Lajmet

​Elshani: Vuçiqi, porositës i sulmit terrorist – të sanksionohet

Ai apelon ndërkombëtarët për sanksionimin e tij.

Published

on

Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit konsiderohet të ketë qenë skenar i Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Për hulumtuesin e lartë në Institutin “Octopus”, Taulant Elshanin, ka prova të mjaftueshme për lidhshmërinë e terroristëve serbë dhe Vuçiqit. Prandaj apelon ndërkombëtarët për sanksionimin e tij.

Sulmi i 24 shtatorit ku mbet i vrarë rreshteri policor e u plagosën dy të tjerë, sipas Elshanit ishte tendencë e Serbisë për të testuar kapacitetet e të dy vendeve. Ai thekson se apetitet e Serbisë shkojnë deri aty sa të aneksojë veriun e Kosovës.

“Ky është një skenar i Serbisë që për mendimin tim i ka dy objektiva afatshkurtër, objektivi i parë është testimi i kapaciteteve institucionale të Republikës së Kosovës, pra forca dhe shpejtësia reaguese dhe sigurisht uniteti kombëtar në këtë rast. Për gjithçka që institucionet kanë bërë dhe nuk kanë bërë dikush në Beograd mendoj se ka mbajtur shënime për këto veprime dhe mosveprime të institucioneve të Kosovës. Objektivi tjetër afatshkurtër i Vuçiqt është testimi i vet kapaciteteve të veta dhe skenarëve të ndryshëm se si mund të paketojë rebelimin si po thotë ai të serbëve lokalë por në fakt nuk është rebelim por një orkestrim nga Beogradi. Në kuadër të këtij skenari unë mendoj që objektivi dhe qëllimi përfundimtar është që në rastet e ndryshimit të kontestuar ndërkombëtar dhe sidomos të ndryshimeve të mëdha dhe sintifikante në qendër të vendosjes politike atëherë do të konsideron një pushtim apo aneksim të asaj pjese të territorit të Kosovës”, thotë Elshani.

Për sulmin e së dielës, Elshani thotë se është një ndër situatat më të rrezikshme që Kosova është ballafaquar që nga pavarësia e Kosovës. Ndërsa meritat për aksionin ia jep Policisë së Kosovës.

“Kjo mund të cilësohet si një ndër situatat më të rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Marrë parasysh përgatitjen, grupin, armët të cilat janë gjetur, kjo përbën një rrezikshmëri të lartë për sigurinë kombëtare dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës… Mund të themi që është një sukses i policisë sepse grupi nuk i ka arritur qëllimet e veta është neutralizuar dhe besoj që policia e Kosovës e ka menaxhuar me një profesionalizëm të lartë të gjithë operacionin”, vijon ai derisa shtoi se PK i treguar botës se Kosova është një shtet funksional dhe i aftë të mbrojë veten në çdo aspekt.

Sa i përket armatimit të madh që është gjetur në Manastirin e Banjskës ku u vendosën terroristët serbë, njohësi i sigurisë thotë se është dëshmi se Serbia ka gisht në gjithë këtë ndodhi. E sipas tij, ky manastir duhet të jetë subjekt kontrolli për Policinë e Kosovës.

“Mund të jetë sigurisht bashkëpunim por ne duhet të jemi të kujdesshëm t’i shohim deklaratat e tyre publike dhe çfarë ata bëjnë prapaskenave unë mendoj që ka aty elemente radikale që janë të gatshëm përveçse t’i fshehin armatimet në depot dhe hapësirat e tyre, t’i ofrojnë edhe ndihmë logjistike këtyre grupeve terroriste. Një gjë të tillë e ka bërë edhe më herët edhe deputetja britanike, në fillim është marrë si diçka e fryrë e pavërtetë por tani po del shumë e vërtetë dhe shumë e saktë… Definitivisht de-stabilizimi Kosovës unë e ceka që është pjesë e një shkence testimi i kapaciteteve të Kosovës në funksion të qëllimit përfundimtar të aneksimit të asaj pjese… Manastiri sikur se çdo objekt tjetër në Kosovë duhet të jenë subjekt kontrolli kur atëherë është nevoja nga institucionet zbatuese në Kosovë por nuk duhet të bëjnë ndonjë përjashtim. Policia duhet të ketë qasje në çdo hapësirë në çdo rekreacion ku ajo mendon që duhet të ushtrohet mandat kontrolli, nuk ka asnjë dyshim”, shton Elshani.

Ai thekson se terroristët serbë janë stërvitur dhe financuar nga vetë Serbia.

“Nëse marrim parasysh faktin se Aleksandër Vuçiqi, presidenti aktual i Serbisë kontrollon çdo pore të jetës në Serbi është e pamundur që ai të mos e dijë një grup të tillë prej 30 terroristësh, i cili mendohet se është një grup, një fraksion i vogël, i një grupi shumë më të madh të cilët stërviten mbështeten financiarisht logjistikisht nga instruktorë të specializuar të ushtrisë së Serbisë. Sigurisht që Vuçiqi jo vetëm që e din por ky grup terrorist është në funksion dhe vegël e interesave dhe politikës së Aleksandër Vuçiqit”, thotë Elshani.

Sipas tij, sulmi terrorist në veri duhet të shfrytëzohet edhe për çështje politike, duke filluar nga sanksionimi i presidentit aktual të Serbisë, pasi që vet ai është porositës i këtyre sulmeve ndaj Policisë së Kosovës.

“Unë mendoj që ky rast duhet të shërbejë për të ndryshuar kursin politik të perëndimit që të mos përkëdhelet më Vuçiqi siç e kemi parë muajt fundit, duhet të ndryshohet kursi politik duke sanksionuar vetë presidentin aktual të Serbisë si porositës kryesor të këtyre sulmeve dhe më një formë nxitësi kryesor të de-stabilizimit të Kosovës dhe te sanksionet e ashpra ndaj vetë shtetit të Serbisë…Ne kemi parë se qeveria e Republikës e Kosovës, përkatësisht institucionet sigurisë kanë bërë mbledhjen provave për këtë akt terrorist dhe janë provë e mjaftueshme për të treguar lidhshmërinë e këtij sulmi terrorist me Aleksandër Vuçiqin dhe këto prapa duhet të mjaftojnë që perëndimi të ndryshojë kushtin për sanksionet ndaj Serbisë”, thotë Elshani./ksp

Vendi

Caktohet seanca për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar për sot mbajtjen e seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj.

I dyshuari Sylaj u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan, pas kërkimeve nga Policia e Kosovës.

Ai akuzohet se e ka privuar nga jeta me sëpatë 49-vjeçaren Arlinda Zekaj. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nis protesta kombëtare në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Prishtinë për protestën kombëtare të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në shenjë revolte dhe ndërgjegjësimi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pjesëmarrësit po bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe femicideve.

Organizatorët dhe qytetarët pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrjet për mbrojtjen e jetës së grave dhe ndëshkimin maksimal të kryerësve të veprave të tilla.

Continue Reading

Vendi

Ndalohen punimet në gjashtë ndërtime për shkak të pasigurisë

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi serioze sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore. Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara