Lajmet

​Djali i Ukshin Hotit: Kidnapuesit e babit jo vetëm që janë të lirë, por kanë edhe poste publike në Serbi

Duke kërkuar që të zbardhet fati i tij, të gjithë e vlerësuan lartë veprimtarinë kombëtare të Hotit.

Published

on

Në shënimin e 23-vjetorit të zhdukjes së veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, shtëpinë muze të tij në Krushë të Madhe e kanë vizituar familjarë, bashkëveprimtarë, e politikanë. Duke kërkuar që të zbardhet fati i tij, të gjithë e vlerësuan lartë veprimtarinë kombëtare të Hotit.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u shpreh se ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe të gjithë të pagjeturve tjerë është detyrim ndaj familjarëve dhe shoqërisë.

“Ky aktivitet është simbolik dhe ka për qëllim edhe njëherë me ngrit zërin jo vetëm zërin e arsyes por me forcë me ngrit zërin ku është Ukshin Hoti? Profili i njërit prej atdhetarëve të kulluar, një humanisti kryengritësi, prijësi të mendimit kritik udhërrëfyes drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar na bënë të ndihemi borxhlinj përherë karshi kësaj figure madhore në vendin tonë… Së këndejmi, ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe i të pagjeturve të tjerë është detyrim ndaj familjes, ndaj shoqërisë, vendit tonë dhe në përgjithësi ndaj kombit shqiptar sepse ai përfaqëson vlerat më sublime që mund ta karakterizojë një intelektual vizionar i këtyre përmasave”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se madhështia e veprës së Ukshin Hotit i bënë të tjerët të ndihen të vegjël. Ai dha edhe disa porosi, ndërsa tha se për ta forcuar sigurinë dhe shtetin ligjor në Kosovë nuk do të jenë kurrë të ndarë pavarësisht partisë politike e përkatësisë.

Sipas tij, shqiptarët krahas synimit për bashkim kombëtar, ata duhet të jenë të bashkuar edhe për një miqësi me Amerikën.

“Madhështia e veprës së tij na bënë gjithë neve tjerëve të vegjël. Por guxoj me besu se po punojmë, do të punojmë dhe do të qëndrojmë përjetë me atë që është testament jo vetëm për politikën por për secilën prej nesh. Në një ditë si kjo ndoshta dy-tre porosi janë të mira që t’i themi se për ta forcuar sigurinë edhe shtetin ligjor të Kosovës kurrë nuk do të jemi të ndarë nuk ka asnjë identitet që na ndanë as partitë, as përkatësitë tjera. Do ta forcojnë sigurinë dhe shtetin ligjor të Kosovës a e dini pse, sepse siguria dhe shteti ligjor i pushtuesit na ka sjell në këtë ditë dikur e ne duhet ta kemi tonin të fortë dhe të përjetshëm. Po ashtu, që ta kemi një bazë ekonomike që të jetojmë në vendin tonë është detyrë e jona pa marr parasysh se kush jemi, një bazë ekonomike që njeriu i Kosovës të jetojë në Kosovë. Duhet të jemi të bashkuar sot dhe të mos thellohemi dhe fokusohemi tek përkatësitë tjera, mbrojtja përmes NATO-s, duhet me shënu hyrje në NATO Kosova pikërisht që mos të na përsëritën ditë si kjo, mos të na përsëritet historia. Duhet të punojmë intensivisht që të anëtarësohemi në NATO, është interes i yni”, u shpreh ai.

E djali i intelektualit, Ukshin Hoti, Andini u shpreh se ditët si këto janë të mërzitshme për të gjithë familjarët e të zhdukurve, madje u shpreh se për familjarët e të zhdukurve lufta nuk ka përfunduar ende.

Hoti si kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur u shpreh se Serbia po i lë të lirë dhe në poste politike kidnapuesit e babait të tij. Ai po ashtu tha se Serbia nuk po heq dorë prej politizimit të çështjes së të pagjeturve.

“Jo vetëm ne si familjar të Ukshin Hotit, por edhe të gjithë të tjerët që kanë pasur rastin e përafërt të vuajtjes familjar të personave të zhdukur konsideroj se ende nuk ka përfunduar lufta për ne. Jemi 23 vite pas dhe në një apo formë tjerë, ende ne vuajmë dhe mbajmë shpresën dhe zgjohemi dhe kur e shoh hallën dhe zonjën Nustrete e di se çfarë dhimbje mund të kenë çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje me shpresën se mos ajo Serbi kriminale që është sot po ndryshon mendje. Fatkeqësisht e njëjta Serbi, konsideroj unë, vazhdon të jetë edhe sot me mendje të tillë kriminale… Të gjithë publikisht i dinë emrat e atyre që e kanë kidnapuar babin nga burgu i Dubravës dhe ata sot jo vetëm që janë të lirë në Serbi, por edhe poste publike dhe rastësisht prej që e kam marr detyrën e kryetarit të Komisionit por edhe delegacionit për Persona të Zhdukur kam hasur në raporte të cilat delegacioni i Serbisë i ka dorëzuar tek ne në bazë të kërkesave të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të babit dhe përgjigjja e tyre është po aq kriminale, tregon se Serbia në asnjë rast të vetëm nuk e depolitizon dhe në asnjë rast të vetëm nuk heq dorë prej politizimit të çështjes së personave të zhdukur’”, theksoi ai.

Hoti shprehu angazhimin e tij në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovës.

“Jo vetëm për babin por për të gjithë personat e zhdukur përderisa ne me aq fuqi sa kemi jemi aty dhe nuk do të ndalemi asnjëherë nuk janë ndal as më herët dhe nuk janë ndal as sot dhe nuk do të ndalemi as në të ardhmen”, u shpreh Hoti.

Homazhe dhe vizitë në shtëpinë muze të veprimtarit, Ukshin Hoti sot ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Lajmet

MPJD kërkon angazhim ndërkombëtar për arrestimin e shtetasit kosovar në Serbi

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) ka njoftuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit kosovar së Mit’hat Llozhani.

Llozhani u ndalua me të hyrë në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Continue Reading

Lajmet

Protestë në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës

Published

on

By

Sot në Prishtinë është mbajtur protestë kundër kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht para ndërtesës së KEDS-it, për të marshuar më pas drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Gjatë protestës janë shfaqur pankarta me mesazhe si: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës” dhe “Rryma rritet, populli digjet”.

Teksa protestuesit qëndronin para ndërtesës së KEDS-it, është hedhur tym i kuq, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një person të moshuar që po merrte pjesë në protestë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” e kanë cilësuar kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë për 21.3 për qind si proces të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.

Kërkesa për rritje të tarifave është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nga KESCO, KOSTT dhe KEDS.

ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat hyjnë në fuqi më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind.

Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat-orë.

Continue Reading

Lajmet

“Trafiku Urban” përsëri në grevë nga 13 shkurti

Published

on

By

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar se nga 13 shkurti 2026 do të hyjnë në grevë.

Në një njoftim për menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes publike thuhet se më 26 janar janë parashtruar kërkesat dhe paralajmërimi për hyrje në grevë.

Meqë nuk ka pasur përgjigje deri më 6 shkurt, punëtorët kanë njoftuar se greva nis më datë 13.

Kërkesat e punëtorëve të “Trafikut Urban” përfshijnë përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, me qëllim që të mos cenohen interesat publikë dhe siguria e qytetarëve.

“Ju rikujtojmë se më datë 26.01.2026 është bërë njoftimi paraprak lidhur me kërkesat e parashtruara dhe paralajmërimin për hyrje në grevë në rast të mosmarrjes së përgjigjes. Duke qenë se deri më datë 06.02.2026 nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare nga organet kompetente, ju njoftojmë se punëtorët do të hyjnë në grevë më datë 13.02.2026. Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë shërbimet publike me interes të përgjithshëm, garantohet respektimi i minimumit të procesit të punës, në mënyrë që të mos rrezikohet interesi publik dhe siguria e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Trafiku Urban” dhe transportuesit privat në Prishtinë për shkak të borxheve të pashlyera  kishin ndërprerë shërbimet për nëntë ditë vitin e kaluar.

Continue Reading

Lajmet

Prishtina voton buxhetin- në 2026, mbi 150 milionë

Published

on

By

Mes diskutimeve të shumta, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2026.

Më 33 vota vota “për”, tetë “kundër” dhe asnjë abstenim ka kaluar propozimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për këtë vit.

Buxheti i paraparë për këtë vit për Komunën e Prishtinës është mbi 151 milionë euro.

Ndërsa, Kryetari Përparim Rama, ende nuk e ka prezantuar kabinetin e tij qeverisës për mandatin e dytë, edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.

Continue Reading

Të kërkuara