Lajmet

​Dëshmitari në gjykimin ndaj Mustafës: Mosparaqitja para drejtësisë e personave që kryen krime më ka shkaktuar stres

Ai ka thënë se është rrahur nga disa pjesëtarë të UÇK-së në Zllashë.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa. Derisa u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se vazhdon të ketë stres, nervozë e lodhje si pasojë e asaj që thotë të ketë përjetuar në një qendër ndalimi në Zllashë.

Dëshmitari që mban kodin W04669, i cili ka thënë se është rrahur nga disa pjesëtarë të UÇK-së në Zllashë, pretendon se nga të njëjtit persona janë kryer krime të mëdha.

“Të unë ka shkaktuar stres, nervozë, lodhje nga energjia për t’u marrë me atë çështje, dhe po ashtu mos paraqitja para drejtësisë që 22 vite të personave për krime të ndryshme të të njëjtit lloj edhe më të mëdha që kanë ndodh, se i imi është i vogël në krahasim me ato çka kam parë unë si dëshmitar, në rastin konkret që e theksuam më herët dhe raste tjera që po shihen që janë të ditura për publikun”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Avokatja e viktimave, Anni Pues e ka pyetur dëshmitarin se si ndjehet pasi ishte “i arrestuari i UÇK”, ndërsa ai ka thënë se ishte nën arrest nga një grup njerëzish duke shtuar që trajtimi ndaj tij ka qenë i padrejtë dhe i palogjikshëm.

“Në aspektin e përgjithshëm unë isha arrest nga disa persona atje që çdo vend mund të ketë personi të mirë e të keq dhe në momentin kur unë jam ndaluar atje më është dukur e palogjikshme për shkak që nuk e ndjeja të fajshëm për asgjë. Në momentin kur kam parë aty viktimën ne kemi ndjerë një lloj frike të madhe për shkak se ne nuk e dinim realitetin pse po ndodh ashtu, ne nuk ishim të armatosur asnjeri prej neve, ata ishin të armatosur, nuk më ka shkuar mendja ndonjëherë t’i kundërvihem atyre, vetëm të lëmë fatin tonë në duar të tyre”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Sipas dëshmitarit, me personat për të cilët thotë se e kanë mbajtur në qendër ndalimi, kanë pasur probleme edhe disa kolegë të tij por jo të tilla si arrestimi.

Gjatë dëshmisë së tij, W04669 ka thënë se ndalimi i tij ka qenë jo i ligjshëm dhe jo njerëzor.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtëses së viktimave, dëshmitari po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës së Salih Mustafës, Julius Von Bone.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Vendi

Kuvendi ratifikon me 81 vota marrëveshjen me Suedinë për transferimin e të dënuarve

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se marrëveshje të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin evropian dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo sqaroi se, meqë marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ratifikimi i saj nga Kuvendi është i domosdoshëm në bazë të nenit 18 të Kushtetutës.
Përkrahje për këtë marrëveshje ndërkombëtare kanë dhënë edhe grupet parlamentare opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke mundësuar kalimin e saj me konsensus të plotë në seancën plenare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

lajme

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Probleme globale me Microsoft: Pa qasje në Outlook edhe në Kosovë

Published

on

By

Si pasojë e problemeve të mëdha teknike që kanë prekur shërbimet e Microsoft në nivel global, edhe në Kosovë nuk ka qasje në platformën e postës elektronike Outlook.

Ndërprerja ka pamundësuar hapjen e emaileve dhe ka shkaktuar vështirësi në komunikimet zyrtare dhe punën e përditshme, njëjtë sikurse në shumë vende të tjera të botës.

Ekipet teknike të kompanisë janë duke punuar për identifikimin dhe rregullimin e defektit, ndërsa ende nuk ka një afat të saktë se kur do të rikthehet funksionaliteti i plotë i shërbimeve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara