Lajmet

​“Drejtësia Sot” evidenton mangësi të shumta në aktakuzat e Prokurorisë Speciale

Published

on

Platforma “Drejtësia Sot”, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka evidentuar një varg mangësish në disa nga aktakuzat e Prokurorisë Speciale dhe Prokurorive Themelore, lidhur me veprat penale korruptive.

Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS tha se në bazë të analizimit të rasteve “Toka 1 dhe Toka 2”, rasti “Veteranët” dhe rasti “Pronto”, janë gjetur mangësitë në identifikimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarve, në mospërcaktimin e saktë të vlerës së dëmit (mungesës së ekspertizave financiare) dhe në mos precizimin e palës së dëmtuar.

“Në kuadër të Prokurorisë Speciale janë analizuar gjithsej pesë aktakuza ku janë vërejtur disa mangësi në elementet e domosdoshme të tyre. Këto mangësi kryesisht kanë të bëjnë me mos përcaktimin e saktë të vlerës së dëmit. Pra mungesës së ekspertizës financiare, pastaj mungesa e precizimit të palës së dëmtuar dhe paqartësi në paraqitjen e saktë të veprimeve inkriminuese të të akuzuarave. Këto dhe disa mangësi të tjera janë analizuar konkretisht në aktakuzën e rasteve si “Toka 1” dhe “Toka 2” si dhe rastin “Veteranët”, rasti “Pronto”, tha ajo përmes një konference për medie gjatë ditës sotme.

Krahas kësaj “Drejtësia Sot” ka analizuar edhe disa raste në kuadër të Prokurorive Themelore, ku sipas Rreze Hoxha-Zhuja, gjetjet janë të njëjta sikur në Prokurorinë Speciale.

“Ndërsa në kuadër të prokurorive themelore të Kosovës, “Drejtësia Sot” ka analizuar shtatë aktakuza në të cilat janë hasur të njëjtat mangësi sikur tek aktakuzat e Prokurorisë Speciale. Nga analizimi i tyre kemi gjetur se në tri nga aktakuzat e analizuara vërehet mungesa e kualifikimit të saktë të veprës penale. Një problem i tillë vlerësohet të krijojë paqartësi dhe huti juridike në aspektin e saktësisë së veprës penale dhe ndërlidhjes së sajë me veprimet që dyshohet të jenë veprime kriminale. Së dyti në katër nga aktakuzat e analizuara vërehet mungesa e përcaktimit të palës së dëmtuar dhe dëmit të shkaktuar. Një praktikë e tillë shkakton dy lloje të problemeve. Së pari përcaktimi sa ekziston dënimi dhe së dyti nëse ekziston dëmi, atëherë kush është palë e dëmtuar. Së treti në dy aktakuzat e analizuara është vërejtur mungesa e ekspertizave financiare që lidhet me dëmin e shkaktuar”, u shpreh ajo.

Për të gjitha këto gjetje, Grupi për Studime Juridike dhe Politike paraqiti edhe disa rekomandime për sistemin e drejtësisë.

“Rekomandojmë që prokurorët me rastin e ngritjes së aktakuzave të përcaktojnë saktë gjendjen faktike, përkatësisht të bëhet kualifikimi i saktë ligjor i veprës penale duke iu referuar dispozitave të kodit penal. Së dyti prokurorët me rastin e ngritjes së aktakuzave të bëjnë prezicimin e dëmit në bazë të ekspertizave financiare kur kemi të bëjmë me veprat penale të kësaj natyre. Së treti rekomandojmë prokurorët të bëjnë precizimin e palës së dëmtuar me rastin e ngritjes së aktakuzave të kësaj natyre në mënyrë që të dihet kush është palë e dëmtuar. Së katërti rekomandojmë prokurorët të rekomandojnë saktë veprimet inkreminuese të të pandehurve”, tha jo.

Ky hulumtim i GLPS-së është në kuadër të platformës “Drejtësia Sot” në projektin “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë”.

Vendi

Gjeneral Jashari priti në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës së Ajovës, Gjeneral Major Stephen Osborn

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Major Stephen E. Osborn.

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e falënderoi mysafirin për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave, duke vënë në pah rëndësinë e madhe të këtij partneriteti strategjik në zhvillimin profesional dhe operacional të FSK-së.

Palët diskutuan për arritjet e deritanishme, projektet e përbashkëta dhe mundësitë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit të afërt me partnerët ndërkombëtarë.

Në kuadër të kësaj vizite, Gjeneral Major Osborn vizitoi edhe Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së, ku u njoftua nga afër me kapacitetet operationale, trajnimet dhe aktivitetet e kësaj njësie elitare.

Në përmbyllje të takimit, Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e thellë për Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen e pakursyer, duke vlerësuar lart partneritetin e ndërtuar ndër vite në shërbim të forcimit të paqes dhe sigurisë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit sot në orën 11:00

Published

on

By

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për thirrjen e menjëhershme të vazhdimit të seancës konstituive sot, më 12 gusht 2026.

Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, mirëpo kjo nuk e shuan detyrimin për përmbushjen e këtij procesi pa vonesa të mëtejshme. Partia kërkon që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga besimi i qytetarëve.

Pavarësisht nëse kryesuesi do ta thërrasë zyrtarisht seancën apo jo, deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit sot në orën 11:00, kohë kur plotësohet afati 48-orësh sipas rregullores. Me këtë rast, PDK u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve që t’i bashkohen seancës për të dëshmuar gatishmërinë politike për përmbushjen e obligimeve kushtetuese.

Kjo kërkesë vjen pasi vazhdimi i fundit i seancës konstituive, i mbajtur të shtunën, u ndërpre dhe u shty me kërkesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, pas tensioneve në sallë ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të tij. /E.A/

foto: Koha.net

Continue Reading

Botë

Spektakli qiellor i 12 gushtit: Si do të përjetohet eklipsi i Diellit në Evropë dhe Kosovë

Published

on

By

Miliona evropianë do të kenë mundësinë të ndjekin të mërkurën mbrëma eklipsin e parë të plotë diellor në Evropën kontinentale pas dy dekadash. Fenomeni astronomik do të jetë plotësisht i dukshëm në Spanjë, Portugali, Grenlandë dhe Islandë, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore do të përjetojë një eklips të pjesshëm.

Sipas platformës astronomike TimeandDate, qytetarët në Kosovë do të mund të vëzhgojnë fazën e pjesshme të këtij fenomeni, i cili do të nisë në orën 19:29. Kulmi do të arrihet në orën 19:38, moment kur Hëna do të mbulojë pjesën më të madhe të dukshme të Diellit. Vetëm tre minuta më vonë, në orën 19:41, Dielli do të perëndojë, ndërsa e gjithë faza e pjesshme do të përfundojë përfundimisht në orën 21:07. Sipas raportimeve të The Guardian, kulmi i eklipsit në Spanjë pritet mes orës 20:26 dhe 20:33, ndërsa në Londër do të regjistrohet në orën 19:13.

Për shkak se ky fenomen do të ndodhë shumë pranë horizontit, ekspertët sugjerojnë që vëzhgimi të bëhet nga pika të larta dhe zona pa pengesa, me pamje të hapur drejt perëndimit dhe veriperëndimit. Njëkohësisht, ata paralajmërojnë se shikimi i Diellit me sy të lirë është i dëmshëm. Në mungesë të syzeve mbrojtëse speciale, qytetarët mund të përdorin një kullesë kuzhine si projektor alternativ, duke reflektuar dritën dhe hijen e eklipsit mbi një sipërfaqe të letrës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara