur kompaninë e suksesshme “Speeex”.

Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare, e cila udhëhiqet pikërisht nga ndërmarrësi Murati, është themeluar në maj të këtij viti.

Lajmet

Në UBT nis IFSGC 2026, kongresi ndërkombëtar për ushqimin, shëndetin dhe gastronominë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së ka nisur sot Kongresi i 2-të Ndërkombëtar i Shkencave të Ushqimit, Shëndetit dhe Gastronomisë – IFSGC 2026, një nga aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare akademike që po zhvillohet në Kosovë, duke mbledhur në UBT profesorë, studiues, ekspertë të industrisë dhe studentë nga Kosova, Turqia dhe vende të ndryshme të botës.

Kongresi, i cili do të mbahet nga 7 deri më 9 shtator 2026, organizohet nën temën “Innovating the Future of Food, Health & Gastronomy”, duke trajtuar zhvillimet më të reja shkencore dhe teknologjike në fushën e ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, si dhe ndërlidhjen e tyre me inovacionin, qëndrueshmërinë dhe transformimin digjital.

UBT është institucioni nikoqir dhe bashkëorganizatori kryesor i IFSGC 2026, në bashkëpunim me Istanbul Nişantaşı University dhe Ondokuz Mayıs University, duke e pozicionuar edhe një herë Kosovën dhe UBT-në në hartën e aktiviteteve akademike me karakter ndërkombëtar.

Në ceremoninë e hapjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkimit të disiplinave shkencore dhe të krijimit të modeleve të reja që lidhin kërkimin me zgjidhjet konkrete për shoqërinë.

Duke folur për zhvillimet e kohës dhe rëndësinë e qasjeve ndërdisiplinore, Rektori Hajrizi tha se bota po hyn në një epokë të re të konvergjencës shkencore, ku disiplinat po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat globale.

“Sot po jetojmë një revolucion të konvergjencës, një epokë ku disiplinat që dikur zhvilloheshin të ndara, tashmë po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat më të mëdha të shoqërisë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në këtë kontekst, Rektori Hajrizi veçoi modelin e UBT Smart City, duke e cilësuar atë si një mjedis real ku teknologjia, arsimi, shëndetësia, energjia, infrastruktura, inovacioni dhe jeta e përditshme mund të studiohen dhe të zhvillohen në mënyrë të integruar.

“UBT Smart City funksionon si një Living Lab, një mjedis real në të cilin sisteme të ndryshme mund të bashkëjetojnë, të ndërveprojnë dhe të studiohen së bashku. Kjo më sjell te një koncept që është thelbësisht i rëndësishëm për këtë Kongres: integrimi i sistemit të ushqimit dhe gastronomisë përmes modelit UBT 5S. Në perspektivën e modelit 5S, ushqimi dhe gastronomia, shëndeti dhe gastronomia nuk mund të kuptohen si sektorë të izoluar, por si një ekosistem i integruar, që ndërlidh arsimin, bujqësinë, mjedisin, kërkimin shkencor, laboratorët, teknologjinë, prodhimin, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, nutricionin, shëndetin, gastronominë, turizmin, kulturën, industrinë”, tha Rektori Hajrizi.

Në ceremoninë e hapjes foli edhe Prof. Dr. Ece Salihoğlu, Zëvendësrektore e Istanbul Nişantaşı University, e cila vlerësoi pjesëmarrjen ndërkombëtare në kongres dhe bashkëpunimin akademik me UBT-në.

Prof. Dr. Salihoğlu u ndal edhe te rëndësia e shkencave të ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, duke theksuar se këto fusha lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe mirëqenien e njeriut. Sipas saj, ushqimi nuk duhet të shihet vetëm si një nevojë ushqyese, por si një faktor që lidhet ngushtë me shëndetin, kulturën, ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe shprehu besimin se partneritetet e krijuara do të shndërrohen në projekte konkrete kërkimore.

“Bashkëpunimi ndërmjet Istanbul University, Istanbul Commerce University dhe UBT-së nuk do të kufizohet vetëm në Kongresin e sotëm. Përkundrazi, ne i kushtojmë rëndësi të madhe që, në një periudhë shumë të shkurtër, ky bashkëpunim të shndërrohet në kërkime të përbashkëta dhe studime shkencore konkrete”.

Ceremonia e hapjes së IFSGC 2026 mblodhi në UBT përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, drejtues universitarë, përfaqësues diplomatikë, profesorë, studiues, profesionistë dhe studentë.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Veysel Erden, Përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë, i cili përshëndeti organizimin e kongresit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe Fikrim Damka, Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla ndërkombëtare dhe rolin e universiteteve në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe akademik.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e “Çmimit të Nderit Akademik” për Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në krijimin e mundësive për akademikët dhe profesionistët e diplomuar, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre, si dhe për forcimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pas ceremonisë së hapjes, programi shkencor i kongresit vazhdoi me ligjërata dhe prezantime nga profesorë dhe studiues të njohur ndërkombëtarë.

Ndër folësit kryesorë të IFSGC 2026 janë Prof. Dr. H.P. Vasantha Rupasinghe nga Dalhousie University, Prof. Dr. Charis M. Galanakis nga Taif University dhe Prof. Dr. Muhammad Hamid Zaman nga Boston University.

Gjatë tri ditëve të kongresit, pjesëmarrësit do të prezantojnë kërkimet dhe punimet e tyre shkencore, ndërsa diskutimet do të fokusohen në tema që lidhen me sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, teknologjitë ushqimore, nutricionin, shëndetin, gastronominë, qëndrueshmërinë, inovacionin dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Për më shumë informata: www.ifsgc.net

Continue Reading

Vendi

Mblidhet PDK-ja

Published

on

Grupi Parlamentar dhe Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është duke mbajtur mbledhjen për zhvillimet e fundit dhe hapat e mëtutjeshëm të këtij subjekti politik.

Kjo mbledhje ka nisur rreth orës 15:00, raporton KP.

Ndërkohë, për të mërkurën, Avni Dehari në cilësinë e kryesuesit të seancës konstitutive, ka thirrur vazhdimin e seancën konstituive, ku pritet zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë do të mbahet në orën 11:00, më 9 shtator.

Ndërkaq, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot vendosi të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kështu tha shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, pas mbledhjes së sotme./A.K/

Continue Reading

Botë

Nepali në ditë zie, mbi 1,300 të vdekur dhe mijëra të zhdukur nga përmbytjet

Published

on

Nepali është sot në ditë zie kombëtare, në kujtim të qindra viktimave të përmbytjeve vdekjeprurëse të 26 gushtit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për mijëra persona të zhdukur.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike në vend, në nderim të viktimave të përmbytjeve që autoritetet i kanë cilësuar si të pashembullta.

Sipas të dhënave të përkohshme, të paktën 1 mijë e 398 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 5 mijë e 500 persona rezultojnë të zhdukur në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Mes të zhdukurve dyshohet se ka turistë, pelegrinë të huaj dhe qindra punëtorë që janë rrëmbyer nga ujërat.

Për të 13-tën ditë radhazi, ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në sipërfaqe, nga ajri dhe në tunele, me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Autoritetet thonë se operacionet po zhvillohen me të njëjtin intensitet si në ditën e parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Poterq të Klinës: Burri i vë flakën krevatit të motrës dhe sulmon nënën, motra humb jetën

Published

on

Një grua ka humbur jetën pasi u sulmua nga vëllai i saj në fshatin Poterq të Klinës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, kur i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij dhe më pas ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë.

Të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda. Ato fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se më 7 shtator motra e të dyshuarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e Policisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara