Lajmet

​DnV me raport përfundimtar: Zgjedhjet e 14 shkurtit në përputhje me standardet demokratike

Published

on

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, vlerëson se zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, megjithatë përjashtim në këtë kualifikim përbëjnë komunat me shumicë serbe ku është evidentuar dhe konfirmuar votimi i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve.

DnV sot ka publikuar raportin përfundimtar të zgjedhjeve, që përfshin raportin për vëzhgimin e zgjedhjeve, raportin për monitorimin e fushatës zgjedhore dhe raportin për monitorimit e mediave.

Eugen Cakolli nga DnV, tha se dita e zgjedhjeve është organizuar e qetë dhe pa ndonjë incident serioz që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor. Ai tha se edhe në këto zgjedhje janë vërejtur problematika të ngjashme sikurse në zgjedhjet e mëparshme, votimi me asistencë i cili është evidentuar në shkallë mjaftë të lartë, vështirësi të votuesve për të gjetur emrin nëpër listat e votuesve, si dhe disa lloje të votimit të parregullt.

Sa i përket respektimit të masave kundër përhapjes së pandemisë, Cakolli tha se dita e zgjedhjeve është shoqëruar me një respektim jo të kënaqshëm të këtyre masave si nga ana e komisionerëve ashtu edhe qytetarët.

“DnV vlerëson që zgjedhjet e mbajtura me 14 shkurt janë zgjedhje që janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta. Sidoqoftë përjashtim në këtë kualifikim përbëjnë komunat me shumicë serbe ku është evidentuar dhe konfirmuar votim i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve, si dhe një dalje të pazakontë të votuesve e cila ka arritur deri në 85 përqind që është dyfishi i mesatares në nivel vendi. Sa i përket pjesëmarrjes qytetare vlen të përmendet që me 48.78 përqind dalja në zgjedhje e votuesve në këto zgjedhje është më e larta në historinë e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa vlerë të shtuar procesit i kanë dhënë edhe vet subjektet politike me pranimin e rezultateve të cilat janë shpallur”, tha ai.

Cakolli u shpreh se procesi i numërimit të votave, e në veçanti atyre të kandidatëve të subjekteve politike vijon të mbetet një prej problematikave kryesore të proceseve zgjedhore në Kosovë. Ai tha se implikimi i personave të dyshuar në vepra penale të falsifikimit dhe të manipulimit të rezultateve zgjedhore që është dëshmuar edhe përmes publikimit të një audio dhe video incizimi, e ka zbehur ndjeshëm kredibilitetin e këtij procesi.

Puna në QNR, ai tha se ka qenë përgjithësisht e rregullt, e hapur dhe transparente për publikun, por që rinumërimi i 700 kutive që përbën rreth 30 përqind të numrit të përgjithshëm, sipas tij, shpërfaq edhe një herë politizimin e thellë dhe mungesën e integritetit në mesin e disa komisionerëve dhe stafit të QNR-së.

Punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, DnV e ka vlerësuar si transparente, por që puna e këtij institucioni është karakterizuar me ndërhyrje nga akterë të jashtëm.

“Puna e KQZ ka qenë transparente, por ajo çfarë është atipike për këtë proces zgjedhor është polarizimi dhe përplasjet e skajshme që kanë karakterizuar në vazhdimësi punën e KQZ-së, në veçanti në mes anëtarëve të KQZ-së nga radhët e LVV-së dhe kryetares së KQZ-së. Po ashtu, puna dhe pavarësia e KQZ-së në këto zgjedhje janë karakterizuar nga ndërhyrje të cilat kanë ardhur nga akterë të jashtëm, në veçanti nga ushtruesja e detyrës asokohe të presidentit znj.Vjosa Osmani, e cila përmes deklarimeve të saj publike ka cenuar në një formë integritetin dhe pavarësinë e punës së KQZ-së”, deklaroi Cakolli.

Ai tha se kryetarja e KQZ-së si asnjëherë më parë ka qenë target i sulmeve të shumta si nga radhët e subjekteve politike ashtu edhe nga qytetarët.

Përkundër kohës së shkurtër, sipas Cakollit KQZ ka arritur të përmbyllë të gjitha operacionet zgjedhore, por që theksohet se votimi jashtë vendi mbetet një prej hallkave më të ndjeshme të procesit zgjedhor.

Në raport flitet edhe për punën e PZAP dhe të Gjykatës Supreme gjatë këtyre zgjedhjeve, ku Cakolli tha se të njëjtat kanë vepruar me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme kanë trajtuar lëndët të cilat u janë adresuar atyre.

PZAP dhe Gjykata Supreme tha se kanë anuluar votat e subjekteve politike të komuniteteve të fituara në zonat me shumicë serbe, ku nuk ka pasur përqendrim demografik të komuniteteve në fjalë. Me këtë veprim, ai tha se është garantuar përfaqësimi i drejtë i vullnetit të komuniteteve duke u bazuar si në normat kushtetuese vendore ashtu edhe në praktikat e mira ndërkombëtare.

Visar Xhambazi, nga DnV ka prezantuar raportin e monitorimit të fushatës, ku ai tha se kanë monitoruar 179 aktivitete të subjekteve politike. Ai tha se subjektet politike kanë pasur më së shumti aktivitete të organizuara në Komunën e Pejës dhe të Prizrenit. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar më së shumti aktivitete zgjedhore apo 58, LDK me 44 aktivitete dhe PDK me 35, AAK me 18 aktivitete, ndërsa partitë tjera kanë më pak se 18 aktivitete të organizuara.

Pjesë e monitorimit ka qenë edhe respektimi i masave anti-COVID, për çka tha se ato nuk janë respektuar fare.

Xhambazi, u shpreh se pjesëmarrja e grave në fushatë zgjedhore vazhdon të mbetet e ulët, ai tha se sa i përket pjesëmarrjes së përgjithshme të grave ka vetëm 22 përqind të grave në raport me burrat, ndërsa sa i përket folësve gratë kanë qenë folëse vetëm në 27 përqind të rasteve në raport me burrat.

Temat më të përmendura në fushatë zgjedhore, ai tha se kanë qenë zhvillimi ekonomik, bujqësia, punësimi dhe arsimi. Ndërsa, tha se gjatë fushatës zgjedhore në 23 përqind të rasteve ka pasur gjuhë të urrejtjes, ku rivalët politik janë quajtur zhvatës dhe tradhtar.

Ndërsa, raportin e monitorimit të mediave e ka prezantuar Mexhide Demolli-Nimani nga DnV, e cila tha se gjatë monitorimit tek televizionet kanë dominuar subjektet e mëdha politike që kanë pasur më shumë hapësirë qoftë në kronikat zgjedhore apo edhe në debatet televizive.

“Nga monitorimi tregon se më së shumti mbulueshmëri tek televizionet në kronika zgjedhore ka pasur LDK me 238 minuta, e ndjekur nga AAK me 228 minuta, LVV 223 minuta, Nisma me 211 minuta, PDK me 209 minuta, Lista Serbe me 57 minuta dhe subjektet e tjera të minoriteteve po edhe partive të vogla shqiptare janë prezantuar në kronika zgjedhore me 49 minuta…Livestream nga portalet kemi monitoruar se sa janë shfrytëzuar faqet e facebook-ut të portaleve të cilat kanë një numër të madh të ndjekësve të tyre nga partitë politike në këtë rast që janë shfrytëzuar edhe këto faqe përveç faqeve të tyre zyrtare për t’i transmetuar, nga monitorimi direkt përmes facebbok-ut prin AAK me 1 mijë e 491 minuta nga 5 portale, duke u pasuar nga LDK me 1 mijë e 393 minuta në 6 portale, Nisma me 1 mijë e 141 në 6 portale, PDK me 1 mijë e 134 minuta në 6 portale, ndërkaq LVV ka vetëm 433 minuta në vetëm 4 portale”, tha ajo.

Eugen Cakolli ka prezantuar rekomandimet nga ky raport, e që sipas tij kanë si qëllim parësor inicimin e një procesi të reformës zgjedhore.

“DnV vlerëson që reforma zgjedhore si proces duhet të jetë një prej prioriteteve kyçe të spektrit politik në vend, mirëpo që i njëjti duhet të shoqërohet nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe i transparencës duke evituar çfarëdo iniciative apo mundësie që do të cenonte këto dy parime, meqenëse do të përkthehej në një ndryshim të sistemit zgjedhor apo elementeve të tij pa pasur një pajtueshmëri më të gjerë lidhur me këtë proces. DnV vlerëson se ndër elementet kryesore të sistemit zgjedhor që duhet të jenë subjekt i reformimit zgjedhor janë votimi preferencial deri në 5 kandidatë i cili duhet të reduktohet, pragu zgjedhor përkatësisht aplikimi i tij për kategori të ndryshme në këtë rast për koalicione, subjektet politike dhe kandidatët e pavarur i cili duhet të rikategorizohet. Po ashtu, duhet të rishqyrtohet edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit të vendit me qëllim të evitimit të krizave të ndryshme politike”, tha ai.

Në kuadër të elementeve kryesore të sistemit zgjedhor, Cakolli tha se duhet të konsiderohet ndarja e Kosovës në zona zgjedhore në mënyrë që të garantohet një përfaqësim më i drejtë i qytetarëve.

Lajmet

Përrenjas: Arrestohet 69-vjeçari, dyshohet se i vuri flakën bashkëshortes

Published

on

By

Policia në Shqipëri ka arrestuar një 69-vjeçar në fshatin Karakavec të Përrenjasit, nën dyshimin se ka lyer me lëndë djegëse dhe i ka vënë flakën bashkëshortes së tij pas një konflikti në familje.

Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, i dyshuari Gani Danga ka lyer me benzinë gruan e tij 67-vjeçare. Viktima është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmën e parë mjekësore dhe më pas është dërguar në repartin e djegieve në Tiranë. Burimet spitalore kanë bërë të ditur se ajo aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga të dhënat e para të hetimit rezulton se dhuna në këtë familje kishte qenë e përsëritur, teksa viktima ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje përgjatë tre muajve të fundit.

Policia ka kryer arrestimin e të dyshuarit menjëherë pas ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. /Euronews/ /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Obsesioni ndaj Jungkook: Gruaja i ra ziles 133 herë, përfundon në gjykatë

Published

on

Një grua nga Brazili është dënuar me një vit burgim me kusht për dy vjet, pasi përndoqi vazhdimisht yllin e grupit BTS, Jungkook, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për të qëndruar larg shtëpisë së tij në Seul.

Sipas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Seul, gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, kishte filluar ta përndiqte këngëtarin në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo kishte lënë letra dhe fotografi pranë banesës së tij, duke pretenduar se vepronte “nga dashuria” për artistin 28-vjeçar.

Gjykata bëri të ditur se gruaja kishte vizituar shtëpinë e Jungkook gjithsej 22 herë. Në një prej rasteve, ajo kishte rënë ziles së shtëpisë 133 herë, veprim që u cilësua nga gjykatësi si një nivel ekstrem obsesioni.

Ajo u arrestua më 13 dhjetor pasi kishte ndjekur një punonjës të shpërndarjes së ushqimit për të hyrë në pronë përmes një porte anësore. Edhe pse ishte liruar me paralajmërim që të mos i afrohej më banesës, ajo vazhdoi vizitat, duke detyruar policinë të lëshonte një urdhër emergjent që ia ndalonte afrimin brenda 100 metrave nga prona.

Përveç dënimit me kusht, gruaja pritet të dëbohet nga Koreja e Jugut, nëse nuk arrin të apelojë me sukses vendimin.

Ndërkohë, ky nuk është rasti i parë i tillë. Në qershor të vitit të kaluar, një grua kineze në të 30-at u arrestua në Seul teksa tentonte të hynte në shtëpinë e Jungkook vetëm disa orë pasi ai kishte përfunduar shërbimin ushtarak. /BBC/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci: Shtëpia muze e Ymer Elshanit ruan kujtesën historike dhe letrare

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar shtëpinë muze të shkrimtarit Ymer Elshani në Korroticë të Poshtme, duke e cilësuar atë si një vend që ruan kujtesën, historinë dhe fjalën e shkruar.

Në vizitë ajo ishte e shoqëruar nga zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi, drejtoresha e departamentit të trashëgimisë kulturore në MKT, Merita Augustini Ndrecaj, si dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore.

Në shtëpinë muze, delegacioni u prit nga Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit, e cila ndau rrëfime mbi jetën dhe veprën e tij, si dhe mbi historinë e familjes.

Sipas Ministrisë së Kulturës, shtëpia muze e Ymer Elshanit përfaqëson jo vetëm trashëgiminë letrare të një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe për fëmijë, por edhe kujtesën e 46 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, një ngjarje e rëndësishme historike.

Ky objekt kulturor vlerësohet si dëshmi e rëndësishme e kujtesës kolektive, ku historia, kultura dhe trashëgimia ndërthuren për brezat e tashëm dhe ata që do të vijnë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve nisin komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme do të nisin komunikimet me partitë politike me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.

Deklaratën Kurti e bëri të martën, pasi mori pjesë në edicionin e 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH” në Prishtinë.

I pyetur nga gazetarët për hapat e ardhshëm pas procesit zgjedhor, ai u shpreh shkurt se kontaktet politike do të fillojnë sapo të përfundojë certifikimi i rezultateve.

“Porsa të certifikohen rezultatet, fillojmë komunikimet menjëherë”, tha Kurti.

Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur pritet përmbyllja e procedurave zgjedhore dhe certifikimi zyrtar i rezultateve, që do t’i hapte rrugë konsultimeve për konstituimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë së re.

Sipas të dhënave aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës ka 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 18, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 ulëse. /Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara