Sport

​Gjonbalaj: Problemet në Kombëtare nuk zgjidhen me trajnerin e ri, duhet strategji zhvillimore

Gjonbalaj thotë se ka pasur zhvillime pozitive brenda Kombëtares së Kosovës, por që në vitin e fundit pati ngecje dhe rezultate negative.

Published

on

Ish-futbollisti i njohur, Malsor Gjonbalaj ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që të bëjë kujdes në përzgjedhjen e trajnerit të ri të Kombëtares. Sipas tij, përzgjedhësi i ri duhet të ketë njohuri për mentalitetin e skuadrës si dhe të kontribuojë në zhvillimin e një strategjie që do të çonte përpara futbollin e Kosovës.

Gjonbalaj thotë se ka pasur zhvillime pozitive brenda Kombëtares së Kosovës, por që në vitin e fundit pati ngecje dhe rezultate negative, që sollën edhe shkarkimin e trajnerit.

“Nuk i kisha ndarë paraqitjet e Kombëtares vetëm në këtë vit sepse ajo ka qenë një vazhdimësi, një periudhë e vazhdueshme prej konsolidimit të saj. Unë mendoj që ka pasur shumë zhvillime pozitive, por që së fundmi, sidomos vitin e fundit ose periudhën e fundit kishte ngecje, kishte disa probleme të cilat rezultuan edhe me largimin e trajnerit të Kosovës. Mbetet një punë e madhe për t’u bërë kryesisht në përzgjedhjen e trajnerit i cili duhet të jetë për mendimin tim një profil që e njeh mirë mentalitetin tonë dhe e cili do të kalojë më shumë kohë në Kosovë në kuptimin që ta analizojë më mirë Ligën e Kosovës, futbollin e Kosovës dhe në këtë aspekt të kontribuojë me idetë e tij në zhvillimin e një strategjie përparimtare për futbollin e Kosovës në përgjithësi”, tha fillimisht Gjonbalaj.

Gjonbalaj bën thirrje që drejtuesit e FFK-së nuk duhet të përjashtojnë emrat e trajnerëve vendorë kur të marrin vendimin për trajnerin e ri, por tërhoqi vëmendjen që problemi nuk qëndron vetëm te trajneri.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për hartimin e një strategjie zhvillimore afatgjate në mënyrë që pastaj secili trajner që do të jetë në krye të ekipit të ketë një bazë për ta rritur dhe zhvilluar pikërisht atë strategji.

“Ne duhet të luftojmë që të sjellim cilësi në radhë të parë, edhe futbollistë cilësorë edhe trajnerë cilësorë, prandaj në këtë aspekt unë mendoj që duhet të mendohet që të sillet një trajner shumë cilësor i cili do të mund të kontribuonte, por në të njëjtën kohë absolutisht të mos anashkalohen edhe trajnerët kosovarë oshe shqiptarë. Unë mendoj që kemi kualitete edhe të trajnerëve shqiptarë të cilët mund të udhëheqin, por nuk mendoj se është ky problemi i zgjedhjes së një trajneri. Mendoj që problemi është, ose në fakt si do të duhet të përparohej futbolli i Kosovës dhe të eliminohet ky problem është në krijimin e një strategjie zhvillimore e cila do të ishte disavjeçare dhe në kuadër të kësaj edhe nëse trajnerët ndryshohen, cilido që vjen do të ketë një bazë strategjike të mirë dhe në skuadër të kësaj do të mund ta plotësonte, qoftë me futbollistë të rinj, qoftë me ide për të zhvilluar futbollin e të rinjve në Kosovë në mënyrë që Kombëtarja të prosperonte”, ka thënë më tutje Gjonbalaj.

Gjonbalaj komentoi edhe shortin e Kosovës në Ligën e Kombeve për të cilin tha se nuk pajtohet aspak me të tjerët që e konsiderojnë si një grup të lehtë sepse skuadra si Greqia dhe Irlanda e Veriut janë kundërshtarë shumë të fortë dhe nevojitet një punë e përbashkët për t’u treguar të suksesshëm në këtë kompeticion.

“I kam parë shumë komente të cila thonë që grupi nuk është shumë i fortë e kështu me radhë. Unë mendoj që e kanë gabim, Irlanda nuk është skuadër që duhet të nënçmohet, madje as Greqia pavarësisht që kemi luajtur me ta. Prandaj nuk janë ekipe këto të dobëta, duhet punë e madhe në mënyrë që ta kalojmë këtë grup, prandaj nuk e shoh si një grup të lehtë, do të varet shumë nga ana jonë, nga puna jonë si dhe në të njëjtën kohë do të varet shumë se futbollistët tanë që luajnë në klubet evropiane a do ta kenë minutazhën e plotë apo jo, a do të jenë në formë apo jo. Pra janë disa faktorë të cilët ndërlidhen me rezultatet pozitive dhe këtu nëse njëra prej këtyre hallkave dështon, më pas sukseset do të mungojnë”, theksoi Gjonbalaj.

Trajneri Gjonbalaj gjithashtu vlerësoi lartë nivelin e Superligës së Kosovës duke thënë se po zhvillohet një kampionat shumë cilësor, përkundër mungesës së infrastrukturës e cila vazhdon të mos jetë në nivelin e duhur. Ai kërkoi më shumë përgjegjësi nga skuadra që shpallet kampione që ta përfaqësojë sa më denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Sport

Koreja e Jugut e nis me fitore Botërorin, mposht Republikën Çeke pas përmbysjes së rezultatit

Published

on

By

Koreja e Jugut e ka nisur me fitore aventurën në Kupën e Botës, duke mposhtur Republikën Çeke me rezultat 2:1 në stadiumin “Akron” në Zapopan.

Koreanët dominuan ndeshjen që nga minuta e parë dhe krijuan rastet më të mira gjatë pjesës së parë. Në minutën e 12-të, Lee provoi me kokë, por topi përfundoi mbi portë, ndërsa gjashtë minuta para pushimit Son ishte shumë pranë golit, me goditjen e tij që kaloi ngjitur me shtyllën.

Edhe në pjesën e dytë Koreja e Jugut vazhdoi të ushtrojë presion. Hwang rrezikoi menjëherë pas rifillimit të lojës, ndërsa Lee dhe Son patën raste të tjera të mira, por portieri çek Kovar u tregua i pakalueshëm me disa pritje vendimtare.

Megjithatë, kur pritej goli i koreanëve, ishte Republika Çeke që kaloi në epërsi. Në minutën e 60-të, Krejci realizoi me kokë për 1:0, duke ndëshkuar shpërdorimin e rasteve nga kundërshtari.

Gëzimi i çekëve nuk zgjati shumë, pasi Koreja e Jugut reagoi shpejt dhe arriti të barazojë rezultatin me anë të Hwang, i cili shënoi për 1:1.

Republika Çeke mendoi se kishte rikthyer epërsinë në minutën e 77-të, kur Soucek dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua pas rishikimit nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

Në vazhdim, koreanët arritën të gjenin golin e fitores, duke vulosur triumfin 2:1 dhe duke siguruar tre pikët e para në fazën e grupeve të Kupës së Botës.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova arrin në Estoni, gati për sfidat e radhës në Ligën Evropiane të Volejbollit

Published

on

By

Kombëtarja A e meshkujve e Kosovës ka arritur në Estoni, ku do të zhvillojë ndeshjet e radhës në kuadër të edicionit 2026 të Ligës Evropiane të Volejbollit (CEV Volleyball European League).

Pas përfundimit të turneut të parë në Letoni, volejbollistët kosovarë kanë nisur menjëherë përgatitjet për sfidat e reja, duke zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore në palestrën ku do të luhen ndeshjet e turneut të dytë.

Nën drejtimin e përzgjedhësit Darko Prebiracevic, së bashku me ndihmësit Habil Ajeti dhe Valon Mustafa, ekipi është ambientuar me kushtet e sallës dhe ka punuar në aspektin tekniko-taktik për të qenë sa më i përgatitur për ndeshjet që e presin.

Sipas njoftimit të Federata e Volejbollit e Kosovës, atmosfera në kampin e Kombëtares është pozitive, ndërsa lojtarët po vazhdojnë me përkushtim dhe motivim të lartë në prag të dueleve të rëndësishme në arenën evropiane.

Kosova do të përballet fillimisht me Estonia më 12 qershor, me fillim nga ora 18:00, ndërsa një ditë më vonë do të luajë kundër Austria, në ndeshjen që nis në orën 16:00.

Federata e Volejbollit e Kosovës i ka uruar sukses Kombëtares dhe shtabit teknik në vazhdimin e garës dhe në përfaqësimin sa më dinjitoz të vendit në Ligën Evropiane 2026.

D.L

Continue Reading

Sport

Meksika e hap me fitore Kupën e Botës 2026

Published

on

By

Meksika e ka nisur me fitore aventurën në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar 2:0 ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të turneut.

Takimi i parë i Botërorit, që po organizohet nga Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u zhvillua në stadiumin ikonik “Azteca” në Mexico City.

Kombëtarja meksikane kaloi në epërsi që në minutën e nëntë me golin e Julian Quiñones, ndërsa Raul Jimenez vulosi fitoren në minutën e 67-të. Pjesa e dytë u karakterizua edhe nga tensione në fushë, me arbitrin që ndau tre kartonë të kuq.

Te Afrika e Jugut u përjashtuan Yaya Sithole dhe Themba Zwane, ndërsa te Meksika me karton të kuq u ndëshkua Cesar Montes. Me këtë fitore, Meksika merr kryesimin e përkohshëm në Grupin A, ku bëjnë pjesë edhe Çekia dhe Koreja e Jugut. /D.L/

Continue Reading

Sport

Nis sot Botërori 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit

Published

on

By

Sot nis zyrtarisht Kupa e Botës 2026, turneu më i madh i organizuar ndonjëherë nga FIFA, me ndeshjen hapëse ndërmjet Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City.

Botërori i këtij viti shënon një kapitull të ri në historinë e futbollit, pasi për herë të parë marrin pjesë 48 përfaqësuese, krahasuar me 32 sa ishin në edicionet e kaluara. Turneu do të zhvillohet në tri shtete nikoqire, Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada , dhe do të përfshijë gjithsej 104 ndeshje deri në finalen e 19 korrikut.

Ndeshja hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut është një përsëritje e sfidës së parë të Botërorit 2010, e cila kishte përfunduar në barazim 1:1. Këtë herë, meksikanët do të kenë avantazhin e terrenit vendas dhe synojnë ta nisin me fitore aventurën e tyre në Grupin A.

Në Grupin A bëjnë pjesë gjithashtu Koreja e Jugut dhe Çekia, të cilat do të përballen po ashtu në ditën e parë të garave. Formati i ri parashikon që dy skuadrat e para të secilit grup, si dhe tetë ekipet më të mira të vendeve të treta, të avancojnë në fazën eliminatore.

Përveç aspektit sportiv, ceremonia hapëse pritet të sjellë një spektakël të madh artistik para fillimit të ndeshjes, duke shënuar startin e një muaji futbolli që do të mbajë të fokusuar mbarë botën.

Me 48 kombëtare, 104 ndeshje dhe tri vende organizatore, Botërori 2026 pritet të jetë edicioni më i madh dhe më spektakolar në historinë e Kupës së Botës.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara