Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
21 shtator 1993
U bastisën 11 familje në Viti
Gjatë tre ditëve të kaluara në komunën e Vitisë, policia serbo-malazeze bastisi 11 familje shqiptare. Në fshatin Smirë u bastisën dy djemtë e Mehmet Azemit, nga të cilët u morën një revole dhe një pushkë automatike, ndërkaq në Ramnishtë, pas bastisjes së familjes së Bilall Bilallit policia me vete mori dy djemtë e tij, Abdullahun e Isain. Abdullahu u lirua e Isahu ende mbahet në polici. Në Viti policia bastisi familjet e Sherif Tafës dhe Elmi Dinaricës, në Potorc atë të Feriz Avdiut dhe familjen Jusufi, në Lubizhdë u bastis familja e Bajram Bilallit, në Mogillë ajo e Feti Hetemit dhe në Goshicë ajo e Emin Eminit.
21 shtator 1994
Vazhdon represioni policor serb kundër shkollës shqipe
Që nga fillimi i vitit shkollor, represioni i policisë serbe po shkallëzohet nga dita në ditë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Dje, në stacionin e policisë në Istog, policia serbe i keqtrajtoi disa profesorë të shkollës së mesme “Haxhi Zeka” në Gjurakoc, si Sylë, Shaban e Ali Shatrin, Bashkim Hysenajn dhe Nasir, Isa e Sadik R.Kabashin njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Istog.
Njoftohet se profesorët e lartëshënuar janë keqtrajtuar fizikisht nga ana e policisë serbe, si dhe janë kërcënuar që të mos mbajnë mësim.
Gjatë ditës së djeshme në polici u mor edhe Idriz A.Bajramaj, pronar i një shtëpie-shkollë.
Bëhet me dije se dje policia mori edhe Naser Osmanajn, drejtor i shkollës fillore “Martin Camaj”. Në polici është marrë edhe Gjokë Gegaj, arsimtar i lëndës së historisë në këtë shkollë.
Dy personat e lartëshënuar, policia i urdhëroi që të paraqiten sërish në stacionin e policisë.
Ndërkaq, Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Viti njofton se dje, pas thirrjes që e mori një ditë më parë, u paraqit dhe u mor në pyetje në stacionin e policisë në Viti, Muhamet Osmani, drejtor i shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” në fshatin Smirë të Vitisë.
Inspektorët serbë nga Muhamet Osmani kërkuan që t’i mbyll dyert e shkollës dhe aty të mos mbahet mësim. Inspektorët serbë nga Muhamet Osmani kërkuan që t’i dorëzojë edhe vulat e shkollës, si dhe u pyet rreth Këshillit për Financim.
Muhamet Osmani u lirua me kusht që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Viti.
Dje në pyetje është marrë edhe Ramush Misini, drejtor i shkollës fillore “Ndre Mjedja” në Kabash të Vitisë.
Njoftohet se Ramush Misini ende po mbahet në polici.
21 shtator 1995
Në Prizren 38 shqiptarë u dënuan prej 1 deri 6 e gjysmë vjet burg
Gjykata e instaluar serbe në Prizren, shpalli sot aktgjykimin e procesit të montuar gjyqësor kundër 44 ish-policëve, kryetarit të Partisë Popullore Turke dhe funksionarëve tjerë lokalë, sipas të cilit, 38 të akuzuar u dënuan me nga disa vjet burg.
Të akuzuarit u dënuan me burg në kohëzgjatje prej 1 deri në 6 vjet e gjysmë.
Kështu, Xhelal Canziba u dënua me 6,5 vjet burg, Esat Jaha 6, Rexhep Oruçi 6, Xhemal Haxhimustafa 5, Nahit Elshani 4,5 vjet, Gani Mullabazi 5, Salih Sokoli 5,5, Shaban Dana 1,5, Osman Vuçiterna 1, Halil Kafexholli 3, Shaip Mustafa 2,5, Adem Shala 3, Faik Jasiqi 2, Ramadan Ndrecaj 3, Sali Muriqi 2, Ilmet Fondaj 1,5, Sylë Millaku 1,5, Xhemajl Shasivari 2,5, Zehadin Ramadani 3,5, Sezair Shaip 3,5, Ilmi Bujari 2,5, Sejdi Bytyçi 1,5, Astrit Koshi 2,5, Emin Uka 2,5, Bashkim Braha 2,5, Liman Gashi 3,5, Besnik Baruti 2,5, Vezir Selaj 2, Eshref Berisha 2, Rrustem Palushi 2, Orhan Zajmi 2,5, Ajet Gashi 2,5, Ymer Kryeziu 2, Remzi Ademaj 3,5, Arhimed Varolli 3, Shasivar Gashi 1, Ramush Krasniqi 3 dhe Mitat Elshani 1 vjet.
Ndaj të akuzuarit Halil Blakaj është veçuar procedura penale, për shkak të gjendjes se rëndë shëndetësore, ndaj të akuzuarve Rexhep Pista, Abdullah Haxhiymeri dhe Myhedin Bekeri prokurori hoqi dorë nga ndjekja penale, në mungesë të provave, ndërkaq Bajram Mexhuani dhe Bedri Abazi u liruan nga aktakuza.
Pas shpalljes së aktgjykimit, 6 të akuzuar mbetën në paraburgim, ndërsa të tjerët u liruan të “mbrohen në liri” derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm.
21 shtator 1997
Prani e policisë përballë Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës
Nga ora 13,30 min deri në orën 15,00, dy policë serbë qëndruan për një kohë të gjatë para ndërtesës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është selia e presidencës së Republikës dhe e LDK-së si edhe para ndërtesës së Qendrës për Informim të Kosovës (QIK).
Nuk dihet preteksti i kësaj pranie demonstrative të dy policëve serbë përballë ndërtesave të institucioneve të Kosovës, mirëpo kjo prani vjen pas shpeshtimit të provokimeve të policisë serbe para këtyre dy ndërtesave.
21 shtator 1998
Shalë e Bajgorës: Forcat serbe kanë vrarë 10, kanë plagosur 3, kurse janë zhdukur disa shqiptarë
Gjatë ofensivës së forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe në fshatrat e Shalës së Bajgorës, njoftohet se janë vrarë e masakruar 10, janë plagosur 3 shqiptarë dhe janë zhdukur disa të tjerë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Bëhet e ditur se forcat serbe kanë masakruar Januz Deli Shalën (95) nga Vidishiqi, Mihane Hysenin (80), Ilaz Bali Hysenin (85), Fetah Sefer Hysenin (60), djalin e tij Jashar Hysenin (36) dhe Elez Begollin (60) nga Kaçanolli, Halim Halil Ferizin (60) dhe djalin e tij Enver Ferizin (38) nga Stan tërgu, Riza Ferat Tahirin (55) nga Selaci dhe Avni Rasim Shabanin (26) nga fshati Dedi.
Ndërkaq janë plagosur Nurije Baliu (92), Hidajete Baliu (24) dhe Shemsi Baliu (18) nga Vidishiqi.
I njëjti burim bën të ditur se se gjatë ofensivës së forcave serbe janë zhdukur Hafije Shala (80), Hajriz Shala (75), Brahim Shala (70) e Abdyl Bajram Isufi (65) nga Vidishiqi dhe Ukshin Ferati (39) nga fshati Barje, i cili është edhe i sëmurë mental.
Njoftohet se në rajonin e Shalës së Bajgorës janë plagosur e zhdukur edhe disa qytetarë të tjerë shqiptarë.
Forcat serbe dogjën kullën 200- vjeçare
Ditëve të fundit, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe në fshatin Lipovec, kanë djegur edhe kullën e moçme 200- vjeçare, pronë të Zeqirja Halitit..
Të përkujtojmë se që kur ka shpërthyer lufta në Kosovë, në Rrafshin e Dukagjinit forcat e policisë dhe ushtrisë serbe, kanë djegur edhe disa objekte shqiptare me rëndësi kulturore, siç është djegia e një kulle katër katëshe në Strellc të Deçanit, por edhe të disa monumenteve të tjera kulturore.