Lajmet

​FDHK: Katër raste të krimeve të luftës po qëndrojnë pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë

Kështu u tha sot në diskutimin me temën “Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – Veprim i duhur?”.

Published

on

Katër raste të krimeve të luftës po qëndrojnë pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Kështu thuhet në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare, ku gjatë së enjtes u diskutua me temën “Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – Veprim i duhur?”, për çka u theksua se efikasiteti në këtë fushë nuk është i kënaqshëm.

Koordinatori i projektit, Amer Alija ka prezantuar raportin “Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm”, ku tha se gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime të luftës.

“Që nga përfundimi i luftës institucionet gjyqësore i kanë dënuar vetëm 72 persona, janë vrarë më shumë se 10 mijë viktima civile. Në këtë raport janë trajtuar 13 raste gjyqësore. Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës e kemi një stagnim të punës në katër raste. Vonesa të tilla mund të rrezikojnë efektivitetin, në anën tjetër viktimat dhe dëshmitarët sigurisht që do të zhgënjehen. Efikasiteti në ndjekjen penale nuk është i kënaqshëm. I kemi adresuar edhe ngecjet dhe i kemi rekomanduar disa hapa që duhet të ndërmerren nga ana e gjyqësorit”, tha ai.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari u shpreh se pas pranimit të mbi 900 rasteve për krime lufte, kanë arritur një menaxhim të mirëfilltë të këtyre rasteve.

“Kemi caktuar prioritete, masakra, dhunime seksuale dhe raste që kemi pasur prova të mjaftueshme të krimeve. Në fillim të marrjes së kompetencave kemi punuar dy prokurorë, tash jemi katër… Shumica e provave materiale ndodhet në Tribunalin e Hagës. 11 milionë prova të ndryshme ndodhen atje, nuk do të thotë që janë të gjitha për Kosovën”, u shpreh ajo.

“Ne jemi në përgatitjen e disa aktakuzave për gjykimin në mungesë”, ka shtuar ajo.

Avokati Artan Qerkini u shpreh se gjykimi në mungesë ka qenë domosdoshmëri.

“Kodi i Procedurës Penale ka hyrë në fuqi me datën 18 shkurt të këtij viti dhe janë paraparë disa veprime, do të kërkohet qe ftesa së bashku ke aktakuzën të publikohen në uebfaqen e prokurorisë dhe në gazetën zyrtare. Është një garanci shtesë për të pandehurin, nëse ai arrestohet ka të drejtë të kërkojë rigjykim”, u shpreh ai.

Zëvendësshefja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Pualine Menthonnex-Gacaferri tha se bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës e Serbisë është thelbësor për të arritur progres.

“Deri më tani nuk ka pasur gjykim në mungesë. Dhe kjo do të shkonte kundër praktikave që shihen dhe promovohen në arenën ndërkombëtare të sundimit të ligjit. Për të ngritur akoma më shumë performancën e institucioneve, për të ofruar kapacitete të mëtutjeshme, së dyti themelimi i bashkëpunimit mes autoriteteve gjyqësore mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte thelbësore për të arritur progres”, tha ajo.

Continue Reading

Lajmet

​Numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht drejt përfundimit

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është drejt përfundimit numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht.

Në ditën e zgjedhjeve, votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime të veçanta, në 38 komuna.

KQZ bën të ditur se pas përmbylljes së këtij procesi, gjatë ditës së mërkurë, në këtë qendër do të vijojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit të personave me nevoja të vçanta, i cili është zhvilluar në ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve dhe përmes ekipeve mobile.

Numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467.

Rezultatet nga ky numërim do të pasqyrohen në platformën për rezultate, në rubrikën “Rezultatet QNR -Nevoja të veçanta (VPNV)”.

Në QNR, të martën është përmbyllur procesi i skanimit të Listës së Votuesve.

Skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Departamenti i Thesarit i SHBA-së nënshkruan marrëveshjen e stabilizimit ekonomik me Bankën Qendrore të Argjentinës

Published

on

Departamenti i Thesarit i SHBA-së nënshkroi një marrëveshje stabilizimi ekonomik me Bankën Qendrore të Argjentinës për një urë drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike për Argjentinën, njoftoi të martën Sekretari Scott Bessent.

“Përpjekjet e Presidentit Javier Milei për të përmbysur dekadat e rënies së kombit të tij, që rrjedhin nga e majta radikale e Peronistëve, janë me rëndësi kritike. Argjentina tani ka mundësinë të përqafojë lirinë ekonomike dhe marrëveshja jonë e stabilizimit është një urë drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike për Argjentinën, jo një paketë shpëtimi”, shkroi Bessent në kompaninë amerikane të mediave sociale.

Bessent vuri në dukje se Milei ka bërë një përpjekje të përbashkët për të përmbysur politikat e kaluara ekonomike, duke përfshirë shpenzimet e tepërta, mungesën e disiplinës fiskale dhe huamarrjen e papërgjegjshme dhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) gjithashtu mbështet programin e fortë ekonomik të Argjentinës.

Duke theksuar se administrata Trump mbështet planet aktuale të reformës së Mileit dhe strategjinë e kujdesshme fiskale, Bessent tha:

“Ne nuk duam një shtet tjetër të dështuar në Amerikën Latine dhe një Argjentinë e fortë dhe e qëndrueshme si një fqinj i mirë është në mënyrë të qartë në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara.”

Më 9 tetor, Bessent njoftoi se, pas diskutimeve me Ministrin e Ekonomisë të Argjentinës, Luis Caputo, SHBA-të blenë drejtpërdrejt peso argjentinase dhe përfunduan një kuadër shkëmbimi prej 20 miliardë dollarësh me bankën qendrore të Argjentinës.

Banka njoftoi të hënën se kishte nënshkruar një marrëveshje me Departamentin e Thesarit të SHBA-së me vlerë deri në 20 miliardë dollarë për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit.

Një deklaratë shpjegoi se marrëveshja përcakton termat dhe kushtet për zbatimin e transaksioneve të shkëmbimit midis palëve./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Ukrainë: Dy të vdekur në Kiev pas sulmit rus në shkallë të gjerë

Published

on

Mediat ukrainase raportuan se Moska nisi një sulm ajror në shkallë të gjerë gjatë natës, me shpërthime që tronditën Kievin dhe qytete të tjera në të gjithë vendin.

Mediat thanë se banorët e Kievit dëgjuan shpërthime në qytet rreth orës 1:10 të mëngjesit sipas kohës lokale, pak pasi Forcat Ajrore lëshuan një paralajmërim për raketa.

Disa shpërthime të tjera ndodhën afërsisht 30 minuta më vonë. Shpërthime u raportuan gjithashtu në Dnieper, Zaporizhia dhe qytetin portual të Izmail.

Të paktën dy persona janë vrarë në sulmet ajrore ruse që goditën Kievin mbrëmë, njoftuan autoritetet ukrainase, dhe të paktën 13 persona janë plagosur në sulmet ajrore ruse që goditën qytetin ukrainas të Zaporizhzhisë mbrëmë, sipas autoriteteve lokale të cituara nga mediat e Kievit.

Një zjarr shpërtheu në katet e tetë dhe të nëntë të një rrokaqielli në lagjen Dniprovskyi pas një sulmi me dron, sipas Tymur Tkachenko, kreu i Administratës Ushtarake të kryeqytetit, i cituar nga mediat lokale.

Dëme u raportuan gjithashtu në lagjet Pechersky dhe Desnyansky./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Kosova ofron të bëhet vendi i parë që pranon azilkërkuesit e refuzuar nga Britania

Published

on

Kosova është bërë vendi i parë që tregon se do të pranojë azilkërkuesit e refuzuar nga Britania si pjesë e planeve qeveritare për të ngritur qendra kthimi në vendet e treta, shkruan mediumi The Guardian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dëshiron të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar dhe konfirmoi se po zhvilloheshin diskutime me zyrtarë nga Mbretëria e Bashkuar.

Planet do të synonin dërgimin e njerëzve, kërkesat e të cilëve për azil ishin refuzuar, në qendrat e paraburgimit të huaja, pasi të kishin shteruar të gjitha rrugët e apelimit.

Komentet e tij vijnë përpara një samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet sot në Londër nga Keir Starmer.

“Ne duam të ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar. Ne e konsiderojmë se kjo është detyra jonë miqësore dhe politike. Ne kemi kapacitet të kufizuar, por prapëseprapë duam të ndihmojmë dhe ndërsa flasim, ka komunikim të rregullt midis ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga ministria jonë e punëve të brendshme dhe avokatëve se si ta bëjmë këtë pa probleme për përfitim të ndërsjellë.”, tha Kurti.

Ai shtoi se në këmbim, Kosova do të donte kryesisht të merrte mbështetje në siguri qoftë përmes marrëveshjeve strategjike apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund të bëjnë.

“Sigurisht, ne duam, si vend, të përfitojmë, por e konsiderojmë para së gjithash detyrimin tonë t’ju ndihmojmë, sepse ju na ndihmuat shumë dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë”, shtoi ai.

Kosova mbetet një përjashtim relativ krahasuar me fqinjët e saj ballkanikë. Në qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ideja që Mbretëria e Bashkuar të donte të “kërkonte vende për të larguar emigrantët” do të kishte qenë e pakonceptueshme para Brexit-it./S.K/KP/

 

Continue Reading

Të kërkuara