Lajmet

​BE pret më shumë bashkëpunim mes Qeverisë e Kuvendit në reformat e agjendës evropiane

Ndërkohë opozita adresoi kritika për Qeverinë Kurti.

Published

on

Konsensusi i partive politike për reformat e agjendës evropiane dhe incentiva politike nga ana e BE-së për Kosovën po vlerësohen të jenë faktorë kyç në implementimin e agjendës evropiane ERA II. Ndërkohë opozita adresoi kritika për Qeverinë Kurti duke thënë se nuk ka implementim të reformave duke punësuar militantë partiakë nëpër borde.

Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Katerina Lopo duke kërkuar unitet politik në implementimin e agjendës evropiane, tha se të gjithë kanë përgjegjësi në përshpejtimin e implementimit të ERA-s.

Gjatë fjalës së saj në tryezën “Agjenda për Reforma Evropiane II”, të organizuar nga PIPS dhe Lëvizja FOL, Lopo theksoi se presin nga Qeveria dhe Kuvendi vendime që nuk janë në kundërshtim me ERA-n. Ajo tha se pas dy vjetësh pret të ketë të zbatuar planin e veprimit të ERA II.

“Të gjithë ne kemi përgjegjësi të madhe për të përshpejtuar reformat e BE-së. E di se ka pasur shumë paqëndrueshmëri politike, bashkëpunimi i institucioneve do të ishte i mirë, por mendojmë që kemi një qeveri të re dhe një ERA të re, për të cilën do të thosha se është ERA e vjetër… Nevojitet unitet, gatishmëri e madhe politike që të vazhdojmë me këto reforma të thella që do të donim t’i shohim të realizohen. Do të donim shumë që shoqëria civile të jetë e angazhuar në mënyrë proaktive në monitorim të zbatimit të ERA-s… Do të donim të shohim më shumë fokus në reformat që ndërlidhen me BE-në dhe do të donim të shohim më shumë bashkëpunim mes Qeverisë dhe Kuvendit, që të ketë më shumë konsensus”, tha Lopo.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane Blerta Deliu-Kodra adresoi kritika për Qeverinë Kurti, duke thënë se nuk zbatohet agjenda evropiane duke punësuar militantë partiakë nëpër borde.

“U diskutua arritja e konsensusit ndërmjet forcave… Unë nuk do të them që ne do të revanshohemi, sepse ju e dini që në të kaluarën partia e cila sot udhëheq me qeverinë nuk ka miratuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që ka qenë dokument shumë i rëndësishëm dhe kontrata e parë më BE-në. Ne nuk do ta bëjmë të njëjtën… Ka një shpërputhje të prioriteteve që ka qeveria, në shumicën e rasteve ka një shpërputhje të thellë ndërmjet planeve që i ka Qeveria dhe kërkesave që ne duhet të implementojmë për të përmbushur agjendën evropiane… Nuk mund të kemi qeverisje të mirë nëse qeveria i mbushë bordet me militantë partiakë e politikë. I kemi më shumë se 6 muaj të qeverisë, edhe ERA parasheh që këto trupa të bordeve të përbëhen nga persona profesionalë”, tha Kodra-Deliu.

Edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ishte kritik për mungesën e përfaqësuesve të institucioneve në këtë diskutim për agjendën evropiane ERA II. Ai tha se është zhgënjyese që procesi i integrimit evropian është pakuar dhe se dialogu vjen para zgjerimit.

“Ky proces, që nga fillimi e deri më tani vuan nga mungesa e një incentive të qartë, pra cila është incentiva e qartë e Kosovës për të ndërmarrë këto reforma. Krejt dakord, ‘këto reforma janë për të mirën e juaj’ etj., por në këso reforma duhet të ketë një incentivë të tillë që e karakterizon procesin integrues… Nëse shikojmë mbrapa në kohë, e shoh shumë të vështirë progresin e këtij procesi pa një qartësi sa i përket incentivës të Kosovës nga ky proces, dhe kjo në rastin tonë është më dramatike për shkak të përvojës që kemi me liberalizim të vizave… Përvoja e ERA-s na ka treguar që ekziston një hendek mes çfarë kryeministri thotë dhe çfarë kryeministri bën”, tha Shasha.

Prezantimin e analizës së PIPS e bëri Delfinë Elshani, e cila tha se në vitin 2019 janë zbatuar 74 për qind të prioriteteve të ERA I.

Sa i përket ERA II ajo tha se është kritike të kapërcehen pengesat e përjetuara më parë, për çka dha edhe rekomandimet që kanë përpiluar.

“Gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve dhe dokumenteve të ndryshme duhet të shmanget logjika e ‘ticking the box’, në mënyrë që këto iniciativa të kenë një ndikim sa më pozitiv në mirëqenien e qytetarëve dhe të sigurojnë rezultate të prekshme në sundim të ligjit, në zhvillim ekonomik dhe në përmirësim të perspektivës së arsimit dhe guximit. Një rekomandim tjetër është edhe forcimi i bashkëpunimit mes të gjithë akterëve, bizneseve, shoqërisë civile. Qeveria duhet të ndërrojë qasjen dhe duhet të ketë një qasje më proaktive në përshpejtim të zbatimit të këtyre reformave në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të dukshme… Gjithashtu, institucionet të cilat nuk zbatojnë veprimet si në kohë apo edhe dështojnë në zbatim të përgjithshëm, duhet të mbahen përgjegjëse”, tha Elshani.

Ndërsa Venera Ramaj nga Ambasada e Holandës tha se është e rëndësishme që të intensifikohet përpjekjet për zbatimin e reformave të BE-së, pasi ato janë kyçe për integrimin e vendit.

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Lajmet

Mesazhi i Ramës për Beogradin: Nëse preket Kosova, preket Shqipëria

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar mesazhe të qarta presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke i cilësuar si të pabaza pretendimet e tij për një aleancë ushtarake Shqipëri–Kosovë–Kroaci. Rama i karakterizoi deklaratat e Vuçiqit si një frikë që buron nga paaftësia e Serbisë për të pranuar realitetin.

Në një intervistë për “Turkiye Today”, Rama u shpreh se Kosova mbetet “makthi” i Vuçiqit. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet e presidentit serb se Turqia ka ambicie “neo-osmane” në rajon, duke marrë si shembull vonesat në projektet e restaurimit nga agjencia turke TIKA në Shqipëri. Sipas Ramës, nëse Turqia do të kishte ambicie të tilla, projektet do të përfundonin shumë më shpejt.

“Çfarë neo-osmanizmi? Jam i sigurt që presidenti i Serbisë mund ta shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku”, deklaroi Rama. Kjo ishte një përgjigje ndaj akuzave të Vuçiqit të tetorit të kaluar, i cili pretendonte se Turqia po “ëndërron Perandorinë Osmane” pas shitjes së dronëve Skydagger Kosovës, duke e portretizuar këtë si kërcënim për integritetin territorial të Serbisë.

Rama ironizoi qasjen e Vuçiqit, duke vlerësuar njohuritë e tij, por duke theksuar se emocionet ndaj Kosovës po ia humbin arsyen. “Presidenti Vuçiq është dikush me njohuri të mëdha dhe intuitë të shkëlqyer, por ai ka makthin e tij: Kosovën. Kaq është. Pikë. Kur makthi i pushton emocionet, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Megjithatë, Rama nënvizoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve për Kosovën, Vuçiqi mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet bashkëpunim mbi objektiva të përbashkëta rajonale.

Në fund, kryeministri rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Tiranës zyrtare: “Kosova është e pavarur; është republikë dhe ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova gjendet nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, raporton Ekonomia online.

/Ekonomia online/

 

Continue Reading

Të kërkuara