Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot ka ndërmarrë një aksion, ku kanë arrestuar tre persona nën dyshimin për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas njoftimit ky aksion është rrjedhojë e hetimeve të ndërmarra nga prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës që ndërlidhen me plantacionet, rastin e koduar “Vera 2024”, ku gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar rreth 3000 (tremijë) bimë narkotike dhe rreth një (1) ton narkotikë e llojit marihuan në fshatin Sverkë të komunës së Pejës.
“Arrestimi i të dyshuarave është ekzekutuar nga Njësiti Special Intervenues në rajonin e Pejës dhe Gjakovës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre (3) persona e dyshuar janë ndaluar 48 orë dhe njëkohësisht janë sekuestruar dy (2) automjete, tre (3) telefona mobil dhe para kesh”, thuhet nw njoftim.
Prokurori i shtetit brenda aftit ligjor do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës se të pandehurve në procedurë penale.
Lidhur me këtë rast me herët me kërkesë të prokurorit të shtetit, janë arrestuar në shtetin e Republikës se Shqipërisë edhe tetë (8) persona për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës./KP