Shorti i hedhur sot (e premte) në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës ka përcaktuar çiftet për ndeshjet e “play-off”-it dhe çerekfinalet e Ligës së Kombeve.
Në fazën “play-off” mes Ligës A dhe B janë caktuar katër përballje interesante. Irlanda do të përballet me Kroacinë, Bosnja dhe Hercegovina me Danimarkën, Hungaria me Serbinë, ndërsa Sllovenia do të luajë kundër Uellsit.
Ndërkohë, në “play-off”-in mes Ligës B dhe C, Qipro do të takohet me Maqedoninë e Veriut, Estonia me Rumaninë, Ishujt Faroe me Gjeorgjinë, ndërsa Bjellorusia me Izraelin.
Vëmendja kryesore në çerekfinalet e Ligës së Kombeve do të jetë te përballja mes Spanjës dhe Francës, dy prej kombëtareve më të forta të futbollit evropian.
Një tjetër duel që pritet me interes është ai mes Norvegjisë dhe Anglisë, ku norvegjezët, të udhëhequr nga Erling Haaland, do të përballen me një prej pretendenteve për trofeun.
Në dy çiftet e tjera, Holanda do të sfidojë Portugalinë, ndërsa Belgjika do të përballet me Gjermaninë.
Ndeshjet e “play-off”-it do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, ku kualifikimi vendoset nga rezultati i përgjithshëm i të dyja takimeve. Në rast barazimi pas 180 minutash, do të luhen vazhdimet prej dy pjesësh nga 15 minuta, ndërsa nëse barazimi vazhdon, fituesi do të përcaktohet përmes penalltive. Rregulli i golit në udhëtim nuk zbatohet.
Çerekfinalet do të përcaktojnë katër skuadrat që do të vazhdojnë garën në gjysmëfinale, në rrugën drejt trofeut të Ligës së Kombeve.
Ndeshjet e para të “play-off”-it janë planifikuar për 25 ose 27 mars 2027, ndërsa ato të kthimit për 28 ose 30 mars të po të njëjtit vit.
Çiftet e “play-off”-it mes Ligës A dhe B:
- Irlanda – Kroacia
- Bosnja dhe Hercegovina – Danimarka
- Hungaria – Serbia
- Sllovenia – Uellsi
Çiftet e “play-off”-it mes Ligës B dhe C:
- Qipro – Maqedonia e Veriut
- Estonia – Rumania
- Ishujt Faroe – Gjeorgjia
- Bjellorusia – Izraeli
Çerekfinalet e Ligës së Kombeve:
- Spanja – Franca
- Norvegjia – Anglia
- Holanda – Portugalia
- Belgjika – Gjermania
D.L