Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
28 nëntor 1992
“The Sunday Times”: SHBA-të të gatshme për luftën ballkanike
Gazeta britanike “The Sunday Times”, nën numrin e djeshëm, shkruan se “për shkak të drojes se lufta ballkanike mund të përfshijë mbarë regjionin, SHBA-të kanë përgatitur planet për dërgimin e njëqind mijë ushtarëve”.
Në rast të një lufte ballkanike, vendet anëtare të NATO-s, shkruan më poshtë kjo gazetë, do të detyroheshin të intervenojnë, duke përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe dhe SHBA-të. Poashtu, do të mund të përzihej edhe Rusia.
28 nëntor 1994
Deri tash u arrestuan rreth 80 ish-punëtorë të SPB të Kosovës
Brenda shtatë ditësh policia serbe arrestoi rreth 80 ish-punëtorë të SPB të Kosovës, bëjnë me dije Komisionet për Informim të LDK-së, KMDLNJ dhe burimet e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Pas arrestimit të Sejfulla Sahatçiut, Shefqet Beqës dhe Remzi Tetricës, ish-punëtorë të SPB-së në Gjakovë, Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë bënë me dije se policia serbe arrestoi edhe tetë ish-punëtorë të tjerë të SPB-së së Kosovës.
Kështu më 23 nëntor, policia serbe bastisi dhe arrestoi Muhamet Nimanin, Xhavit Osmanin dhe Tahir Bezhanin.
Ndërkaq, pardje, policia bastisi dhe arrestoi edhe Bibë Biblekajn, Zenel Ramën, Zekë Bekën, Xhafer Sahatçiun dhe Sali Hakajn, ish-punëtorë të SPB-së në Gjakovë.
Njoftohet se në mungesë të Zekë Bekës, i cili nuk gjendej në shtëpi, policia mori peng vëllain dhe djalin e tij, të cilët u liruan në momentin kur Zekë Beka u paraqit në stacionin e policisë në Gjakovë.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Viti njofton se më 24 nëntor rreth orës 18:00, një ekspeditë e policisë serbe bastisi shtëpinë dhe arrestoi Isuf Zukën, ish-kryeshef i SPB-së në Viti. Isuf Zuka u dërgua menjëherë në stacionin e policisë në Gjilan.
Pardje, policia serbe bastisi dhe arrestoi edhe Mehmet Bajrën, ish-inspektor i SPB-së në Skënderaj.
Më 25 nëntor rreth orës 14:00, në stacionin e autobusëve në Prishtinë, policia arrestoi Ilmi Sylejmanin, ish-punëtor i SPB-së në Prishtinë dhe së bashku me të shkuan dhe bastisën banesën e tij në lagjen “Kodra e Diellit”.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Prizren bën me dije se policia më 22 nëntor arrestoi edhe Astrit Koshin, ish-inspektor i SPB-së në Prizren.
Dje rreth orës 11:00, policia serbe ishte sërish në shtëpinë e Halil Kafexhollit, ish-punëtor i SPB-së nga Bellanica e Malishevës. Meqë Halil Kafexholli nuk gjendej në shtëpi, policia provokoi bashkëshorten e Halilit, Ganimete Kafexhollin.
Dje, policia ishte sërish në shtëpinë e Sylë Krasniqit, ish-punëtor i SPB-së. Policët iu kërcënuan bashkëshortes së Sylë Krasniqit se në mungesë të Sylës do ta arrestojnë atë.
28 nëntor 1995
Tre veprimtarë u dënuan me nga 300 DM për shkak të manifestimit për Ditën e Pavarësisë
Për shkak të manifestimit të mbajtur dje në Malishevë për të kremtuar festën kombëtare qenë arrestuar Cen Desku, nënkryetar i Degës së LDK-së, Ramë Thaçi, drejtor i gjimnazit “Abdzl Frashëri”, Jakup Kastrati, drejtor i shkollës fillore “Migjeni” në Lubizhdë dhe Gani Nalli, zëvendësdrejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në Rahovec.
Këta veprimtarë u nxorrën para gjyqit serb në Rahovec dhe me procedurë të shpejtë u dënuan me burg ose me të holla: me nga 1050 dinarë (me nga rreth 300 DM).
28 nëntor 1996
Ndërhyrje e policisë në lokalet e SHF “Z. Hajdini” në Prishtinë
Sot rreth orës 9.30, dy policë serbë shkuan në lokalet e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë dhe kërkuan nga punëtori teknik Fehmi Rukovci që të heq punimet artistike dhe letrare të nxënësve të kësaj shkolle, të vendosura në koridorin e shkollës, i tha QIK-ut drejtori i kësaj shkolle Ajet Brajshori.
Në koridorin e shkollës ishin të vëna edhe materiale të tjera nga manifestimi me rastin e Ditës së Flamurit që u mbajt dje.
Policët kërcënuan punëtorin teknik dhe thanë se do të vijnë sërish në këtë shkollë të hënën.
Në këtë shkollë që nga prilli i sivjemë janë vendosur masat e dhunshme, ndërsa drejtoreshë e dhunshme është caktuar njëfarë Nada Millosavleviq.
28 nëntor 1997
Si u vra Ismet Gjocaj?
Vrasja e Ismet Gjocajt (35) në Irzniq të Deçanit, përkundër informacioneve të shumta dhe nga burime të ndryshme, vazhdon të mbetet edhe më tutje enigmë.
Ndonëse njoftimet e ditës së djeshme nga burimet e LDK-së, bënin të ditur për të shtëna në afërsi të stacionit të policisë në Irzniq, që kishin ndodhur parmbrëmë rreth mesnatës, flisnin për një polic të vrarë e dy të plagosur, ato nuk bënin fjalë për vrasjen e Ismet Q. Gjocajt nga fshati Gjocaj i Deçanit.
Njoftimi për vrasjen e tij u dha vetëm dje vonë nga mjetet e informacionit në gjuhën serbe. Këto informacione e cilësonin Ismetin si “terrorist” që ishte vrarë në përleshje me policinë.
Edhe më të paqartë rastin e vrasjes së Ismetit e bëjnë njoftimet e shtypit të sotëm serb, që sjell disa versione të ngjarjes.
Mirëpo, sido që të jetë, një fakt është i sigurt: Ismet Gjocaj në kohën kur ndodhën të shtënat në stacionin e policisë në Irzniq, ndodhej në duart e policisë, në lokalet e stacionit të policisë në Deçan.
Të dhënat nga Nënkëshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe KI i Degës së LDK-së në Deçan, të bazuara në një deklaratë të të ndjerit, të dhënë më 25 nëntor, sqarojnë në masë të madhe rrethanat që i paraprijnë rastit, ndonëse as ato nuk mund të japin me saktësi të dhëna për rrethanat në të cilat u vra ai.
Më 25 nëntor, kur sipas thirrjes duhej të paraqitej në stacionin e policisë në Deçan, Ismet Gjocaj i dha një deklaratë NKMDLNj në Deçan në të cilën njoftonte për rastin që i kishte ndodhur atij dhe një punëtori të tij më 21 nëntor, në vendin e quajtur Zhare, në afërsi të fshatit Gjocaj, kur policia u përpoq të inskenojë gjoja zënien e bandave të veprojnë përgjatë brezit kufitar. Në këtë vend, derisa po ktheheshin nga mali, ku kishin marrë dru për djegie, patrulla e policisë i ndaloi Ismet Qaush Gjocajn nga fshati Gjocaj dhe punëtorin e tij Fatmir Gashin, nga komuna e Malishevës. Policët e lidhën Fatmirin për traktori, ndërsa Ismetin e urdhëruan që të ecë rrugës në drejtim të kufirit me Shqipërinë, përkatësisht kinse gjurmëve të bandave të cilat sipas tyre paskan ikur në atë drejtim.
Pasi Ismeti dhe dy policët që e shoqëronin ecën nja 30 metra, udhëheqësi i policisë Vukmir Mirçiq, iu dha urdhër policëve që të kthehen në drejtim të tij. Në atë pozitë, në kohën që dy policët e mbanin Ismetin për krahësh dhe drejt tij kishin kthyer automatikët, ky kryepolic i fotografoi disa herë.
Më pastaj në deklaratë Ismeti theksonte se kryepolici Mirçiq, pos tjerash, e kishte pyetur a e njeh njëfarë Shaban Koliqin nga Shqipëria. Pasi Ismeti u përgjigj se nuk e njohte ai iu drejtua me fjalët: “A e di se ne i kemi njerëzit tanë atje (Shqipëri) dhe do t’i urdhërojmë që t’ju likuidojnë”.
Pas këtij rasti policia bastisi shtëpinë e Ismetit në fshatin Gjocaj, me pretekst se kinse në familjen time po u fshehkan njerëz nga Shqipëria dhe kërkuan armë.
“Pas gjithë kësaj, policia së bashku me vëllaun tim, Avniun dhe me Fatmir e Feriz Gashin na dërguan në stacionin e policisë në Junik, ku na mbajtën gjysëm ore dhe më urdhëruan që më 25 nëntor të paraqitem në stacionin e policisë në Deçan”, thuhet pos tjerash në deklaratën që Ismet Gjocajt e dha më 25 nëntor. Menjëherë pas dhënies së kësaj deklarate, Ismeti shkoi për t’u paraqitur në polici, ku u mbajt në arrest.
Të nesërmen (26 nëntor), rreth orës 6. 45, policia përsëri bastisi shtëpinë e Ismetit. Me këtë rast u arrestua vëllai i tij Avniu dhe Fatmir e Feriz Gashi nga Vërmica e Malishevës. Ata u dërguan në stacionin e policisë në Deçan ku u mbajtën deri në orën 24. 00, kur u liruan.
Sipas disa të dhënave, Ismet Gjocajn qytetarët e kanë vërejtur duke kërcyer nga kati i dytë nga dritaret e stacionit të policisë në Deçan në oborrin e këtij stacioni ku supozohet se e ka thyer njërën këmbë. Policia e ka zënë në oborrin e këtij stacioni e pastaj e ka futur në lokalet e këtij organi dhe prej atëherë nuk është vërejtur më, kures familja e tij nuk ka ditur për fatin e tij.
Të theksojmë edhe një herë në fund se rrethanat e vrasjes së Ismet Gjocajt nuk dihen. Por, një gjë është e sigurt: Ismet Gjocaj nuk u lirua fare nga policia që nga 25 nëntori. Dëshmitarë okularë theksojnë se të mërkurën, rreth orës 23, vetëm gjysmë ore para sulmit në Irzniq, Ismeti është parë në korridorin e stacionit të policisë në Deçan.
Ndërkohë, në një deklaratë dhënë KI të Degës së LDK-së në Malishevë, vëllezërit Fatmir (22) e Feriz (19) J. Gashi nga Vërmica e Malishevës, të cilët u arrestuan pardje në mëngjes në shtëpinë e Ismet Gjocajt në Gjocaj, ku punonin si punëtorë krahu, theksojnë se pasi janë arrestuar janë dërguar në stacionin e policisë në Deçan, ku janë pyetur cilës “organizatë terroriste” i takojnë, si e njohin dhe pse punojnë te Ismet Gjocaj etj.
Ndërkohë Fatmirit, policia i ka vënë në kokë një kapelë me shqiponjë, i ka dhënë një pushkë automatike dhe e ka fotografuar dy herë: një herë duke ia drejtuar automatikun një inspektori të sigurimit serb!
Vëllezërit Gashi në polici janë mbajtur dhe janë rrahur deri rreth orës 24. 00. Ata thanë se në polici ishte edhe vëllai i Ismetit, Avniu, i cili gjithashtu u keqtrajtua rëndë.
Fatmir e Feriz Gashi deklaruan se janë torturuar rëndë fizikisht edhe pasi janë liruar nga lokalet e policisë, madje edhe gjatë rrugës deri në qendër të Deçanit.