Kuriozitete

​Dita e çokollatës

Fjala çokollatë rrjedh nga pija e parë me përmbajtje të saj Xocóatl (Xócoc: ëmbël; atl: ujë; d.m.th “ujë i ëmbël”).

Published

on

13 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Çokollatës dhe ne do të zbulojmë historinë e njërës nga shoqërueset më besnike dhe më të dashura të ditëve tona.

Çokollata është një produkt ushqimor industrial që ka për bazë kakaon. Përdoret për ushqim në formë të pastër dhe si gjysmë produkt në industri e kuzhinë.

Fjala çokollatë rrjedh nga pija e parë me përmbajtje të saj Xocóatl (Xócoc: ëmbël; atl: ujë; d.m.th “ujë i ëmbël”), e cila prodhohej nga Astekët. Kjo pije ka qenë ujë i përzier me kakao, vanilje dhe beber Cajen.

Bima Theobroma Cacao (emri shkencor i kakaos) u klasifikua nga Lineu, duke pasur parasysh emrin dhe përdorimin e tij në qytetërimet që e përdornin në atë kohë.

Historia e kakaos dhe çokollatës

Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6.000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakaos ishin majatë, rreth vitit 1000 p.e.s. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës.

Më vonë majat dhe astekët filluan kultivimin e kakaos dhe më vonë të prodhonin çokollatë.

Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije e quajtur ksokoatl, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije përftohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë, si mielli e mineralet. Një tjetër mënyrë e përgatitjes ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë.

Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, e cila në antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën. Pas pushtimit spanjoll filloi të përdorej “dybeku” (molinilo), i cili lëvizej poshtë e lart dhe kështu arrihej më shpejt shkuma aq e dëshiruar.

Nuk mund të mos vihet re koincidenca e mënyrës së përgatitjes të pijes së kakaos me traditën afrikane të përgatitjes së çajit (tre cikle të njëpasnjëshëm përgatitje, çdonjëri prej të cilëve përftohet nga zierja e gjetheve të çajit, përzierja e përsëritur deri në arritjen e shkumës).

Ksokoatl-i kishte si efekt lehtësimin e ndjesisë së lodhjes, gjë që lidhej me teobrominën që përmbante. Ai ishte një artikull luksi në gjithë Amerikën qendrore pre-kolumbiane; farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse: në thesarin e perandorit Motekuhzoma (më i njohur si Montezuma), gjendeshin thuajse një miliard të tilla. Thuhet se ksokoatl-i kishte një shije të shkëlqyer.

Hoze de Akosta, një misionar jezuit spanjoll që jetoi në Peru dhe më pas në Meksikë në fundin e shekullit XVI, shkruante: Jo e shijshme për ata që nuk e njohin, më një shkumë në sipërfaqe që nuk ka aspak shije të mirë. Gjithsesi, është një pije shumë e vlerësuar nga indianët, të cilët e përdorin për të nderuar fisnikët që përshkojnë vendin e tyre. Spanjollët, si burrat dhe gratë, të cilët janë mësuar me vendin, janë shumë xhelozë për këtë çokollatë. Thonë se përgatisin shumë lloje, të ngrohta, të ftohta, të vakëta dhe se i fusin shumë erëza; bëjnë me të dhe një brumë që sipas tyre është i mirë për stomakun.

Vetëm në vitin 1502 kakao u njoh nga qytetërimi evropian: Kristofor Kolombo gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje; në kthim mori me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soto u arrit futja e kakaos në Evropë në mënyrë të përhapur, ishte viti 1519.

Ai arriti në Amerikë nga Spanja. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao.

Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës me qëllim tregtar udhëtoi mbi një anije nga Verakruzi në Sevilje në 1585. Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhrat e murgjve spanjollë, të cilët kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t’i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës.

Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe në 1615 në gjithë Evropën. Gjurmët e lidhjes së vjetër të Firences me çokollatën gjenden në disa libra të Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, ku gjenden dëshmi të shumta të shkruara duke filluar nga viti 1600 me një debat mbi çokollatën dhe konsumin e saj.

Gjithmonë në Firence, nga viti 1680 gjenden gjurmë të shkruara mbi temën e çokollatës. Në 1680 botohet “Ndryshimet mes ushqimit dhe çokollatës…” të cilin e ndjekin në 1728: “Mendime rreth përdorimit të çokollatës”, “Letër ku ekzaminohen arsyetimet e autorit të mendimeve të para, rreth përdorimit të çokollatës”, “Në shekullin XVII u kthye në një luks mes fisnikëve të Evropës dhe holandezët, lundrues e zotët, ia morën Spanjës kontrollin botëror. Në Venecian e viteve 700 lindnin dyqanet e para të kafesë, paraardhësit e bareve të sotëm; ato ishin sigurisht dhe dyqane çokollate dhe ishin në garë për të ndryshuar recetat ekzistuese duke shpikur të reja. Në vitin 1790 “Gazeta Veneciane” dokumentoi përhapjen e produktit. Deri në fund të shek. XVIII çokollata konsiderohej si shëruese ndaj çdo gjëje dhe mendohej me veti mrekullibërëse.

Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos; në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës; një shembull ishte Torino i cili kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Zvicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak përgatitja e pijeve të çokollatës u kthye në një pasion.

Në fund të shek. XVIII çokollata e parë e ngurtë siç e hamë sot, u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhet të vinte viti 1820 që sistemi të vihej në punë dhe kubi i parë i çokollatës u prodhua në Angli.

Në vitin 1826 Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë.

Në vitin 1828 holandezi Conrad J. van Houten, e shpejtoi metodën e nxjerrjes së yndyrës nga farat e kakaos, duke i transformua në kakao pluhur dhe gjalpë kakaoje. Zhvilloi gjithashtu të ashtuquajturin “proces holandez”, i cili konsiston në trajtimin e kakaos me alkale për t’i hequr shijen e hidhur. Këto trajtime bënë të mundur prodhimin e çokollatës si ajo e sotmja.

Çokollata e parë me përmasa më të mëdha se ajo e Doretit u prodhua në vitin 1847 nga Joseph Fry. Në vitin 1852, në Torino, Michele Prochet filloi të përziente kakaon me lajthi të shtypura e të pjekura, duke krijuar brumin Gianduia. Daniel Peter, një fabrikant zviceran qirinjsh, u bashkua me të vjehrrin për të prodhuar çokollatë.

Në vitin 1867 filluan të fusnin edhe qumështin si përbërës dhe nxorën në treg çokollatën me qumësht në vitin 1875. Për të larguar ujin nga qumështi në mënyrë që çokollata të ruhej me gjatë, u ndihmua nga një fqinj, fabrikant ushqimesh për fëmijë, me emrin Henri Nestlè. Rudolph Lindt shpiku procesin e quajtur “conching”, i cili konsiston në mbajtjen për një kohë të gjatë të çokollatës së shkrirë për ta bërë mishelën homogjene.

Në 1946 Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi me qëllim për t’i shitur disa kile pastiçierëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç’pritej dhe disa vjet më vonë, në vitin 1964, u krijua çokokremi, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën.

Continue Reading

Kuriozitete

Energjia juaj është pasuria juaj, si ta mbroni nga njerëzit negativë?

Published

on

Gjeni më poshtë 11 mënyra që do të ju ndihmojnë të qëndroni pozitivë, edhe kur rrethoheni nga njerëz negativë.

Mos e merrni personale

Nëse keni të bëni me dikë që ka personalitet “toksik”, mbani mend: nuk është aspak puna juaj cka mendojnë të tjerët për ju, kjo nuk ju prek aspak. Nëse mendojnë negativisht për ju, kujt i bëhet vonë? Thjesht jini vetvetja.

Ruani qetësinë

Duke mos u ulur në standardin e negativëve, do të kuptoni që është më e kollajtë të ruani qetësinë, të mbesni pozitivë dhe thjeshtë të pranoni gjendjen e gjërave, ashtu si janë, deri kur mund të dilni prej situatës.

“Hiqeni” veten nga situata

Mund të duket si gjëja më e kollajtë, por ndonjëherë është edhe më e mira. Nëse keni ngecur dhe nuk dilni dot, thjeshtë sprapsja nga një bisedë negative dhe “ëndërrimi me sy hapur” mund të mjaftojë për të mbajtur negativitetin larg jush.

Merrni frymë

Të gjithë terapistët e mirë rekomandojnë terapinë e frymëmarrjes për të lehtësuar ankthin, dhe funksionon.

Numëroni deri në 10. Nëse nuk bën punë, numëroni deri në 20

Funksionon për së mbari. Kjo ndodh sepse ju jep juve disa sekonda për të hequr dorë nga reagimi instiktiv, dhe kështu nuk e lejoni negativitetin t’ju prekë.

Ushtrohuni

Nëse ushtroheni për 15 minuta, ndiheni më mirë, e kokën do ta keni më të kthjellët. Nuk do të thotë të lini menjëherë një situatë negative e të vraponi të bëni ushtrime, por ushtrimet e shpeshta do ta bëjnë mendjen një vend të shëndetshëm për të luftuar ndikimet negative.

Flisni

Nëse jeni të gatshëm e keni vullnet, luftoni negativitetin me fjalë pozitive. Thjeshtë jini gati të mbroni pozicionin tuaj, dhe të mbani kokën lart, ose përndryshe do të përfundoni duke ulur standardet tuaja, pa e kuptuar.

Mbajeni veten të zënë

Nëse mendja juaj është e fokusuar në diçka tjetër, është më e lehtë të injoroni pesimizmin që ju rrethon.

Rrethohuni me gjëra që ju ndihmojnë të mbesni pozitivë

Nëse mendoni që mjedisi juaj i punës është shkatërrues për humorin tuaj, përpiquni të rrethoheni me gjëra që ju mbajnë të zënë dhe ju kënaqin. S’ka rëndësi nëse janë shënime me citime optimiste, foto familjare, apo muzikë që ju shpie në një vend pozitiv – përpiquni që hapësirën e punës ta mbushni me të gjithë gjërat që ju kujtojnë se ju jeni mbi negativitetin.

Mos mbani mëri

Thjeshtë nuk ju bën mirë. Do ju ulë poshtë përmes vetëshkatërrimit, dhe do jetë shumë e vështirë të largoheni. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Universiteti i Oksfordit zgjodhi fjalën e vitit 2025

Published

on

Një lajm i mirë për ata që shpesh ndihen të irrituar ndërsa lexojnë lajmet online: Oxford University Press ka shpallur Fjalën e Vitit 2025 – “rage bait”!

Sipas analizës së OUP, përdorimi i këtij termi është trefishuar gjatë 12 muajve të fundit. Ai përkufizohet si: “përmbajtje online e krijuar qëllimisht për të nxitur zemërim ose indinjatë nga një situatë provokuese ose fyese për përdoruesit në rrjetet sociale.”

Casper Grathwohl, president i Oxford Languages, tha se ekzistenca e këtij termi tregon se njerëzit po bëhen më të vetëdijshëm për taktikat manipuluese që përdoren për të tërhequr vëmendjen online.

“Dikur interneti synonte të ngjallte kureshtje e klikime, tani përmbajtja po ndikon direkt tek emocionet dhe reagimet tona,” tha Grathwohl.

“Ky është një zhvillim i natyrshëm në një debat të vazhdueshëm mbi atë se çfarë do të thotë të jesh njeri në një botë të drejtuar nga teknologjia dhe ekstremet e kulturës online.”

Ai shpjegoi se, ndërsa fjalën e vitit të kaluar e përshkruante lodhjen mendore nga shfletimi i pafund (brain rot), “rage bait” nxjerr në pah postimet e krijuara qëllimisht për të nxitur zemërim dhe për të gjeneruar klikime.

Këto fenomene krijojnë cikël ku zemërimi nxit angazhim, algoritmet e amplifikojnë atë dhe ekspozimi i vazhdueshëm rraskapit përdoruesit.

Termi “rage bait” ka qenë i pranishëm që nga fillimi i mijëvjeçarit. Ai u përdor për herë të parë online në një postim në Usenet në vitin 2002, për të përshkruar reagimin e një shoferi të irrituar nga një tjetër që ndez dritat për ta lënë të kalojë.

Më pas, termi evoluoi në zhargon interneti, duke përshkruar postime virale dhe kritika ndaj mënyrës se si rrjetet dhe krijuesit e përmbajtjes përcaktojnë çfarë publikohet online. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Rrufeja në Mars: Roveri Perseverance kap për herë të parë shkarkesa elektrike

Published

on

Roveri Perseverance i NASA-s ka regjistruar për herë të parë shkarkesa elektrike në Mars, duke dhënë përgjigje për një pyetje të lashtë: nëse rrufeja ndodh në planetin e kuq dhe askush nuk e dëgjon, a bën tingull?

Gjatë dy viteve marsiane të vëzhgimit, roveri ka kapur 55 ngjarje të shkarkesave elektrike gjatë stuhive të pluhurit dhe vorbullave rrotulluese të pluhurit.

Shtatë prej tyre shoqëroheshin me një sinjal akustik mini-rufeje, një lloj shpërthimi të vogël zëri të krijuar nga ngrohja dhe zgjerimi i ajrit.

Studiuesit përdorën mikrofoni SuperCam të Perseverance për të regjistruar ndërhyrjet elektromagnetike dhe tingujt e shkarkesave, dhe krahasimet me testet në Tokë konfirmuan origjinën e tyre. Shumica e shkarkesave ndodhën gjatë erërave më të forta dhe stuhive të pluhurit.

Edhe pse rrufeja marsiane është shumë më e vogël se ajo tokësore (vetëm deri në 40 mili-xhulë krahasuar me një miliard xhulë në Tokë), zbulimi ka implikime të rëndësishme për dizajnin e teknologjive të ardhshme për eksplorimin e Marsit dhe për studimet astrobiologjike, duke ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë më mirë atmosferën e Marsit dhe ndikimin e fenomeneve elektrike. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Pirunë plastikë në kopsht! Ide e thjeshtë, efekt i madh

Published

on

Kushtet dimërore, përfshirë temperaturat e ulëta, ngricat dhe erën, paraqesin sfida të mëdha për bimët dhe kopshtet.

Për të siguruar mbijetesën, përgatitja e kopshtit me kohë është thelbësore. Edhe llojet më rezistente mund të dëmtohen nga i ftohti, prandaj ekspertët këshillojnë masa të thjeshta, por efektive për mbrojtjen e bimëve.

Një metodë e pazakontë që po fiton popullaritet për kopshtarët amatorë përfshin pirunët plastikë. Vendosja në tokën e kopshtit krijon një barrierë fizike që pengon dëmtuesit, si minjtë, lepujt, ketrat dhe dhelprat, të shkatërrojnë të mbjellat gjatë dimrit, raporton Daily Express.

Sipas Ideal Home, sipërfaqja e mprehtë e krijuar nga pirunët e ngulur në tokë e bën ambientin të pakëndshëm për disa dëmtues, të cilët e shmangin atë zonë. Lucy Bradley, eksperte për kopshte dhe sera në kompaninë Easy Garden Irrigation, shpjegon:

“Dëmtuesit e vegjël, si kërmijtë, pengohen nga sipërfaqja e mprehtë që krijohet nga pirunët. Për efekt maksimal, pirunët duhet të vendosen të dendur, rreth 5 centimetra larg njëri-tjetrit, duke rrethuar veçanërisht bimët e ndjeshme, si fidanët e rinj.”

Ky truk i thjeshtë është një mënyrë efektive për t’i mbajtur bimët të sigurta gjatë muajve të ftohtë dhe për të shmangur dëmtimet e padëshiruara nga vizitorët e papritur të kopshtit. /A.Z/UBT News/

bime

Continue Reading

Të kërkuara