Lajmet

​Dëshmitari thotë se Salih Mustafën e ka takuar në javët e para të prillit në fshatin Butovc

Ai ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë i interesuar për strehimin dhe sigurimin e ndihmave të nevojshme për civilët.

Published

on

Gani Sopi është dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Salih Mustafës, i cili po dëgjohet nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Aty Sopi ka folur për periudhën e parë të vitit 1999 dhe takimet me Salih Mustafën, çka sipas tij, ata janë takuar në fshatin Butovc në javët e para të muajit prill. Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë i interesuar për strehimin dhe sigurimin e ndihmave të nevojshme për civilët.

Sopi ka thënë se në fund të marsit të vitit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, bashkë me civilët janë larguar nga Prishtina për në fshatin Butovc, ku ka theksuar se është edhe vendlindja e tij.

“Kujtimet janë të vështira, koha dhe rrethanat kanë qenë shumë të vështira, ishte një represale shumë e madhe në qytet, por jo vetëm në pjesën e qytetit tim por edhe në pjesë të tjera të qytetit, policia dhe paramilitarët serb bënin një dhunë të paparë dhe nuk kishte rrugë tjetër përveç të organizojmë në ndonjë mënyrë popullin dhe atë pjesën që ishte faktikisht kah jetonim edhe ne, me të gjithë shokët dhe bashkëveprimtarët e mi dhe t’i orientojmë nga Butovci për shkak se atje edhe ishte vendlindja ime dhe mënonim që ndoshta do të ishte një siguri pak më e madhe”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se në strehimin e civilëve në fshatin Butovc ka kontribuar edhe Salih Mustafa.

“Gjatë asaj kohe që kemi pasur strehimin, vendosjen, shumë ka kontribuar edhe Salih Mustafa, me të cilin shpeshherë jam takuar dhe kemi biseduar dhe më ka thënë që vërtetë të ndihmohet popullata, të u bëhet strehimi, të u sigurohet ushqimi, të u sigurohen barnat”, ka thënë Sopi.

Me Salih Mustafën ai ka thënë se është njohur që prej daljes së Mustafës nga burgu dhe sipas tij kjo ka ndodhur përmes vëllait të tij, Mustafë Sopit i cili kishte qenë profesor i Salih Mustafës.

Gani Sopi ka thënë se ka qëndruar në Butovc deri më 13 qershor të atij viti ndërsa ka theksuar se ai i ka raportuar vëllait të tij, Mustafë Sopit.

“Muaji prill është bukur i rëndë për mua personalisht, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe gjithë atë zonë që ka qenë e Gollakut. Është e vërtetë që e kam takuar në fillim të prillit në javët e para të prillit Salih Mustafën në Butovc. Arsyeja ka qenë se ka qenë Bajram, e para, e dyta, ka qenë ky shumë i lidhur me vëllain, profesorin e vet, dhe ka ardhur me vizitu në Butovc por gjithashtu ka ardhur me pa edhe popullatën e cila ishte e shumtë në Butovc dhe për me pa se si janë vendosur, si janë organizuar, si janë strehuar, si po grumbullohet ushqimi e shumë çështje të tjera”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se me Mustafë Sopin e Salih Mustafën kanë dalë disa herë në pika vëzhguese meqë sipas tij ushtria e policia serbe ishin të pozicionuar jo larg vendndodhjes së tyre në fshatin Butovc.

“Datat mund të jenë lëvizëse për shkak të rrethanave dhe kohës shumë të largët, 23 vjet, e di që ka qenë java e parë dhe java e dytë e muajit prill. Ne jemi takuar, kemi biseduar por ky ka qenë kryesisht kontakt edhe me profën për shkak se në ato rrethana e në atë kohë e kishim më përgjegjës, dhe koordinimin e punëve më shumë e ka pasur profesor Mustafë Sopi, vëllai im tash i ndjerë, i cili i ka koordinuar dhe i ka pasur ato detyrat e specifikat, por kam qëndruar edhe unë dhe kemi biseduar rreth situatës e cila ka qenë edhe brenda me popullatën civile”, ka thënë ai.

Sopi ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë në Butovc me rroba civile duke theksuar një xhaketë ngjyrë të gjelbër. Ai ka thënë se Salih Mustafa kishte qëndruar në shtëpinë e Mustafë Sopit.

Sopi i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafa është mik e bashkëluftëtar i tij dhe ka shtuar se me të ka edhe lidhje familjare meqë mbesa e tij është bashkëshortja e Mustafës.

Sopi ka bërë të ditur se aktivitetin politik e ka filluar në vitet e ’90-a si një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se në LDK ka qenë anëtar kryesie ndërsa në periudhën e luftës e ka udhëhequr edhe komisionin e informimit ku ka pasur struktura, të cilat i kanë dhënë informata.

Ndërsa ka bërë të ditur se ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në janar të vitit 1998.

Gjatë dëshmisë së tij Gani Sopi ndër të tjera ka thënë se më 24 mars të vitit 1999 është plagosur në Prishtinë por nuk ka dashur të flas më shumë për këtë ngjarje.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

​Lëndohet rëndë ylli i Real Madridit

Published

on

Eder Militao ka pësuar një dëmtim të rëndë muskulor në këmbën e majtë dhe do të mungojë për disa muaj.

Pas testeve mjekësore, u konfirmua se dëmtimi preku tendinën e pjesës së sipërme të bicepsit femoral, çka e bën rikuperimin edhe më të ngadaltë.

Klubi nuk ka dhënë një datë të saktë kthimi, por zakonisht dëmtime të tilla kërkojnë tre deri në katër muaj rehabilitim.

Mbrojtësi u largua nga fusha në ndeshjen kundër Celta Vigos me fytyrë të shqetësuar, dhe stafi mjekësor e ndihmoi të dilte menjëherë. Problemet e Real Madridit në mbrojtje tani janë edhe më të mëdha, pasi Xabi Alonso ka të dëmtuar edhe Alexander-Arnold, Carvajal, Huijsen, Mendy dhe Alaba.

Për ndeshjen e radhës në La Liga kundër Alavesit, trajneri do ta ketë ekipin edhe më të cunguar. Carreras dhe Fran Garcia janë të pezulluar pas kartonëve të kuq, ndaj të vetmit mbrojtës të gatshëm pritet të jenë Antonio Rudiger dhe Raul Asensio.

Situata e lë Real Madridin në një nga momentet më të vështira të sezonit./S.K/KP/TheAthletic/

Continue Reading

Lajmet

​Vdes ish-futbollisti belg Boeck

Published

on

Glen De Boeck, ish-mbrojtësi i njohur belg dhe kapiten i Anderlechtit, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare pasi pësoi një hemorragji të rëndë në tru që e la në koma për tre ditë, dhe pavarësisht ndërhyrjeve të mjekëve, nuk mundi të shpëtonte.

De Boeck u rrëzua në shtëpinë e tij të premten dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Universitar të Antwerpit, ku ndërroi jetë i rrethuar nga familjarët.

Ai lë pas dy vajzat e tij, Bo dhe Caro.

Karriera e De Boeck filloi te FC Boom, për të vazhduar te KV Mechelen dhe më pas te Anderlecht, ku mbajti shiritin e kapitenit dhe fitoi tre tituj të kampionatit. Ai u vlerësua si një nga mbrojtësit më të fortë belgë të brezit të tij dhe luajti 36 ndeshje me ekipin kombëtar të Belgjikës.

Lëndimet e rënda në gju e detyruan të tërhiqej nga futbolli në vitin 2005.

Pas pensionimit, ai u angazhua si trajner, duke punuar në disa klube belgë dhe holandeze. Vdekja e tij vjen pas një viti të vështirë për familjen, pasi edhe babai i tij ndërroi jetë më herët gjatë 2025-ës. Futbolli belg ka humbur një prej figurave të tij më të respektuara./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Rejhan Halili emërohet zëvendëskryetare e komisionit “Gratë në Sport” në ICMG

Published

on

Udhëheqësja për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Rejhan Halili, është emëruar zëvendëskryetare e komisionit “Gratë në Sport” në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Vendimi unanim është marrë në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të ICMG, të mbajtur javën e kaluar në Portimao të Portugalisë.

Përvoja e saj e gjatë dhe ekspertiza si udhëheqëse e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në KOK, anëtare e komisionit “ENGSO – Barazia në Sport” dhe shefe e misionit në disa edicione të Lojërave Mesdhetare dhe Lojërave Mesdhetare në Rërë, e bëjnë kontributin e saj në punën e komisionit “Gratë në Sport” jashtëzakonisht të vlefshëm.

Pikërisht mbledhja e radhës e këtij komisioni do të mbahet në Prishtinë, në fillim të vitit të ardhshëm./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Rrahmani: Fitorja ndaj Juventusit shumë e rëndësishme

Published

on

Napoli arriti një fitore të rëndësishme ndaj Juventusit në stadiumin “Maradona”, dhe mbrojtësi Amir Rrahmani e vlerësoi këtë sukses pas ndeshjes.

“Çdo fitore është gjithmonë e rëndësishme. Nuk kemi qenë kurrë në telashe. Ata që luajnë tani po luajnë mirë. Sot luajtëm kundër një ekipi të shkëlqyer që lufton për gjysmën e sipërme të tabelës, kështu që fitorja është edhe më e rëndësishme,” tha Rrahmani.

Ai theksoi se tani vëmendja është te sfida e Ligës së Kampionëve në Lisbonë.

“Tani duhet ta shijojmë këtë fitore, sepse luftuam, por e merituam. Pastaj do të mendojmë për Ligën e Kampionëve, po luajmë jashtë fushe dhe kjo është gjithmonë e vështirë.”, tha ai.

Rrahmani nuk la pa përmendur edhe trajnerin Luciano Spalletti.

“Nuk jemi takuar, por ai është ende një nga trajnerët më të mirë që kam pasur. Të gjithë e dimë se është një njeri i shkëlqyer.”/S.K/KP/

 

Continue Reading

Të kërkuara