Lajmet

​Çeku në Gjilan konfirmon mbështetjen për disa projekte

Ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore.

Published

on

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, prej të cilit ka marrë mbështetjen për realizimin e disa projekteve të përbashkëta dhe të projekteve që janë nisma të Komunës së Gjilanit.

Ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore. Ai ka konfirmuar mbështetjen ndaj nismës së Komunës së Gjiilanit për ta shndërruar Kalanë e Pogragjës në atraksion turistik.

Njoftimi i MKRS-së

Gjilan, 14 shtator 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim pune ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, prej të cilit ka marrë mbështetjen për realizimin e disa projekteve të përbashkëta dhe të projekteve që janë nisma të Komunës së Gjilanit.

Kryetari Hyseni e ka falënderuar ministrin Çeku për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Gjilanit.

“Diskutuam rreth projekteve që janë në zhvillim e sipër e për projektet dhe idetë e reja që ne si Komunë mendojmë t’i realizojmë. Është një qasje e re e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por në të njëjtën kohë, edhe ne si Komunë po mundohemi që të jemi sa më kreativë që është e mundur që t’i plotësojmë nevojat elementare e bazike për komunitetin sportiv e artistik”, ka deklaruar pas takimit kryetari Hyseni.

“Po ashtu, sot e kam shfrytëzuar rastin që ta njoftoj ministrin Çeku për zhvillimin e punimeve në palestrën e sporteve në Zhegër, për situatën rreth stadiumit të qytetit, duke e ditur faktin që ministri që nga fillimi i mandatit një prej top prioriteteve e ka pasur zgjidhjen e problemit të këtij stadiumi. Detajet që i kemi nxjerrë dhe që janë qartësuar për opinionin kanë treguar për defektet e mëdha në stadiumin e Gjilanit. Tash kemi arritur në një fazë që projektit po i jepet energji e re dhe frymë e re dhe në të njëjtën kohë do të qartësohen edhe problemet e fundit në mënyrë që stadiumi i qytetit të fillojë të punohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, pasi e falënderoi kryetarin Hyseni për pritjen, ka thënë se në Gjilan ka ardhur për t’i dinamizuar projektet e investimeve kapitale, programet tjera të përbashkëta e projektet e reja të sportit, artit e rinisë.

Në kuadër të kësaj, ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore, ndërkaq ka konfirmuar se mbështetjen ndaj nismës së Komunës së Gjiilanit për ta shndërruar Kalanë e Pogragjës dhe gjithë ambientin aty në atraksion turistik.

Për palestrën e Zhegrës, ministri Çeku tha se janë duke u kujdesur në veçanti, për të shtuar se tashmë ky projekt po shkon në fazën përfundimtare të realizimit të punimeve, në mënyrë që të jetë në shërbim të sportistëve e rinisë.

Ndërkaq, duke folur për stadiumin e qytetit, ministri Çeku ka thënë se tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, duke shtuar se është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare.

“Sa i përket stadiumit, tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, fatkeqësisht. Kemi filluar fazën e hartimit të projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili përfundimisht na e nxjerr koston, rrugën dhe na tregon kohën që na duhet për ta realizuar përfundimisht këtë investim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i këtillë i duhet edhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare. Është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare”, tha ai.

“Ky projekt nuk ka ekzistuar asnjëherë sepse është punuar me faza më herët dhe asnjëherë nuk ka pasur projekt përfundimtar. Në momentin që e kemi projektin profesional me të gjitha standardet, do të kalojmë në kontraktimin e punimeve dhe do të bëjmë më të mirën që brenda kohës më optimale, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, të vazhdojmë ta trajtojmë me shumë prioritet përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit”, ka shtuar ministri Çeku.

Ministri i MKRS-së ka thënë po e shqyrtojnë mundësinë e mbështetjen edhe ndaj nismës së Komunës për projektin ‘xhepat e gjelbër të lagjeve’, për të bashkëfinancuar ndërtimin e fasciliteteve sportive dhe kulturore, por edhe për projektin tjetër të Komunës për Qendrën e Kulturës, derisa ka dhënë zotimin për bashkëfinancimin edhe të manifestimit kultutor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”.

Në fund, ministri Çeku tha se nga kryetari Hyseni ka kërkuar lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe për ndërtimin e një shtëpie të shahut.

“Tashmë kryetari Hyseni është në komunikim edhe me federatat përkatëse dhe në momentin që i kemi lokacionet, ne do t’i nisim procedura për ndërtimin e këtyre palestrave të reja, një për xhudon e një për shahun”, ka përfunduar ministri Çeku.

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Të kërkuara