Sport

​Eroll Salihu tregon të ardhmen e Bernard Challandes, flet edhe për largimin e Paqaradës

Published

on

Dy humbjet e Kosovës nga Suedia dhe Spanja në kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, pastaj mos ftesa e disa lojtarëve të Superligës së Kosovës si dhe atmosfera jo e mirë brenda grupit, të gjitha këto i janë faturuar trajnerit zviceran, Bernard Challandes.

Madje kritikat e opinionit sportiv kanë shkuar aq larg sa edhe është kërkuar shkarkimi i tij nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Mirëpo shkarkimi i Bernard Challandes nuk është në planet e kësaj federate. Kështu ka konfirmuar në një intervistë për KosovaPress, sekretari i FFK-së Eroll Salihu. Ai ka thënë se kontrata e trajnerit zviceran skadon vitin e ardhshëm, por se nuk mund të merren vendime të ngutshme pas një ose dy lojërave jo të mira.

“Trajneri Challandes kontrata i ka skaduar në maj (të vitit të kaluar) dhe është dashur të vazhdohet kontrata dhe cili njeri nuk do ta vazhdonte kontratën me një person që ka pasur 15 ndeshje që e ka bërë këtë popull krenar. Më tregoni një person serioz. Nuk dua t’i dëgjoj palaçot që dalin çdo ditë dhe i shesin mend të gjithë popullit dhe nuk kanë kurrë fare as dije e as kompetenca. Pra duhet të jemi real, e ka merituar një kontratë të re. Pra kontrata vitin e ardhshëm i skadon. Kështu që puna e tij gjithsesi vlerësohet, por po them edhe njëherë nuk mundesh me një lojë apo dy të nxjerrësh vendime të cilat do të ishin të ngutshme.”, tha Salihu.

Madje Salihu duke folur për KosovaPress deklaroi se shqyrtimi i punës së Bernard Challandes mund të bëhet pasi të përfundojë cikli kualifikues i ndeshjeve për në Kampionatin Botëror dhe se puna e tij do të shqyrtohet vetëm pasi të mbyllen këto ndeshje.

“Unë besoj që po. Nuk është kompetencë e imja, është e Komitetit Ekzekutiv, por unë besoj që duhet të vazhdojë dhe pastaj kur të përfundojë ky cikël pastaj mund të bëhet një rishqyrtim besoj por duhet të jemi real që për Kampionat Botëror është shumë, shumë vështirë që të kualifikohemi sepse është një numër shumë i vogël nga Evropa që shkon, por ne mendoj se duhet të përgatitemi për fazën e Uefa Nation League, aty ku e kemi treguar forcën, ku e kemi pasur vendin e parë dhe të përgatitemi së paku të kemi një ekip solid. Prandaj edhe njëherë po them kjo mbetet çështje e Komitetit Ekzekutiv por unë besoj personalisht që ky ciklus duhet të kryhet me atë.”, deklaroi Salihu.

Por a është paga e lartë e Challandes njëri nga faktorët që FFK-ja po heziton ta shkarkojë atë?

“Është njëri, por nga ana tjetër nuk mendojmë që trajneri është shkaku kryesor që nuk kemi qenë të suksesshëm si më parë, do të thotë unë nuk e kam atë bindje. Është pak i ngutshëm, një konstatim jo serioz”, tha ai.

Para pak ditësh mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Leart Paqarada bëri të ditur se tërhiqet nga Përfaqësuesja e Kosovës dhe se nuk kthehet deri sa në krye të skuadrës është trajneri Bernard Challandes. Duke e komentuar këtë vendim të Paqaradës, Salihu tha se lojtari në fjalë ka bërë një veprim të ngutshëm por se në fund secili merr përgjegjësinë për veprimet e veta.

“Nuk mendoj se ka vendosur mirë për arsye se ka pasur rastin, ka luajtur edhe nganjëherë edhe nuk shkon, nuk je në formë. Mendoj që ndoshta është dashur më shumë të luajë, por vendos trajneri në fund të fundit. Prandaj unë mendoj që Learti ka bërë një hap të ngutshëm, por në fund të fundit secili përgjigjet për veprimet e veta”, u shpreh Salihu.

Krejt në fund, Eroll Salihu duke folur për KosovaPress nuk e ka përjashtuar mundësinë që trajneri që do ta pasojë Challandes në stolin e Kombëtares së Kosovës të jetë nga skena vendore.

“Asgjë nuk përjashtohet. Dorën në zemër shumë pak trajnerë kemi që kanë përvojë ndërkombëtare. Prandaj aty duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Unë e di që kemi një Besnik Hasi për shembull, për mua është jo vetëm trajner i mirë por është karakter, e ka dëshmuar veten, është djalë i mirë, është burrë i mirë, por nuk varet po them gjithmonë nga njëra palë por nga të dy palët. Unë nuk kam ndonjë preferencë sinqerisht po iu them si ish-futbollist, por i mbetet prapë Komitetit Ekzekutiv që të vendosë”, tha në fund Salihu.

Ndeshjet e radhës sa i përket kualifikimeve për Kampionatin Botëror, Kosova i zhvillon në muajin shtator ku do të ballafaqohet me Gjeorgjinë, Greqinë dhe ndeshjen kthyese me Spanjën.

Lajmet

Talenti kosovar i Bayern Munich, Erblin Osmani, viziton FFK-në dhe ndjek stërvitjen e Kombëtares

Published

on

By

Futbollisti i ri dhe premtues kosovar, Erblin Osmani, i cili është pjesë e klubit gjerman Bayern Munich, ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Osmani, i cili po qëndron në Kosovë për pushimet verore, u prit në ambientet e FFK-së, ku pati rastin të njihet më nga afër me aktivitetet e federatës dhe të ndjekë seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sipas FFK-së, vizita e tij përfaqëson lidhjen e fortë që talentët kosovarë, të cilët po zhvillojnë karrierën e tyre në klubet më të njohura evropiane, vazhdojnë ta ruajnë me vendlindjen.

Erblin Osmani konsiderohet një nga talentët e rinj që po ndërton karrierën e tij në futbollin evropian, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës e vlerësoi si pjesë të gjeneratës së re që po promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare të futbollit.

FFK i ka uruar Osmanit suksese të mëtejshme dhe arritje të reja në karrierën e tij sportive.

 

Continue Reading

Sport

Dardanët rikthehen në stërvitje, fokus te sfida ndaj Andorrës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës ka rikthyer fokusin te sfida e radhës pas ndeshjes miqësore të zhvilluar të enjten në Pragë ndaj Çekisë. Dardanët kanë vazhduar përgatitjet për përballjen e ardhshme kundër Andorrës, me stafin teknik që po punon për ta mbajtur ekipin në formën optimale.

Seanca e sotme stërvitore u zhvillua në stadiumin Stadiumi Fadil Vokrri, ku morën pjesë 11 futbollistë. Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës ndoqi një program rigjenerues në hotel, pas angazhimit në ndeshjen e fundit ndaj Çekisë.

Stërvitja u fokusua në aspektet taktike dhe fizike, ndërsa atmosfera në kampin e Kosovës mbetet pozitive para miqësores së dytë. Stafi teknik synon të shfrytëzojë këto ditë për të përgatitur sa më mirë ekipin dhe për t’u dhënë mundësi lojtarëve të ruajnë ritmin e garës.

Dardanët do të vazhdojnë me seancat stërvitore në ditët në vijim, me fokus maksimal te ndeshja kundër Andorrës, e cila do të shërbejë si një tjetër test i rëndësishëm për ekipin kombëtar.

Continue Reading

Sport

Nga Drenica te Napoli, rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Amir Rrahmanit

Published

on

By

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, vazhdon të shkëlqejë në futbollin italian, duke u konfirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me SSC Napoli, ai është përfshirë në formacionin më të mirë të sezonit 2025/26 nga SofaScore, falë paraqitjeve të qëndrueshme dhe rolit të tij kyç në repartin defensiv të skuadrës napolitane.

Rrahmani, i lindur në Prishtinë më 24 shkurt 1994, karrierën e nisi në Kosovë me Ramiz Sadikun dhe Drenicën, për të vazhduar më pas te Partizani në Shqipëri. Më vonë ai u transferua në Kroaci, ku luajti për RNK Split dhe Dinamo Zagreb, duke fituar dy tituj kampionë dhe Kupën e Kroacisë. Pas aventurës së suksesshme te Hellas Verona, në vitin 2020 ai iu bashkua Napolit, ku u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Me Napolin, Rrahmani ka fituar dy tituj të Serie A dhe është bërë një nga liderët e ekipit. Deri më tani ai ka zhvilluar mbi 180 ndeshje me fanellën e klubit italian dhe ka realizuar më shumë se 10 gola, shifra mbresëlënëse për një mbrojtës qendror. Në sezonin e fundit ai u dallua veçanërisht në fitoren 3:0 ndaj Pisës, ku u shpall “Lojtari i Ndeshjes”. Mbrojtësi kosovar realizoi një gol me kokë pas asistimit të Eljif Elmasit dhe u vlerësua me notën 9.3 nga SofaScore, pasi përveç golit dominoi edhe në fazën mbrojtëse.

Përveç suksesit në nivel klubesh, Rrahmani mbetet një figurë kyçe për Përfaqësuesen e Kosovës. Si kapiten i ekipit kombëtar, ai ka zhvilluar dhjetëra ndeshje ndërkombëtare dhe ka kontribuar me disa gola, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e futbollit kosovar.

Në një intervistë të fundit për Radio CRC, Rrahmani foli për lidhjen e tij të veçantë me Napolin, duke deklaruar se pas kaq shumë vitesh në qytetin italian, ai e konsideron Napolin si shtëpinë e tij të parë. Ai gjithashtu theksoi se synon të vazhdojë të kontribuojë për klubin dhe të arrijë sa më shumë paraqitje me fanellën e kaltër.

Falë profesionalizmit, paraqitjeve të qëndrueshme dhe rolit të liderit si te Napoli ashtu edhe te Kosova, Amir Rrahmani vazhdon të jetë një nga emrat më të respektuar të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Sport

Gresa Bakraqi fiton medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian në Monako

Published

on

By

Atletja kosovare Gresa Bakraqi ka arritur një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian të shteteve në zhvillim, që u mbajt në Monako.

Bakraqi shkëlqeu në disiplinën e 1500 metrave, ku siguroi vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë, duke u bërë e vetmja garuese nga Kosova që u ngjit në podium në këtë kampionat.

Atletja kosovare, e cila është bursiste e Komiteti Olimpik i Kosovës në kuadër të programit për përgatitjet drejt Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, vazhdon të tregojë formë të lartë dhe potencial të madh në arenën ndërkombëtare.

Suksesi i Bakraqit përbën një tjetër arritje të rëndësishme për atletikën kosovare dhe një motiv shtesë për përfaqësimin e Kosovës në garat e ardhshme evropiane dhe botërore.

Me këtë rast, urime për medaljen e fituar iu drejtuan Gresës dhe Federata Atletike e Kosovës për paraqitjen e suksesshme në këtë kampionat.

Continue Reading

Të kërkuara