Lajmet

​Dëshmitari i tetë në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë po dëgjohet në seancë të mbyllur

Pyetjet e para nga prokuroria janë zhvilluar në seancë private.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa. Atje po dëgjohet dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe pjesa më e madhe e seancës po vijon e mbyllur për publikun. Ndërsa në seancë të hapur dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një trupi, derisa sipas tij, në të njëjtin varr ndodhej edhe një trup i një personi tjetër.

Pyetjet e para nga prokuroria janë zhvilluar në seancë private, meqë sipas prokurores Silvia D’Ascoli, pyetjet lidhën me hollësi identifikuese.

Ndërsa në pjesën e dytë të seancës, një pjesë e shkurtë është zhvilluar e hapur për publikun dhe dëshmitari ka thënë se personi, që sipas tij e kanë zhvarrosur, ka qenë me gjymtyrë të thyera.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Ti the se ti dhe të tjerët e zhvarrosët trupin, që trupi ishte i mbështjellur me një batanije. A mund të përshkruash se çfarë tjetër pat në trupin?

Dëshmitari: Kur e kemi çelë prej batanijes, qebes, e kemi vërejtur që i ka këmbët e thyera, duart e thyera tre plumba prapa shpinës.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A na thua dot se si e vutë re ju që i kishte duart dhe këmbët e thyera?

Dëshmitari: U dokshin, u dokshin të thyera në lëvizje, kur e kemi kap u dokshin këmbët dhe duart që i ka të thyera.

Dëshmitari: Edhe plumbat prapa shpinës i kemi pa birat që i ka pasur të plumbave… Trupin e kena zhvarrosë, e kena shti në arkivol.

Tutje, prokurorja e ka pyetur dëshmitarin për gjendjen në të cilën e kanë lënë varrin prej të cilit ai pretendon të kenë zhvarrosur një person, por përgjigja e tij ka vijuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

Dëshmitari ka thënë se në atë vend janë kthyer për herën e dytë dhe në të njëjtin varr ka qenë edhe një trup i një personi tjetër të cilin sipas tij nuk e kanë identifikuar sa i përket gjinisë. Ai ka thënë se edhe personi tjetër ka qenë i mbuluar me një batanije.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e prokurorisë, dëshmitari po përgjigjet në pyetjet e avokates së viktimave pjesë kjo që po zhvillohen në seancë private.

Dëshmitari po përgjigjet nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilit nuk behët i ditur për publikun dhe i njëjti mban kodin Ë04391.

I akuzuari, Salih Mustafa po merr pjesë në seancën gjyqësore ndaj tij përmes video-lidhjes.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre shtatë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

Kurti: LDK-ja i hodhi poshtë të gjitha propozimet tona për marrëveshje

Published

on

By

Gjatë fjalimit të tij në seancën parlamentare që po diskutohet çështja e presidentit, kryeministri Albin Kurti ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai deklaroi se ky subjekt ka treguar mospërfillje ndaj ofertave të shumta për arritjen e një dakordimi politik.

Në sallën ku mungon opozita për shkak të bojkotit, Kurti theksoi se partitë opozitare po përdorin bllokada institucionale me synimin e vetëm për të dëmtuar fituesin e zgjedhjeve të fundit. Sipas tij, kompromisi duhet të jetë parimor dhe jo një mjet për përfitime personale të individëve.

“Marrëveshje politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale. Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike”, u shpreh Kurti.

Kreu i qeverisë shtoi se çdo marrëveshje duhet të pasqyrojë fuqinë që partitë kanë marrë nga votat e qytetarëve. Ai u shpreh i habitur me faktin që opozita nuk ka propozuar asnjë emër konkret për postin e presidentit, përkundër kërkesave të tij.

“Nuk mund të gjeni askund në Evropë e as në botë që ka një subjekt që ju thotë partive sillni tre emra dhe ne ju votojmë. Nëpër takime unë kam përmendur edhe emra të këtyre partive opozitare, por ata nuk përmendën kurrë asnjë emër, pse e bënë këtë nuk e dimë”, deklaroi kryeministri.

Kurti zbuloi gjithashtu se i kanë ofruar LDK-së një partneritet të gjerë qeverisës, duke i propozuar poste ministrore me peshë të madhe, madje dyfish më shumë sesa partnerit tjetër të koalicionit, Listës Guxo, por që këto propozime nuk janë pranuar.

Haxhiu: Bojkoti i opozitës po e bllokon qëllimisht procesin kushtetues

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se vendimi i partive opozitare për të mos marrë pjesë në seancën për presidentin po e çon vendin drejt një ngërçi të dëmshëm.

Sipas saj, ky veprim jo vetëm që pengon procedurat ligjore, por edhe “e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme”.

Haxhiu sqaroi se pas dështimit të seancës së 5 marsit për shkak të mungesës së kuorumit, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime, ku mori përgjigje se detyrimi i deputetëve për pjesëmarrje në votim është tashmë i qartë.

“Përgjigja ishte e qartë, kjo çështje është vendosur njëherë. Nuk ka hapësirë për shmangie nga ky detyrim”, u shpreh Haxhiu.

Ajo rikujtoi se prezenca në sallë nuk është çështje dëshire, por një obligim zyrtar që buron nga mandati i deputetit.

“Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç kur kanë marrë leje paraprake”, nënvizoi kryeparlamentarja.

Në përmbyllje, Haxhiu shtoi se ndonëse nuk synon t’i detyrojë subjektet opozitare të ndryshojnë bindjet e tyre politike, mbetet kërkesë e qytetarëve që të zgjedhurit e popullit të përmbushin detyrën e tyre dhe të mundësojnë zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Opozita refuzon të marrë pjesë në seancën për diskutimin e presidentit

Deri sa po pritet të fillojë seanca e thirrur në Kuvendin e Kosovës për diskutimin e zgjedhjes së presidentit, partitë opozitare kanë zgjedhur të mos marrin pjesë, duke e konsideruar këtë thirrje si joserioze dhe spektakël politik.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi shkurtimisht se partia e tij nuk do të jetë pjesë e këtij procesi:“Nuk marrim pjesë në seancë. Kjo është show propagandues i VV-së.”

Nga AAK-ja, Besnik Tahiri akuzoi kryeministrin se po e shndërron Kuvendin në arenë për debate të brendshme partiake

“Kurti në vend se të flasë në organe të partisë, do që platformën e Kuvendit ta kthejë në diskutim të brendshëm”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të qartë se pa marrëveshje paraprake nuk ka lëvizje nga qëndrimet e tyre.

“Kemi thënë që fillimisht të ketë marrëveshje mbi parime të caktuara dhe pastaj të vijmë e t’i propozojmë emrat”, tha Hamza.

Me bojkotin e shpallur nga tri partitë kryesore opozitare, mbajtja e seancës mbetet në pikëpyetje, pasi pa prezencën e 80 deputetëve rrezikohet dështimi i procesit vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues.

Foto: REL

Continue Reading

Lajmet

Dështon shmangia e procedurave për ligjin e energjisë: Përplasje mes pozitës dhe opozitës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë shmangen e afateve procedurale për Projektligjin për Energjinë Elektrike, pasi propozimi mori vetëm 63 vota për, përballë 45 votave kundër të opozitës.

Opozita e cilësoi këtë nxitim si të dëmshëm dhe me prapavijë politike. Ferat Shala nga PDK-ja kritikoi mungesën e dëgjimeve publike, ndërsa Janina Ymeri nga LDK-ja u shpreh se votojn kudër pasi ky ligj prek sigurinë energjetike dhe atë kombëtare në raport me KOSTT-in.

“Votojmë kundër shmangies sepse ligji prek sigurinë energjetike dhe atë kombëtare në raport me KOSTT-in. Nuk mbështesim shmangien nga procedura e rregullt”, u shpreh Ymeri.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri nga AAK-ja theksoi se vendosja në agjendë përmes shmangies është vetëm humbje kohe në prag të përfundimit të mandatit. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të reformave.

“Ky është vendim politik. Po i humbni shtetit 9 milionë euro dhe po pengoni integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian”, sipas Tahirit.

Përveç këtij ligji, Kuvendi nuk miratoi as shmangien e afateve për Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

 

Continue Reading

Lajmet

FSK rrit gatishmërinë për ndërhyrje emergjente në male

Published

on

By

Në Qendrën Nacionale të Trajnimit për Kërkim Shpëtimit ka përfunduar Trajnimi Bazik i Kërkim-Shpëtimit Malor.

Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit përfituan njohuri dhe aftësi të specializuara në fushën e operacioneve malore, duke përfshirë: orientimin në terren malor, teknikat bazike të alpinizmit, përdorimin e pajisjeve teknike, menaxhimin e situatave emergjente, kërkim-shpëtimin në terrene të vështira, si dhe ofrimin e ndihmës së parë në kushte malore.

Trajnimi u zhvillua në përputhje me standardet profesionale dhe synon rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së për reagim efikas në operacione kërkim-shpëtimi dhe emergjenca në mjedise malore në Mbështetje Ushtarake Autoriteteve Civile.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës forcon bashkëpunimin me Bibliotekën Kombëtare të Belgjikës

Published

on

Një takim i rëndësishëm bashkëpunimi është zhvilluar mes drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Belgjikës, Sara Lammens.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe Kimete Mitrovica Basha nga fondacioni “Ydriz Basha” i Novosejt. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e bibliotekarisë dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të vizitës, stafi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës pati mundësinë të njihet nga afër me ambientet e bibliotekës në Belgjikë, përfshirë koleksionet e veçanta, dorëshkrimet dhe librat e rrallë. Ata gjithashtu u njohën me proceset moderne të digjitalizimit dhe praktikat bashkëkohore të menaxhimit të materialeve bibliotekare.

Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe avancim profesional, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja institucionale.

Continue Reading

Të kërkuara