Lajmet

​E mbijetuara e dhunës seksuale lëshon sallën teksa po fliste Daçiq

Konferenca Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt po mbahet në Londër.

Published

on

Prezenca e Ivica Daçiq ka bërë që e mbijetuara e dhunës seksuale nga Kosova ta lëshojë sallën ku po diskutohej për parandalimin e dhunës seksuale. Në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Luftë, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë nuk mbajti përgjegjësi për krimet e kryera që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shyrete Tahiri Sulimani deklaron për KosovaPress se nuk arriti gjatë ditës së djeshme të dëgjojë fjalimin e Daçiq, meqë nuk po ndjehej mirë.

Ajo dje dhe sot po merr pjesë në këtë konferencë të organizuar në Londër, e ftuar si e mbijetuar e dhunës seksuale e luftës së fundit në Kosovë.


“Unë jam e ftuar si e mbijetuar e luftës nga Kosova. Kështu që dje në panel unë e pash ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq dhe u largova nga salla. Sepse nuk e ndjeva veten rehat dhe mirë. Kështu që ekipi është marrë me këtë çështje dhe shpresoj që të mos kemi situata të tjera”,
 deklaroi ajo.

Tahiri Sulimani shpreson që të mbijetuarat mos të përballen më me përgjegjës të këtyre krimeve.

“Unë kisha propozuar që herave të tjera me qenë më vigjilent dhe të jemi më të sigurt se si ndjehen të mbijetuarat dhe prezenca e këtyre nuk është e këndshme, kështu që shpresoj që herave tjera nuk do të ketë këso incidente”, shton ajo.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti. Ajo deklaron se Daçiq në fjalimin e tij kishte tendencë të mbante “ligjëratë para studentëve”.

“Gjatë diskutimeve në panelet e parapara gjatë ditës, prezent ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, i cili nuk tha asgjë tjetër. Dihet mirë fakti që Serbia ende as nuk ka pranuar, as ka bërë kërkim falje dhe as ka marrë ndonjë përgjegjësi në raport me krimet e luftës. Takimi i tij ishte më shumë një takim, në panelin në të cilin ai mori pjesë mbante ligjërata sikur para studentëve. Duke thënë që Serbia duhet të punojë në parandalim, t’i edukojë të rinjtë dhe të ndajë përvojat e veta. Realisht pjesë e atij forumi ishin edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale nga ballkani, përfshirë këtu edhe Shyrete Tahiri Sulimani, por edhe nga Bosnjë-Hercegovina dhe nga Kroacia”, deklaron ajo.

Fjalimi i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Rushiti shton se ka irrituar pothuajse të gjithë të pranishmit.

“Prezenca e tij i irritoi dhe i bëri të mbijetuarit e dhunës seksuale, por edhe ne që ishim që të mos ndjehen mirë. Për faktin se Serbia si shtet, por edhe vet ministri Daçiq është një person i cili në të kundërtën ai vazhdimisht ka qenë i involvuar në regjimin e Millosheviqit. Gjuha e komunikimit të tij, vazhdimisht ka mbjellur urrejtje dhe jo tolerancë, në të kaluarën. Pa i pranuar asnjëherë faktet dhe të vërtetën e dhimbshme të Kosovës. pikë së pari, bëri që shumë të mbijetuar të cilët kanë qenë prezent në atë sesion ta lëshojnë konferencën, pastaj reagimet e organizatave joqeveritare dhe ku pasoi edhe në mënyrë kulmore me prezencën e zëvendëskryeministres, ministres së Jashtme, Donika Gërvalla”, shton Rushiti.

Gjatë ditës së djeshme, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar për prezencën e Daçiq në këtë konferencë. Ajo ka deklaruar se i njëjti është një nga autorët e këtyre krimeve, si dora e djathtë e diktatorit Slobodan Millosheviq.

Konferenca Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt po mbahet në Londër. 

Rajoni

Koncert Koral në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit dhe 25-vjetorit të UBT-së

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit dhe shënimit të 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, u mbajt një koncert koral i veçantë, i cili solli para publikut fuqinë e muzikës, artit dhe bashkëpunimit artistik.

Të pranishmit patën kënaqësinë të shijojnë performancën e Korit të Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit në UBT, nën dirigjimin e profesoreshës dhe dirigjentes, Lindita Isufi. Me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, kori prezantoi një program të pasur artistik, rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe dashurisë së studentëve për muzikën.

Pjesa e parë e koncertit iu kushtua krijimtarisë shqiptare, duke sjellë interpretime të veprave:

  • Dashnor tu bana – Shime Deshpali
  • Ishin dy kunata – Rafet Rudi
  • Po vijnë krushqit – Tish Daija
  • Unë biri yt Kosovë – Feim Ibrahimi

Përmes këtyre veprave u pasqyruan tradita, kultura dhe identiteti ynë muzikor, duke përcjellë emocione të veçanta te publiku.

Në pjesën e dytë, kori solli disa nga këngët më të njohura të repertorit ndërkombëtar:

  • Creep – nga Radiohead
  • Mamma Mia – nga ABBA
  • Siyahamba
  • Shkon djali termale – Çesk Zadeja

Koncerti dëshmoi edhe një herë rëndësinë e artit dhe muzikës si ura komunikimi ndërmjet kulturave, duke bashkuar zërat, emocionet dhe shpirtin krijues në një harmoni të vetme.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Politikat institucionale dhe praktikat artistike në fokus të diskutimit në Ditët e Artit dhe të Dizajnit në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Medias Digjitale në UBT organizoi panelin me temë “Politikat Institucionale dhe Praktika Artistike”, një aktivitet që mblodhi artistë, përfaqësues institucionesh kulturore, restauratorë dhe studentë për të diskutuar mbi sfidat dhe zhvillimet e artit bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë.

Aktiviteti u mbajt në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së në Lipjan, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave mbi funksionimin e institucioneve të artit, proceset e aplikimit, koleksionet publike, konservimin e veprave artistike dhe raportin ndërmjet artistit dhe institucioneve kulturore.

Dekania e Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Ariana Gjoni, në fjalën hapëse vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për studentët dhe komunitetin artistik, duke potencuar se UBT vazhdon të krijojë hapësira të nevojshme për debat profesional dhe zhvillim kreativ.

Të ftuara në panel ishin edhe Alisa Gojani-Berisha, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe Arlinda Hajrullahu, drejtoreshë e Muzeut të Artit Bashkëkohor, të cilat ndanë përvojat e tyre mbi menaxhimin institucional të artit dhe zhvillimin e politikave kulturore.

Pjesë e diskutimit ishte edhe restauratorja dhe konservatorja me përvojë ndërkombëtare, Elena Prieto Bello, e cila foli mbi rëndësinë e konservimit të trashëgimisë artistike dhe sfidat profesionale në këtë fushë.

Ky aktivitet u organizua nga profesori Burim Berisha, në kuadër të aktiviteteve të shumta që po zhvillohen gjatë Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, me fokus promovimin e dialogut ndërdisiplinar, artit bashkëkohor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Continue Reading

lajme

Dr. Xhida Lumi ndan përvojën klinike dhe shkencore me studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ofruar një edukim bashkëkohor dhe të ndërlidhur me praktikën profesionale, Fakulteti i Psikologjisë në UBT organizoi një ligjëratë të veçantë për studentët e programit Master, në kuadër të lëndës “Psikologji e Avancuar Zhvillimore”, të udhëhequr nga prof. Fatbardha Qehaja Osmani.

E ftuar ishte Dr. Xhida Lumi, psikiatre dhe psikoterapiste me veprimtari profesionale në Zvicër, e cila ndau me studentët përvojën e saj shumëvjeçare në fushën e shëndetit mendor, psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe në edukimin dhe trajnimin profesional të specialistëve të rinj.

Përmes ligjëratës me temën “Zhvillimi, Shëndeti dhe Rezilienca tek Fëmijët (Si t’i njohim, forcojmë dhe shoqërojmë fuqitë e brendshme)”, Dr. Lumi trajtoi aspekte të rëndësishme të zhvillimit psikologjik të fëmijëve, faktorët që ndikojnë në mirëqenien e tyre emocionale dhe mënyrat për të nxitur reziliencën dhe potencialin e tyre individual.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe fenomenit të migrimit dhe ndikimit që ai mund të ketë në zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijëve, duke ofruar perspektiva profesionale dhe raste konkrete nga praktika klinike ndërkombëtare.

Studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, të shtrojnë pyetje dhe të njihen nga afër me qasje moderne terapeutike dhe klinike, duke përfituar njohuri të vlefshme që ndërlidhin teorinë akademike me realitetin profesional.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e Fakultetit të Psikologjisë në UBT për të krijuar një mjedis studimi dinamik, ku studentët kanë mundësi të mësojnë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të zhvillojnë kompetenca profesionale të avancuara dhe të përgatiten për sfidat e profesionit në një kontekst global.

Continue Reading

Lajmet

Pas zgjedhjeve, Kurti udhëton në Austri: Do të takojë kancelarin Stocker

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Austri, vetëm një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë kësaj vizite dyditore, kreu i qeverisë në detyrë do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë shtetëror dhe ekonomik. Ndër të tjera, ai do të pritet në takim nga Kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum).

Ky udhëtim zyrtar i Kurtit zhvillohet pikërisht në kohën kur në Kosovë sapo është përmbyllur procesi i numërimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka përfunduar 100% numërimin e kutive të votimit (2,498 nga 2,498 vendvotime), duke nxjerrë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave përfundimtare të kësaj faze nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike në vend duke siguruar 42,91% të votave (299,152 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,12% (147,220 vota), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,58% (122,575 vota). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka grumbulluar 7,16% të votave, ndërsa Lista Serbe ka marrë 6,18%. Në këto zgjedhje, pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve me të drejtë vote arriti në 37,05%, teksa rezultatet pritet të certifikohen pasi të përmbyllen procedurat e numërimit të votave të diasporës dhe ato me postë.

 

Continue Reading

Të kërkuara