Lajmet

​Çfarë duhet të keni parasysh kur punësoni për pozitën e menaxherit?

Përvojën e arsimimin.

Published

on

Menaxherët e kanë fuqinë për ta ndërtuar ose rrënuar kompaninë.

Gjersa liderët e mirë e shtyjnë ekipin drejt qëllimeve individuale dhe të kompanisë, menaxheri i keq më shumë ngjan në diktator prania e të cilit krijon heshtje dhe frikë. Prandaj, nëse po mendoni që ta punësoni një menaxherë nga jashtë është mirë t’i keni parasysh këta 7 faktor që Akademi Pune do t’i radhisë tani.

Përvoja

Punësimi në bazë të përvojës nuk do të thotë që domosdoshmërish ai kandidat duhet ta ketë pasur pozitën e menaxherit më parë. Mjafton të tregojë aftësi udhëheqëse, por edhe të ketë qenë udhëheqës në ndonjë projekt.

Pyesni se cili ka qenë suksesi më i madh në departamentin ku ka punuar dhe çfarë domethënie kishte për të! Pastaj jini të vëmendshëm gjatë përgjigjes së tij!

Arsimimi

Menaxheri ideal e ka të qartë se mund të shkojë më tutje për t’i rritur aftësitë e tij të udhëheqjes duke bërë kurse dhe për të fituar certifikata. Sigurisht që dëshironi ta punësoni dikë i cili është në gjendje të mësojë, të përforcojë e të rimesojë sa herë që është e nevojshme. Kjo sepse vendi i punës është dinamik dhe gjithnjë në ndryshim e sipër, prandaj është e rëndësishme që pjesë e kompanisë të bëhet dikush që është në gjendje gatishmërie ta zhvillojë veten.

Aftësi të shkëlqyeshme komunikimi

Aftësitë e mira të komunikimit janë të rëndësishme për të gjithë punonjësit e sidomos për dikë i cili do të zë vende udhëheqëse në punë. Menaxherët shërbejnë si urë lidhëse në mes të hierarkive në kompani e për ta bërë këtë sigurisht që duhet të jenë në gjendje të komunikojnë në mënyrë efektive.

Ata duhet të jenë në gjendje që edhe në rast krizash për kompaninë të jenë në gjendje që t’i ulin tensionet dhe shqetësimet ndër punonjës. E përveç kësaj edhe, t’i tensionet e konflikteve në mesin e anëtarëve të kompanisë.

Fleksibiliteti

Ndryshimet janë të vazhdueshme në çdo biznes si në ato të voglat ashtu edhe në ato të mëdhatë. Ndoshta projekti të cilin e keni menduar nuk po shkon në vijën e duhur, prandaj duhet ta ndryshoni drejtimin. Andaj, kur e merrni një menaxher në punë fleksibiliteti duhet të jetë njëra ndër cilësitë që i kërkoni nga ai. Menaxheri duhet t’i shmanget shablloneve e në vend të kësaj duhet të jenë në gjendje t’i marrë parasysh të gjitha llojet e situatave dhe të veproni sipas nevojës.

Marrja dhe dhënia e kritikave konstruktive

Askush nuk di gjithçka, madje as dikush në pozitë udhëheqëse. Menaxherët duhet të jenë persona të cilët nuk i marrin kritikat dhe sugjerimet si personale. Ata duhet të japin kritika, por kritika konstruktive dhe me tonin e duhur.

“Pakoja e aftësive”

Përveç aftësive të buta, a i posedon kandidati edhe aftësitë e forta për ta bërë punën? Këto dy grupe aftësish janë të rëndësishme për dikë i cili do të punojë me të tjerët dhe do ta bëjë baraspeshën me persona të cilët kanë aftësi të ndryshme. Duhet ta gjeni dikë i cili është në gjendje të punojë me secilën pozitë, edhe nëse ata nuk kanë përvojë pune në të gjithë sektorët!

Qëllimet profesionale dhe qëllimet e kompanisë

Ashtu si me çdo pozitë tjetër edhe kur përpiqeni ta punësoni një menaxher, duhet ta shikoni nëse qëllimet e tij profesionale përshtaten me ato të kompanisë. Ka mjaft punonjës që janë të dhënë vetëm pas titullit dhe pagës, në vend që ta kenë synim për ta shtyrë kompaninë përpara. 

Vendi

Stërvitje e përbashkët në Prevallë: FSK-ja dhe Ushtria e Shqipërisë forcojnë kapacitetet për kërkim-shpëtim malor

Published

on

By

Efektivët e Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC) të Shqipërisë dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë realizuar një stërvitje të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Malor.

Njoftimi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili bëri të ditur se stërvitja është zhvilluar në Prevallë të Prizrenit.

Sipas ministrit Nufi, ky aktivitet shërbeu për shkëmbimin e përvojave, testimin e pajisjeve të reja dhe praktikimin e teknikave të avancuara të kërkim-shpëtimit, përfshirë evakuimin e personave të dëmtuar në terrene të vështira malore.

“Një aktivitet që forcon bashkëpunimin në shërbim të jetës, si dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy strukturave”, ka shkruar Nufi në rrjetin social Facebook. /E.A/

 

 

Continue Reading

lajme

Arrestohet një person në Suedi dhe i konfiskohet pasuria pas hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Published

on

By

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave, është arrestuar një person në Suedi.

Si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Kosova, është prangosur personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, ky rast përbën precedentin e parë ku autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Tutje bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me autoritetet e Suedisë do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive edhe në Kosovë.

Ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitete illegale. Në njoftimin e prokurorisë nuk janë dhënë detaje shtesë për lidhjen e saktë të personit të arrestuar me shtetin e Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

6 nëntor 1992

Shqiptarët trajtohen si “skllevër”

Revista franceze “Le monde diplomatique” pardje botoi një analizë të gjerë të procesev historike dhe aktuale në hapësirën e ishJugosllavisë. Një vëmendje të veçantë në këtë analizë autorja Ketrin Lutard ia kushton Kosovës dhe çështjes shqiptare. Ndër të tjera autorja thekson:  Qysh prej kohësh gjendja vlerësohet si shkatërruese dhe udhëheqësi i komunitetit shqiptar Ibrahim Rugova, pohon se bashkatdhetarët e tij janë trajtuar “si skllevër”. Represioni vazhdon të rritet. Kështu, sipas gazetës zyrtare të 25 korrikut 1992, Parlamenti serb i Beogradit vendosi të pezullojë drejtorët shqiptarë të uzinave Planinka, Rilindja, Ringos Ciglana, Buduqnost, Sutjeska, Energoinvest, Sharr dhe Proleter, të gjitha të vendosura në Kosovë, dhe për t’i zëvendësuar me serbë apo malazezë.

 

6 nëntor 1993

Spastrimet etnike serbe – në tekstet shkollore franceze e gjermane

Prej këtij viti shkollor në Francë dhe në Gjermani, janë paraqitur tekstet shkollore dhe materialet didaktike ku gjoja “në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar janë paraqitur disa pjesë nga historia serbe, Serbisë e Jugosllavisë,” shkruan “Politika” e sotme.

Përse janë zemëruar aq shumë në të ashtuquajturën ministri federale të arsimit dhe të kulturës ndaj këtyre teksteve dhe përse ambasadës së tyre në Paris iu urdhërua të kërkojë procedurë gjyqësore për ndalimin e librit të historisë për klasën e katërt të gjimnazit? Për çka është fjala në të vërtetë?

Në librin e historisë në kaptinën “Kthimi i nacionalizmit”, siç thotë gazeta, shkruan: “Qëllimi ishte që të krijohet Serbia e madhe nëpërmjet ‘spastrimit etnik’ të territoreve ku gjenden serbët. Me terror dëbohet popullsia tjetër”.

Në kaptinën ku shpjegohen terminet nga libri, për spastrimin etnik shkruan se kjo “është teori të cilën e kanë krijuar anëtarët e Akademisë së shkencave në Beograd dhe nënkupton homogjenizimin etnik të territoreve të ish-Jugosllavisë, të cilat janë të banuar me serbë, të cilat duhet me anë të terrorit mbi popullsinë tjetër të realizojnë aneksimin definitiv të atyre territoreve nga ana e Serbisë”.

Përmbajtje të ngjashme, sipas gazetës, gjenden edhe në materialin didaktiko-informativ, që gjendet në programin shkollor në Gjermani.

 

6 nëntor 1995

U përkujtua ngjarja tragjike e Bit Pazarit

Me rastin e ngjarjeve të 6 e 7 nëntorit të vitit 1992, kur në Bit Pazar të Shkupit humbën jetën tragjikisht Sylejman Memishi, Safet Sejfullahu, Shemsedin Ibrahimi dhe Viktorija Geshovska, në lokalet e bashkësisë okale, që mban emrin e kësaj date tragjike “6 Nëntori” në Shkup u mbajt një tubim përkujtimor për këtë ngjarje të hidhur në jetën pluraliste të Maqedonisë.

Në këtë tubim morën pjesë anëtarët e familjeve të viktimave, qytetarë dhe personalitete të jetës politike dhe publike, në mesin e të cilëve edhe deputeti i kësaj njësie zgjedhore Mevlan Tahiri.

Lidhur me këtë rast tragjik u nënvizua se edhe pas tri vjetësh nuk u zbuluan vrasësit e viktimave të pafajshme, të cilat padyshim u vranë nga policia maqedonase në pragun e shtëpive të tyre.

Pasi Komisioni parlamentar, i themeluar për hulumtimin e këtij rasti, nuk dha përgjegje për autorët e krimit në Bit Pazar, në këtë mbledhje u theksua se familjet e të vrarëve duhet të ngrisin aktpadi kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

 

6 nëntor 1996

Bill Klinton u rizgjodh president i SHBA-ve

Në zgjedhjet e djeshme presidenciale në SHBA, presidenti i tanishëm amerikan Bill Klinton u rizgjodh në këtë post edhe për një mandat katërvjeçar.

Ambasada amerikane në Beograd na përcolli njoftimin e agjencisë gazetare amerikane UPI ku thuhej se Klintoni triumfoi mbi rivalin e tij kryesor Bob Dol. Sipas këtij njoftimi Klinton fitoi me 50 kundrejt 42 për qind të votave, sa fitoi kundërshtari i tij republikan, ndërsa kandidati tjetër Ros Perot fitoi fare pak vota.

Pas Frenklin Ruzveltit, Bill Klinton është presidenti i dytë amerikan nga radhët e demokratëve që triumfoi për të dytën herë në postin e presidentit të SHBA-ve.

 

6 nëntor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Obiliq: – Dje, policia serbe, me pretekst të dorëzimit të armëve ishte në familjen e Ferat Mjekiqit (65) në Graboc të Epërm.

Njoftohet se Ferati është urdhëruar që të paraqitet në stacionin e policisë në Obiliq, së bashku me djalin e tij Nasuf Mjekiqin, kryetar i Aktivit të LDK-së në Graboc të Epërm.

Ferat Mjekiqi para gjashtë muajve ka dorëzuar një armë dhe për këtë ai ka edhe vërtetimin për armën e dorëzuar.

Po ashtu mbrëmë rreth orës 17:00, dy policë serbë ndërhynë në një mbledhje të një Aktivi të LDK-së në Obiliq. Bëhet e ditur se policët serbë kanë legjitimuar të pranishmit. Disa aktivistëve u janë marrë edhe shënimet personale.

Istog: – Më 31 tetor, dy inspektorë të sigurimit serb të stacionit të policisë në Pejë, bastisën familjen e Ali S. Mahajt në Dubovë të Vogël. Njoftohet se inspektorët serbë kërkuan djalin e tij Naim Mahajn (24), të cilit ia lanë thirrjen që të paraqitet në polici. Gjatë bastisjes, inspektorët serbë thyen e demoluan shumë orendi.

Sot, rreth orës 8:00 të mëngjesit, një grup huliganësh serbë i përbërë prej rreth 15 vetash, sulmuan pa kurrfarë shkaku Arben Boletinin, nxënës i gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog. Gjatë kohës sa Arbeni është keqtrajtuar, huliganët serbë e kanë kërcënuar atë se “kurrë nuk do të mësoni në shkollën shqipe, ndërsa atë kërkojeni në Shqipëri!”.

 

6 nëntor 1998

Suharekë: Të shtëna midis Samadraxhës e Opterushës – flitet edhe për të vrarë e të plagosur

Gjendja në komunën e Suharekës edhe më tej vazhdon të jetë shumë e tensionuar, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Sot rreth orës 12:00, në mes të fshatrave Samadraxhë e Opterushë janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa dëshmitarët okularë kanë theksuar se ka të vrarë e të plagosur.

Ndërkaq dje, policia serbe është vendosur në lagjen Luboci në Grejçec. Policët serbë ia hoqën kulmin një shtëpie të këtij fshati dhe materialin e dërguan në një vend tjetër. Të njëjtit policë rreth orës 17:00 kanë shtënë me armë në drejtim të Grejçecit.

Bëhet e ditur se forcat e policisë serbe edhe më tej po qëndrojnë në fshatrat Duhël, Grejçec, Mohlan e Reshtan, ndërsa forcat e ushtrisë serbe edhe më tej janë të stacionuara në Qafë të Duhlës dhe në malet e Biraçit mbi Suharekë.

 

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës në raportin njëditor ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të regjistruara në rajonet e Kamenicës, Klinës, Pejës dhe Vushtrrisë.

Në Kamenicë, një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar nga një grua tjetër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është intervistuar dhe me konsultim të prokurorit rasti vazhdon të hetohet.

Në Klinë, është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Palët janë intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Përplasje fizike është regjistruar edhe në Vushtrri, ku një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati. Ekipet relevante policore po vazhdojnë hetimet për kapjen e tij.  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara