Lajmet

​Deputetja e PDK-së: Kryeministri Kurti po bën luftë gjahu ndaj sindikatave

Ajo i bëri thirrje kreut të qeverisë t’i trajtojë kërkesat sindikatave.

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar akuza ndaj kryeministrit, Albin Kurti se po bën luftë gjahu me sindikatat e pavarura. Në seancën plenare, deputetja Eliza Hoxha tha se paaftësia e Qeverisë Kurti për t’i dalë në ballë premtimeve që vet i kanë bërë ndaj sindikatave, po i konvertojnë në shantazh dhe kërcënim direkt ndaj tyre.

Ajo i bëri thirrje kreut të qeverisë t’i trajtojë kërkesat sindikatave, pasi për zbatimin e tyre është angazhuar gjatë sa ka qenë në opozitë.

“Sot zotëri Kurti nuk i pret më as për dialog, as për zotim dhe as për obligim. Në fakt me sindikatat po sjell diçka të re dhe të paprecedent në demokracinë tonë, që është shantazhi, kërcënimi direkt, antiligjor dhe anti kushtetues ndaj tyre. Më duhet të them se është një pamje jo e mirë për demokracinë tonë. Deklarata e kryeministrit se duhet të ishte më mirë ndryshime edhe në përfaqësimet e sindikatave vjen në një kohë kur sindikatat kërkojnë dialog për kërkesat e tyre. Mbase mund të kuptoj se organizimi dhe përfaqësimi sindikal në Kosovë edhe mund të ndryshojë, por kjo është një çështje tjetër dhe një debat i brendshëm i sindikatave. Ajo çfarë deklaron kryeministri, përveç që është ndërhyrje sipas ligjit është edhe degradim i nivelit dhe punëtorëve të cilët sot apo nesër duan t’i kërkojnë të drejtat e tyre përballë qeverisë. Është e papranueshme që paaftësia e kësaj qeverie për t’i dalë në ballë premtimeve që vet i ka dhënë ndaj sindikatave të konvertohet sot në gjah kundër tyre”, tha ajo.

Në seancën e sotme do të diskutohet për pagat në sektorin publik.

Aktualitet

KDI: Po shkelet Kushtetuta, konstituimi i Kuvendit rrezikon të hyjë në fazë të re të bllokadës

Published

on

Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, tha se procesi i konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar për shkak të mosvotimit të kandidaturës së propozuar nga Lista Serbe për pozitën e nënkryetarit dhe se në këtë proces janë bërë shkelje procedurale dhe kushtetuese.

Ai paralajmëroi se situata mund të prodhojë bllokadë të re politike dhe të çojë çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se shkelja e parë ka të bëjë me mosrespektimin e nenit 67, paragrafi 4 i Kushtetutës, sipas të cilit fillimisht e drejta e propozimit duhet t’i jepet partisë që përfaqëson komunitetin serb.

“Konstituimi i Kuvendit ende nuk ka përfunduar për faktin që ka mbetur peng votimi për çështjen e nënkryetarit të propozuar nga subjekti politik që përfaqëson komunitetin serb, Lista Serbe. Edhe pse katër herë radhazi ai u propozua nga partia Lista Serbe, megjithatë deputetët e Kuvendit të Kosovës hezituan që ta votonin dhe hezituan ta zgjedhin një nënkryetar të propozuar nga ky subjekt politik. Personalisht vazhdoj të kem bindjen që janë kryer disa shkelje procedurale e kushtetuese ditën e djeshme me rastin e procedurës së propozimit dhe votimit të kandidatëve për anëtarë të kryesisë nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Shkelja e parë, mendoj që kryetari i Kuvendit do të duhej që sipas radhitjes, siç përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës, fillimisht t’i jepet e drejta e propozimit të partisë që përfaqëson së pari komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe më pas kandidatura e dytë të vijë nga partitë e komuniteteve të tjera që janë jo shumicë”, tha ai.

Bugaqku shtoi se procedura e votimit është devijuar nga praktika dhe është zëvendësuar me short, duke krijuar hapësirë për manipulim.

Ai tha se domosdo do të duhej që të lejohej që procedura për propozimin e nënkryetarit nga Lista Serbe të aplikohej dhe rrjedhimisht t’i nënshtrohej procedurës së votimit.

 

Continue Reading

Aktualitet

Presidentja Osmani kujton heroin Ismet Rrahmani

Published

on

Në 27 vjetorin e rënies, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kujtuar heroin Ismet Rrahmanin.

Në njoftimin e Presidencës në Facebook, thuhet se ai ishte një veprimtar arsimi i devotshëm dhe më pas veprimtar i shquar në luftën për çlirim.

“Idealet që e drejtuan heroin Ismet Rrahmani nuk shuhen, ngase çdo veprim i tij është kujtesë se liria dhe arsimi janë vlera të shenjta që duhet ruajtur.

Duke kujtuar jetën dhe veprën e tij, ruajmë trashëgiminë dhe frymëzojmë brezat e ardhshëm.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ismet Rrahmani”, shkruhet në postim.

Continue Reading

Aktualitet

Liburn Aliu jep dorëheqje shkaku i Dimal Bashës

Published

on

Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Aliu me anë të një shkrimi në Facebook ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar të Kuvendit.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësitë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka shkruar Aliu.

Aliu është parë më i tërhequr në paraqitje publike përgjatë fushatës zgjedhore. Ai s’ka qenë as në listën e kandidatëve për deputetë.

Continue Reading

Aktualitet

LVV ankohet në Supreme kundër urdhrit të PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe

Published

on

Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

PZAP-ja e urdhëroi javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi ishin të vetmit që votuan kundër certifikimit të kësaj partie e që i kërkuan Gjykatës Supreme ta rrëzojë vendimin e PZAP-së.

Ky rast është pothuajse një përsëritje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kishte kundërshtuar deri në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.

Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

 

Continue Reading

Të kërkuara