Aktorja e njohur amerikane Michelle Williams është bërë nënë për herë të katërt, këtë herë me ndihmën e një surrogate.
Ky është fëmija i tretë që 44-vjeçarja, e cila disa herë ka qenë e nominuar për çmimin Oscar, ka me bashkëshortin e saj, regjisorin dhe producentin 48-vjeçar Thomas Kail.
Lajmin, Williams e ndau të hënën gjatë pjesëmarrjes në emisionin Jimmy Kimmel Live, ku intervistën e drejtonte përkohësisht aktorja Tiffany Haddish. Ylli i serialit të famshëm Dawson’s Creek shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e saj për gruan që i bëri të mundur ardhjen në jetë të vajzës së saj.
“Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Christine, sepse ky fëmijë nuk erdhi përmes trupit tim. Por mrekullinë e vajzës sonë ia detyrojmë Christine-s. Nëse po na shikon – faleminderit Christine”, u shpreh aktorja, duke lënë të kuptohet se ka sjellë në jetë një vajzë.
Michelle është nënë e Matildës 19-vjeçare, që e ka me aktorin e ndjerë Heath Ledger, që u nda tragjikisht nga jeta më 2008. Me Kail, me të cilin u martua në vitin 2020, ajo ka edhe dy fëmijë të tjerë: djalin Hart, sot 4 vjeç, si dhe një fëmijë të lindur në vitin 2022, emrin e të cilit çifti ende nuk e ka bërë publik.
“Faleminderit Christine, sot në shtëpi kam tre fëmijë nën moshën pesë vjeç”, tha Williams me humor.
Aktorja foli për sfidat e balancimit mes jetës së nënës e karrierës profesionale.
“Gjithçka është në rregull e nën kontroll. Jam grua e rritur, përpiqem të kuptoj si duket balanca mes punës dhe jetës. Shumë flasin për kujdesin ndaj vetes, por pyes – kur? Jam nënë e zënë. Kam ndjenja faji dhe nuk dua t’ua marr kohën fëmijëve të mi, por e di që edhe unë duhet të rigjenerohem”, tha ajo.
E pyetur çfarë i pëlqen të bëjë kur gjen pak kohë për veten, Williams u përgjigj me humor: “Më pëlqen të shkoj në zyrat okale të administratës. U them fëmijëve: ‘Më vjen keq, shpirt, por një ditë edhe ti do të rritesh, do të punosh, do të paguash taksa dhe do të të duhet numri i sigurimit social’”.
Ndërkohë që po shijon zgjerimin e familjes, Michelle vazhdon të korrë edhe suksese profesionale. Muajin e ardhshëm do të garojë për çmimin Emmy, në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol kryesor në një seri të limituar”, për interpretimin në serialin e FX-së Dying For Sex. Konkurrentet e saj do të jenë emra të mëdhenj si Cate Blanchett (Disclaimer), Meghann Fahy (Sirens), Rashida Jones (Black Mirror) dhe Cristin Milioti (The Penguin).
Bashkëshorti, Thomas Kail, është i njohur për regjinë e mjuzikleve të Lin-Manuel Miranda-s, “In the Heights dhe Hamilton”, që kanë bërë histori në Broadway. Çifti u martua në vitin 2020, kur sollën në jetë edhe djalin e tyre, Hart.