Lajmet

​Çeku shpalos prioritetet e MKRS-së

Published

on

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka deklaruar të martën se po bëjnë gjithçka që ta bindin Europa Nostran se Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të sigurta në Evropë dhe si i tillë duhet të largohet nga lista e monumenteve që janë në rrezik.

Çeku në një konferencë për media me rastin e shpalosjes së prioriteteve të dikasterit që e udhëheq, tha se kanë marrë konfirmim për vizitë nga përfaqësues të Europa Nostra-s, porse shtoi se kjo e fundit, gjatë procesit, nuk e ka vizituar Kosovën dhe manastirin, por as nuk është konsultuar me palët e interesit.

Lidhur me këtë, ai shtoi se është me rëndësi që përfaqësues të Europa Nostras të vijnë sa më parë në Kosovë, për të kompensuar dëmin që i kanë shkaktuar vendit.

“Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të sigurta në Evropë dhe për fat të keq ka hyrë në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Ky është një paradoks, por ne po bëjmë gjithçka për ta bindur ‘Europa Nostra-n’ që ta rishikojë atë listë”, tha ai.

Duke folur për programin dhe prioritetet e ministrisë, ministri Çeku tha se MKRS deri tash ka funksionuar si ministri e skemave sociale për artistë, sportistë e të rinj. Ai tha se vizioni i tyre është që të zhbllokojnë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës dhe sportit. Teksa shtoi se shumë punë i presin edhe tek trashëgimia kulturore, ku u zotua se do të ndërhyjnë në rreth 200 monumente në rrezik.

Ministri Çeku theksoi se pasi që Kuvendi të zgjedhë anëtarët e bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, do të procedojnë dosjet për shpallje të aseteve në mbrojtje të përhershme ligjore.

“Vizioni ynë është të zhbllokojmë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës e sportit. Ta trajtojmë kulturën si kontribues në mirëqenien shoqërore dhe ekonomike; trashëgiminë kulturore si promovues të vlerave; sportin si zhvillues i imazhit shtetëror dhe mirëqenies sonë; dhe rininë e Kosovës si pjesëtar aktiv në jetën ekonomike dhe sociale të vendit… Shumë punë na presin edhe te trashëgimia kulturore, por puna e parë do të jenë ndërhyrjet emergjente në rreth 200 monumente në rrezik”, tha ai.

Çeku tha se do të angazhohen për reformim administrativ, autonomi financiare dhe qëndrueshmëri të institucioneve kombëtare të kulturës, duke siguruar llogaritë bankare, kodet buxhetore dhe zyrtarët financiarë. Ai u zotua se do të përmirësojnë praktikat për mbrojtjen e së drejtës së autorit përmes zbatimit të tarifës së ritransmetimit dhe bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe se do të definojnë statusin e krijuesit.

Ndër nismat me interes të veçantë në kuadër të edukimit artistik, sipas Çekut do të jetë zbatimi i programit shkollor për pjesëmarrje të rritur dhe të rregullt të nxënësve në ngjarjet kulturore.

Kurse sa i përket sportit, ai tha se synojnë hartimin e strategjisë kombëtare të sportit, zhvillimin e politikave të diplomacisë sportive, rishikimin e ligjeve dhe akteve ekzistuese dhe funksionalizimin e mekanizmave për monitorimin sistematik të të dhënave në fushën e sportit.

“Jemi të përkushtuar të mbrojmë integritetin e sportit, do të luftojmë manipulimet në sistemin sportiv. Do të angazohemi për hartimin dhe miratimin e kodit të qeverisjes së mirë sportive, krijimin e mekanizmave për monitorimin e qeverisjes së organizatave sportive dhe themelimin e Agjencisë Anti-Doping”, tha Çeku.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha po ashtu se synojnë rritjen e përfshirjes së të rinjve në tregun e punës. Sipas tij, këtë do ta arrijnë përmes edukimit jo-formal, politikave aktive, ofrimit të shërbimeve të punësimit, dhe lehtësimit të qasjes në financim për ndërmarrësi.

Krejt në fund, ai u zotua se qeveria do të përfshijë trashëgiminë kulturore, kulturën dhe sportin në politikat e reja qendrore dhe lokale për turizëm.

Në këtë drejtim, ai tha se do të hartojnë dokumentin strategjik për turizëm kulturor dhe sportiv dhe master planet multi-sektorale për zonat me interes të veçantë, ndërsa theksoi se do të funksionalizohen edhe monumentet e trashëgimisë për t’i shërbyer industrisë së turizmit.

Lajmet

Arrestohet i dyshuari pasi sulmoi fizikisht zyrtarët policorë në Mitrovicë të Veriut

Published

on

Një person është arrestuar në Mitrovicë të Veriut pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së veprimeve policore.

Rasti ka ndodhur më 15 shtator, rreth orës 21:05, në rrugën “Isa Boletini”, pasi i dyshuari ishte ndaluar nga policia.

Sipas Policisë, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet një mjet i dyshimtë gjatë punimeve me ekskavator në Ferizaj

Published

on

Gjatë disa punimeve me ekskavator në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, është raportuar për gjetjen e një mjeti të dyshimtë të panjohur.

Rasti është raportuar më 15 shtator, rreth orës 17:05.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë për deminim të FSK-së dhe KFOR-it, të cilat kanë bërë tërheqjen e mjetit të dyshimtë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tre aksidente trafiku në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Leposaviq, gjashtë persona të lënduar

Published

on

Tre aksidente trafiku janë raportuar gjatë 15 shtatorit në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe në rrugën nacionale Leposaviq-Jarinjë, ku gjashtë persona kanë pësuar lëndime trupore.

Në rrugën nacionale Leposaviq-Jarinjë, rreth orës 07:55, ka ndodhur një aksident ku është përfshirë vetëm një automjet me targa vendore. Si pasojë, një pasagjere kosovare ka pësuar lëndime trupore.

Në rrugën “Xheladin Rekaliu” në Prishtinë, rreth orës 00:15, janë përplasur dy vetura në lëvizje. Në aksident janë përfshirë një drejtues, shtetas i Maqedonisë së Veriut, dhe një drejtues kosovar. Si pasojë, të lënduar kanë mbetur të dy drejtuesit dhe dy pasagjerë, të cilëve u është ofruar tretman mjekësor. Rasti është duke u proceduar në mënyrë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, rreth orës 07:17, ka ndodhur një aksident mes dy automjeteve, të drejtuara nga një grua dhe një burrë kosovar. Tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe, pas marrjes së tretmanit mjekësor në QKUK, janë liruar për në shtëpi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

OKB ngre alarmin për rreziqet e inteligjencës artificiale

Published

on

Kombet e Bashkuara kanë ngritur shqetësimin për rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, ndërsa thirrje për më shumë kontroll dhe bashkëpunim ndërkombëtar po vijnë edhe nga qeveri dhe figura të industrisë teknologjike.

Çështja pritet të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë javës së ardhshme, në kuadër të një mbledhjeje të dedikuar inteligjencës artificiale dhe sigurisë. Franca, si presidente e radhës e Këshillit, ka bërë të ditur se AI do të jetë ndër çështjet kryesore në agjendë, përfshirë edhe diskutimin mbi rreziqet që mund të paraqesë për njerëzimin.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, u ka bërë thirrje shteteve dhe kompanive që të ndërmarrin “veprim urgjent” për të qeverisur sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Sipas tij, sistemet autonome të AI-së mund të kryejnë vetë një sërë operacionesh dhe, në skenarë të caktuar, të ndikojnë në komunikime, shërbime thelbësore dhe infrastrukturë kritike, si dhe të përshpejtojnë sulmet kibernetike. OKB-ja ka ngritur gjithashtu shqetësime për përdorimin e AI-së në fushën ushtarake.

Nga Kanadaja, kryeministri Mark Carney ka propozuar krijimin e një “Këshilli për Stabilitetin Teknologjik”, i cili do të shërbente si një mekanizëm i përhershëm për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e sigurisë teknologjike.

Në Kinë, ministri i Sigurisë së Shtetit, Chen Yixin, ka argumentuar se inteligjenca artificiale është njëkohësisht pjesë e rëndësishme e konkurrencës teknologjike globale dhe burim i ri rreziqesh për sigurinë kombëtare. Ai ka kërkuar forcimin e masave të sigurisë, duke kundërshtuar edhe kufizimet që, sipas tij, disa shtete vendosin ndaj qasjes në çipa dhe kapacitete llogaritëse.

Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka kundërshtuar idenë e kufizimeve të reja ndaj zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke argumentuar se ngadalësimi i sektorit amerikan do t’i jepte avantazh Kinës në garën teknologjike.

Debati ndërkombëtar po zhvillohet në një kohë kur SHBA-ja dhe Kina po konkurrojnë fuqishëm për zhvillimin e modeleve të avancuara të AI-së, ndërsa organizatat ndërkombëtare kërkojnë mekanizma më të koordinuar për menaxhimin e rreziqeve të kësaj teknologjie./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara