Lajmet

​Brahim Mehmetaj dëshmitari i parë i mbrojtjes së Mustafës

Brahim Mehmetaj është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmia e Brahim Mehmetaj, i cili është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafa.

Mehmetaj ka treguar se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që prej themelimit të saj dhe ka bërë të ditur se gjatë luftës ishte pjesë e gueriles BIA në të cilën ka shërbyer si zëvendëskomandant.

Para trupit gjykues, Mehmetaj fillimisht ka treguar se bë fund të viteve ’88 i është bashkuar organizimit ilegal Lëvizja Për Republikën e Kosovës, pas ndarjes së të cilës ka thënë se është bërë pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

“LDK-së i jam bashkuar që në themelim, në vitin 1989-90. Pothuajse në të gjitha strukturat e funksionimit të LDK-së, kam qenë kryetar i degës së rinisë së LDK-së për Prishtinë, pastaj anëtar kryesie në nivele të degës e kështu me radhë, deri të anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”, ka thënë ai.

Pas kësaj ai ka treguar për rolin e tij në njësinë BIA.

“Guerila BIA zyrtarisht është formuar më 20 maj 1998 ndërsa funksionimin dhe punën e kemi bërë që nga dalja e Salih Mustafës, komandantit Calit nga burgu, diku nëse nuk gaboj gusht ose aty diku, kur është liruar nga burgu e kam takuar dhe menjëherë jemi marrë vesh të fillojmë me bë organizimin e strukturave për UÇK, njësiteve të UÇK-së. Qëllimi i gueriles BIA ose qëllimi i ushtarëve të UÇK-së ka qenë liria, lufta e armikut, lufta ndaj armikut me qëllim arritjen e lirisë, çlirimin e vendit, ky ka qenë qëllimi kryesor”, ka thënë dëshmitari i mbrojtjes.

Ai ka theksuar se BIA nuk ka pasur përgjegjësi territoriale për të kontrolluar ndonjë zonë të caktuar por sipas tij kanë vepruar në qytetin e Prishtinës dhe në pjesët rurale përreth.

Ai ka shtuar se në raste nevoje BIA ka dhënë kontributin e saj edhe në Obiliq dhe Fushë Kosovë.

“Të gjithë aktivitetin e kemi bërë në shtëpitë tona, për shembull një prej vendqëndrimit ku kemi qenë është shtëpia ime, ka qenë edhe shtëpia e Calit dhe disa njerëzve të tjerë të besueshëm, aty jemi takuar, aty kemi biseduar, varësisht prej punëve që i kemi pasur, por kryesisht i kemi përdorur shtëpitë tona në fillim të organizmit. Pastaj kemi përdorur edhe shtëpi të tjera, vendqëndrime që ne i kemi vlerësuar që kanë qenë pak më të sigurta me qëndru në to, shtëpi të njerëzve me të cilët jemi dakorduar me ta, i kemi marrë në shfrytëzim dhe i kemi përdorur”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka shtuar se nuk ka pasur asnjë arsye tjetër për shfrytëzimin e shtëpive, përveç për zhvillimin e takimeve dhe strehimin e pjesëtarëve të BIA-s.

“Kam pasur rol që nga themelimi, që nga marrëveshja me Calin, kam qenë zëvendëskomandant i Calit apo ndihmës i tij, deri në një periudhë të caktuar kur e kam ndërruar detyrën. Në emërimin zyrtar të BIA-s, që ka ndodhur më 20 maj 1998 është formuar shtabi i gueriles BIA, brenda të cilit kanë u themeluan katër sektorë për funksionim brena BIA-s. Ata sektorë ishin sektori i shëndetësisë, sektori i logjistikës, sektori i informacionit dhe sektori për moral e politikë. Realisht misioni i BIA-s përmbyllej me këta sektorë që i thash, pastaj përveç lufta që ishte ndaj armikut si qëllim kryesor i joni”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qendrat shëndetësore i kanë krijuar për të trajtuar të plagosurit apo t’u dhënë shërbime popullit meqë forcat serbe i pengonin shqiptarët që të marrin trajtime mjekësore.

Mehmetaj shtoi se qendrat shëndetësore kanë qenë në kuadër të BIA-s dhe kanë funksionuar deri më 24 mars të vitit 1999. Ndërsa si përgjegjëse për shëndetësi, ai ka thënë se ka qenë Flora Brovina, e cila ka pasur staf shëndetësor.

Tutje Mehmetaj ka thënë se nuk ka pasur stërvitje ushtarake të realizuara nga BIA.

Ai ka thënë se ata kanë qenë pjesërisht të armatosur, varësisht nga nevojat dhe lokacionet ku kanë qëndruar.

“Organizimi i BIA-s por edhe gjithë organizimi i UÇK-së e ka pasur një emër, ushtarë lirie, të gjithë kanë qenë ushtar, disa për shkak të specifikave kanë pasur armë, disa nuk kanë pasur armë, por te gjithë kanë qenë ushtar lirie të angazhuar për çlirimin e vendit nga një okupator shumë i keq. Organizimi i UÇK-së i cili quhej BIA ka qenë organizim i UÇK-së i përbërë në këtë natyrë, në këtë formë që po them unë”, ka shtuar Mehmetaj.

Dëshmitari i mbrojtjes ka thënë se kur kanë filluar bombardimet më 24 mars 1999 ai ka qenë në Prishtinë.

“Kur kanë filluar bombardimet më 24 mars kam qenë në Prishtinë, në lagjen time, realisht ka qenë emocion i përzier sepse qytetarët e kanë përjetuar shumë mirë fillimin e bombardimeve por njëkohësisht ka mbretëruar frikë e madhe se çfarë do të ndodhë. Në këtë kohë më kujtohet mirë në Prishtinë me disa anëtar të njësitit që kemi pasur aty afër jemi kujdes që me i qëndru pranë popullatës në rast se fillon ndonjë masakër ose dhunë, që ka qenë e mundshme me ndodhë prej serbëve atëherë, ne me i dalë ballë asaj pune dhe kemi qëndruar në lagje diku deri më datën me sa më kujtohet besoj deri më 31 mars kur ka filluar me hyrë forcat serbe, por jo me bë ndonjë masakër, por kanë filluar vetëm me i largu njerëzit prej shtëpive, me i zhvendos. Ne atëherë kemi ecur në drejtim me popullatën në drejtim të fshatit Matiqan dhe kemi vazhduar e kemi çuar popullatën në Butovc, disa kanë shkuar edhe në një fshat tjetër aty, Mramor”, ka thënë ai.

Pasi kanë shkuar në Butovc, Mehmetaj ka thënë se ai është kthyer në shtëpinë e tij në Prishtinë për të marrë një ‘hard disc’ të cilin ka thënë se e kishte lënë në kompjuterin e tij ku sipas tij punonin me pjesëtarë të tjerë të BIA-s.

Pas kësaj, Mehmetaj ka thënë se është kthyer në Butovc ku ka thënë se ka qëndruar deri në përfundim të luftës, por ka shtuar që ka lëvizur herë pas here.

“Në Butovc kam qëndruar deri në përfundimin e luftës, ose kur kanë hyrë trupat e NATO-s në Kosovë që është më 12 qershor 1999, por jo qëndrim të përhershëm, kam lëvizur kohë pas kohe, por në Butovc ka qenë vendqëndrimi im kryesor. Në momentin kur jam kthyer në Butovc prej Prishtinës besoj që ka qenë fillimi ose dy tre ditë e para të muajit prill dhe kam shkuar të vendi ku e kemi pasur ne të organizuar qëndrimin tonë me ushtarët të BIA-s, aty kam takuar ushtarë e njerëz që kanë qenë aty prezent, kam biseduar për idenë e tërheqjes së materialit nga Prishtina por kemi biseduar më gjerë me Calin edhe për punë të tjera që i takojnë asaj kohe”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se komandant Cali i ka kërkuar atij që të mbajë moralin të ushtarët në atë periudhë që sipas tij ka qenë e rëndë për shkak se shumë qytetarë ishin deportuar nga shtëpitë e tyre dhe ushtarët nuk dinin vendndodhjen e familjarëve të tyre.

“Edhe Cali ka qenë në Butovc, bile e di saktë nja dy netë i kemi bërë bashkë aty. Nuk më kujtohet me numër por e kam parë shpesh gjatë këtyre ditëve. Nuk më kujtohet me numër me thënë kaq herë”, ka thënë Mehmetaj kur është pyetur sa shpesh e ka takuar Salih Mustafën në këtë periudhë.

Brahim Mehmetaj është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara