Lajmet

​Gazetarët dhe kameramanët tregojnë për sulmet në veri, kërkojnë siguri e kushte më të mira

Ata rrëfyen për sulmet dhe lëndimet që pësuan nga huliganët serbë gjatë së premtes në Leposaviq.

Published

on

Gazetarë e kameramanë që përkundër rrezikut, arritën të pasqyrojnë sulmet ndaj tyre në Leposaviq, po kërkojnë siguri dhe kushte më të mira. Ata rrëfyen për sulmet dhe lëndimet që pësuan nga huliganët serbë gjatë së premtes në Leposaviq. Para deputetëve në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillimin Rajonal, treguan për dhunën brutale, mos-mbështetjen e KFOR-it dhe ndihmën nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës pas asaj çfarë përjetuan më 16 qeshor.

Gazetarja nga RTK, Venera Xhoxhaj tregoi për ditën e premte, kur ajo dhe kameramani u sulmuan nga protestuesit serbë.

Ajo shtoi se përjetimet nga ajo ditë, po shkaktojnë gjendje jo të mirë emocionale.

“Mendoj që kemi bërë punën tonë në gjendje të jashtëzakonshme atë ditë. Bardhin po e shihni, Pleuratin, Laura po ashtu është bukur shumë e lënduar. Të tjerët që sot nuk janë këtu, por përfshirë edhe mua që kemi pësuar lëndime nga ai rrebesh gurësh, super të mëdhenj, pa mëshirshëm janë gjuajtur në drejtim tonin dhe normalisht e gjithë situata ka ndodhë aq shpejt, por unë i përgëzoj kolegët, kemi marrë shumë lëvdata prej secilit, por me të vërtetë konsideroj që profesioni i gazetarit është mision, po aq sa i luftëtarit, po aq sa i mjekut dhe i secilit. Pavarësisht rekomandimeve, dua ta nënvizoj, sepse situata atë ditë prej mëngjesit ka qenë një tension”, tregoi Xhoxhaj.

Ajo foli edhe për sulmin, një natë para të premtes, ku u sulmua vetura e RTK-së dhe ekipi kishte mbetur në mes të shiut.

Përmes videos që e ka bërë vet, Venera ka shtuar se janë dëshmuar dhuna e ushtruar ndaj gazetarëve.

“Ne jemi të pozicionuar brenda rrezikut pa asnjë lloj mbrojtje. Keni parë atë ditë reagimin e KFOR-it, realisht ne jemi të vetëdijshëm sepse kemi kryer dhe kemi krijuar përvojë pune dhe i dimë legjislacionet, i dimë rregullat vendore dhe ndërkombëtare, kemi pasur parasysh që KFOR-i është reaguesi i fundit. Mirëpo, megjithatë në atë situatë ti mendon që e ke një zgjidhje. Dhe kolegu nga Dukagjini ka provuar të bëjë zgjidhje emergjente që të mbrohet disi, sepse kemi qenë të mbuluar me gurët që janë gjuajtur prej protestuesve… Të mendohet për mundësitë e krijimit të kushteve të gazetarëve, sepse ne po duam të përmbushim punën tonë për Kosovën tonë, për popullin e Kosovës, t’i informojmë ata. Ne kemi marrë jelekët anti-plumb dhe helmetat, por vendosja e tyre është provokim”, shtoi Xhoxhaj.

Kameramani Bardh Bekteshi nga RTK, shpreson që ekipet tjera që ditëve në vijim do të raportojnë nga veriu, nuk do të kenë fatin e tij që të goditën brutalisht nga serbët.

“Vet ndjenja që shkon atje dhe hyn mes tyre, e nuk përreth ndonjë siguri, nuk është ndjenjë e mirë, as për mu as për familjen. Atë si çdo ditë kemi shkuar me Venerën dhe Mentorin, pritëm se nuk na sulmojnë në atë mënyrë si na sulmuan, pritem se po e kalojnë me ministrin atë të keqen, kur kaloi ministri çfarë mundën u shfryn te ai, pastaj u kthyer tek ne”, u shpreh ai.

Pleurat Salihu, i cili është gazetar në Arbresh.info dhe ka marrë lëndime në krah, tregoi mes-lotëve për provokimin që i është bërë nga një huligan serb.

Ai tregoi para deputetëve se dëgjoi ish-deputetin serb, Slavko Simiq, duke dhënë urdhër për sulm ndaj gazetarëve.

“Atë ditë ne kemi qenë cak për tu ekzekutuar. Sot ne nuk do ishim këtu, sot ju na kishit sjell lule. Atë ditë ne kemi qenë cak pse jemi gazetarë shqiptarë për tu ekzekutuar një nga një. Unë kam pamje se si gazetarë serbë kanë qenë aty dhe nuk kanë qëndruar me neve… Pyetja e parë që më është drejtuar serbisht ka qenë- ‘A ka vdek gazetari në Ambasadën e Arabisë në Turqi’. A e shihni çfarë pyetje? Provokimi i parë aty ka qenë”, tha ai mes lotëve.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Isak Shabani ka pyetur gazetarët për kushtet që ofrohen nga mediumet për gazetarët.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani tha se ata që po krijojnë trazira në veri, po tentojnë t’i fshehin nëpërmjet dhunës ndaj gazetarëve.

“Ju urojmë shërim sa më të shpejt të gjithë ju gazetarë që keni kryer obligim tuaj në formën më të mirë të mundshme, por falënderim edhe për gjithë ata gazetarë e gazetare që fatmirësisht nuk janë lënduar por kanë arritur dhe po arrijnë që të raportojnë të gjithë ato ngjarje që sot po ndodhin në veri, ku ata po i krijojnë ato trazira atje po mundohen që ato që ju paraqisni në formën më të mirë të mundshme, t’i fshehin nëpërmjet dhunës ndaj juve si gazetarë po edhe ndaj atyre makinave apo mjeteve që i kemi parë”, tha Ramadani.

Pas vizitës së ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në Leposaviq, me 16 qershor, bandat kriminale kanë sulmuar gazetarët.

Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup.

Kameramanët Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup.

Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, ndërkaq në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu.

Continue Reading

Lajmet

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Lajmet

AUV gjen ADN të pulës në suxhukun shtëpiak të prodhuesit BUQUKU, bllokohen 178 kilogramë produkte

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit BUQUKU SH.P.K. nga Peja, ndonëse në deklaracionin e produktit figurojnë vetëm mish dhe yndyrë lope.

Sipas AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe të pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është detektuar.

Agjencia ka bërë të ditur se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Verifikimet e mëtejshme pritet të sqarojnë nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.

Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te operatori ekonomik, ku janë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte: 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak.

Njëkohësisht, AUV ka urdhëruar ndalimin e prodhimit të suxhukut dhe tërheqjen e produkteve nga pikat e shpërndarjes.

Agjencia ka paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve për të verifikuar përbërjen e produkteve të tjera të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, procesin e prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe përputhshmërinë me deklaracionet.

AUV ka sqaruar se gjetja laboratorike i referohet vetëm produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar edhe në produktet e tjera të prodhuesit.

Sipas agjencisë, konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve ushqimore, ndërsa deklarimi i saktë dhe respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore janë detyrim ligjor i çdo operatori ekonomik.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara