Lajmet

​Çeku në Gjilan konfirmon mbështetjen për disa projekte

Ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore.

Published

on

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, prej të cilit ka marrë mbështetjen për realizimin e disa projekteve të përbashkëta dhe të projekteve që janë nisma të Komunës së Gjilanit.

Ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore. Ai ka konfirmuar mbështetjen ndaj nismës së Komunës së Gjiilanit për ta shndërruar Kalanë e Pogragjës në atraksion turistik.

Njoftimi i MKRS-së

Gjilan, 14 shtator 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim pune ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, prej të cilit ka marrë mbështetjen për realizimin e disa projekteve të përbashkëta dhe të projekteve që janë nisma të Komunës së Gjilanit.

Kryetari Hyseni e ka falënderuar ministrin Çeku për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Gjilanit.

“Diskutuam rreth projekteve që janë në zhvillim e sipër e për projektet dhe idetë e reja që ne si Komunë mendojmë t’i realizojmë. Është një qasje e re e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por në të njëjtën kohë, edhe ne si Komunë po mundohemi që të jemi sa më kreativë që është e mundur që t’i plotësojmë nevojat elementare e bazike për komunitetin sportiv e artistik”, ka deklaruar pas takimit kryetari Hyseni.

“Po ashtu, sot e kam shfrytëzuar rastin që ta njoftoj ministrin Çeku për zhvillimin e punimeve në palestrën e sporteve në Zhegër, për situatën rreth stadiumit të qytetit, duke e ditur faktin që ministri që nga fillimi i mandatit një prej top prioriteteve e ka pasur zgjidhjen e problemit të këtij stadiumi. Detajet që i kemi nxjerrë dhe që janë qartësuar për opinionin kanë treguar për defektet e mëdha në stadiumin e Gjilanit. Tash kemi arritur në një fazë që projektit po i jepet energji e re dhe frymë e re dhe në të njëjtën kohë do të qartësohen edhe problemet e fundit në mënyrë që stadiumi i qytetit të fillojë të punohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, pasi e falënderoi kryetarin Hyseni për pritjen, ka thënë se në Gjilan ka ardhur për t’i dinamizuar projektet e investimeve kapitale, programet tjera të përbashkëta e projektet e reja të sportit, artit e rinisë.

Në kuadër të kësaj, ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore, ndërkaq ka konfirmuar se mbështetjen ndaj nismës së Komunës së Gjiilanit për ta shndërruar Kalanë e Pogragjës dhe gjithë ambientin aty në atraksion turistik.

Për palestrën e Zhegrës, ministri Çeku tha se janë duke u kujdesur në veçanti, për të shtuar se tashmë ky projekt po shkon në fazën përfundimtare të realizimit të punimeve, në mënyrë që të jetë në shërbim të sportistëve e rinisë.

Ndërkaq, duke folur për stadiumin e qytetit, ministri Çeku ka thënë se tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, duke shtuar se është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare.

“Sa i përket stadiumit, tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, fatkeqësisht. Kemi filluar fazën e hartimit të projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili përfundimisht na e nxjerr koston, rrugën dhe na tregon kohën që na duhet për ta realizuar përfundimisht këtë investim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i këtillë i duhet edhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare. Është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare”, tha ai.

“Ky projekt nuk ka ekzistuar asnjëherë sepse është punuar me faza më herët dhe asnjëherë nuk ka pasur projekt përfundimtar. Në momentin që e kemi projektin profesional me të gjitha standardet, do të kalojmë në kontraktimin e punimeve dhe do të bëjmë më të mirën që brenda kohës më optimale, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, të vazhdojmë ta trajtojmë me shumë prioritet përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit”, ka shtuar ministri Çeku.

Ministri i MKRS-së ka thënë po e shqyrtojnë mundësinë e mbështetjen edhe ndaj nismës së Komunës për projektin ‘xhepat e gjelbër të lagjeve’, për të bashkëfinancuar ndërtimin e fasciliteteve sportive dhe kulturore, por edhe për projektin tjetër të Komunës për Qendrën e Kulturës, derisa ka dhënë zotimin për bashkëfinancimin edhe të manifestimit kultutor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”.

Në fund, ministri Çeku tha se nga kryetari Hyseni ka kërkuar lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe për ndërtimin e një shtëpie të shahut.

“Tashmë kryetari Hyseni është në komunikim edhe me federatat përkatëse dhe në momentin që i kemi lokacionet, ne do t’i nisim procedura për ndërtimin e këtyre palestrave të reja, një për xhudon e një për shahun”, ka përfunduar ministri Çeku.

Lajmet

Shkëndija, skuadra e parë në RMV që arrin fitore në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

Published

on

Skuadra nga Tetova, Shkëndija, ka arritur të shkruajë historinë e futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke regjistruar fitoren e parë dhe tri pikët e para në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Skuadra kuqezi triumfoi me rezultat minimal 1-0 ndaj ekipit irlandez Shelburn, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.

Goli vendimtar erdhi në minutat shtesë, pas një goditjeje të fortë të Ronaldo Webster, që u devijua nga Patrik Barnet, duke përfunduar në rrjetën e skuadrës mysafire.

Me këtë fitore, Shkëndija jo vetëm që regjistroi triumfin e parë në historinë e saj në fazën e grupeve të një gare evropiane, por gjithashtu u bë skuadra e parë nga Maqedonia e Veriut që arrin një sukses të tillë./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Në UBT po zhvillohet Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive

Published

on

Në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan ka nisur sot Konferenca e parë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (IC-SM 2025). Si mysafirë specialë në konferencë që po marrin pjesë janë Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), Prof. Dr. Fabio Pigozzi nga Italia, Prof. Dr. Norbert Bachl nga Austria, Annika Hangleiter, nga Gjermania, Gobert von Skrbensky nha Austria e mysafirë të tjerët të shumtë vendorë e ndërkombëtarë.

Rektori UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi, në fjalën hapëse të konferencës përkujtoi se UBT, që nga themelimi i saj, ka qenë e përkushtuar ndaj dijes, inovacionit dhe krijimit të një shoqërie të zgjuar, ku shkenca, teknologjia dhe praktika bashkohen për të krijuar ndikim të qëndrueshëm në shoqëri.

Mjekësia sportive, tha ai, është një nga fushat që mishëron më së miri këtë filozofi- duke bashkuar shëndetin, edukimin, performancën dhe inovacionin teknologjik.

Ai theksoi se UBT, përmes themelimit të Qendrës për Mjekësi Sportive në UBT, ka hapur një kapitull të ri në zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.

Hajrizi tha se falë kësaj nisme, Kosova është anëtarësuar për herë të parë në Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), përmes Shoqatës së Mjekësisë Sportive dhe Ushtrimeve të Kosovës (KASEM) – një arritje historike që e rendit vendin tonë përkrah më shumë se 117 shteteve anëtare të kësaj organizate prestigjioze.

Me një fjalë rasti, në hapje, konferencës iu drejtua edhe Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), Prof. Dr. Fabio Pigozzi. Ai foli për rëndësinë e Mjekësisë Sportive në nivel global, si dhe theksoi rëndësinë e diskutimeve në këtë fushë, gjithnjë me interes për publikun.

Konferenca IC-SM 2025 do të shërbejë si një platformë ndërkombëtare për bashkëpunim dhe ndarje të përvojave profesionale, prezantim të trendeve dhe inovacioneve më të fundit në mjekësinë sportive, nxitje të kërkimit shkencor dhe praktikave të rehabilitimit, si dhe ndërtim të rrjeteve ndërkombëtare në fushën e sportit dhe shëndetit.

Konferenca organizohet nga UBT, me mbështetjen e: Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM); International Federation of Sports Medicine (FIMS); Komiteti Olimpik i Kosovës; Sport, Health, and the People – A Western Balkan University Network (SHAPE Project)./S.K/UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Spiropali në Memorialin e Holokaustit: Shqipëria nderohet si e drejtë mes kombeve për shpëtimin e hebrenjve

Published

on

Në ditën e dytë të qëndrimit të saj në Izrael, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi qendrën përkujtimore të Holokaustit “Yad Vashem”, ku është dokumentuar përndjekja dhe vrasja e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve.

Ministrja shtoi se akti njerëzor e kombëtar i shpëtimit të hebrenjve është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike.

Postimi i Spiropalit:

Jeruzalem – Kudo shkoj, Shqipëria dhe historia jonë më bëjnë të ndihem krenare.

Kështu ndodhi edhe në “Yad Vashem”, në qendrën përkujtimore të Holokaustit, ku është dokumentuar në imtësi e thellësi, një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë njerëzore.

Krenare që Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve, duke hapur dyert, shtëpitë dhe zemrat për ta, me një akt njerëzor e kombëtar që sot është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Deputetët britanikë alarmojnë për lirinë e medias në Serbi

Published

on

Një grup deputetësh britanikë dhe personalitete të larta publike i kanë dërguar një letër Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku shprehin shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në Serbi.

Ata kanë kërkuar që kjo çështje të ngrihet në nivelin më të lartë gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër.

Letra e nënshkruar nga deputetë të të gjitha partive politike dhe nga përfaqësues të Parlamentit britanik, përfshirë Tom Tugendhat, Fiona O’Brien të Reporterëve pa Kufij, dhe baroneshën Helena Kennedy, thekson se liria e shtypit në Serbi është në një pikë kthese të rrezikshme.

Në dokument, autorët denoncojnë shtypjen e mospajtimit politik, bastisjet policore ndaj organizatave joqeveritare dhe sulmet e koordinuara ndaj mediave të pavarura, në veçanti ndaj rrjetit United Media, që zotëron televizionet N1 dhe Nova, të vetmet transmetuese të mëdha jo nën kontrollin e qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq.

Deputeti Tugendhat përmend rastin e incizimit të publikuar nga rrjeti OCCRP, ku drejtues të lartë të Telekom Srbija dhe United Group flasin për strategji për dobësimin e mediave të pavarura.

“Gazetarët e këtyre mediave po përballen me ngacmime të vazhdueshme, sulme fizike dhe fushata shpifjesh”, theksohet në letër.

Sipas nënshkruesve, përpjekjet e qeverisë serbe për të kontrolluar narrativën mediatike dhe për të frenuar opozitën e qytetare janë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.

“Pa gazetarë të lirë që mund t’u thonë të vërtetën autoriteteve, liritë civile në Serbi janë në rrezik të shkatërrohen”, thuhet në letrën e dërguar Cooperit.

Në fund, deputetët kërkojnë nga qeveria britanike që të përdorë ndikimin e saj diplomatik për të mbrojtur lirinë e medias në Serbi./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara