Në më pak se dy ditë pas ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Procesi i numërimit të votave ka filluar në Qendrat Komunale të Numërimit në katër komunat, Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh, ndërkaq në Qendrat e komunave të tjera, numërimi planifikohet të fillojë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative.
Por, krahas numërimit të pjesës së fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për kandidatët për deputetë, gjatë këtij procesi do të verifikohen edhe votat e subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të pjesës së fletëvotimit ku votuesit kanë votuar për subjektet politike.
Këto detaje janë bërë të ditura nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media të mbajtur nga QKN “1 Tetori” në Prishtinë.
“Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po fillon me procesin e numërimit të votave të kanidatëve për deputetë të cilat janë pjesë nga votimit në vendvotime të rregullta, i zhvilluar më 9 shkurt 2025 në 2,533 sosh në të gjithë Kosovën. Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike”, njoftoi ai.
Sipas Elezit, ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore të KQZ-së që janë miratuar nga KQZ qysh para zgjedhjeve. “Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, tha Elezi.
Më tej, Elezi ka thënë se numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës, planifikohet të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të përfundojnë numërimet në Qendrat Komunale të Numërimit.
Për numrin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, Elezi ka thënë se së shpejti do të kemi të dhënat për të gjitha komunat. Ndërkaq, duke folur për votimin jashtë Kosovës ai ka thënë se për këtë votim ishin regjistruar 104,927 shtetas dhe sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi më 8 shkurt 2025, është 15,352 nga 20,324.
Lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime.
“Numri i votuesve të regjistruar për votim përmes postës ishte 84,600. “Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.