Lajmet

​BE: Marrja e masave ndaj Kosovës s’ishte e lehtë, palët të de-përshkallëzojnë situatën

BE ka ripërsëritur thirrjen që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë situatën urgjentisht.

Published

on

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur sot se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese, por masa që i përdorin për të treguar se BE është serioze në pritjen e de-përshkallëzimit. BE ka ripërsëritur thirrjen që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë situatën urgjentisht.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se ende presim që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të zbatojë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës.

Në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ai ka potencuar se masa janë të përkohshme, mund të zvogëlohen dhe mund të hiqen. Sipas tij, ato përfshijnë shtyrje të vizitave zyrtare, të komisioneve, apo ngjarjeve që janë planifikuar si dhe bashkëpunimin financiar me Kosovën.

“Siç u përpoqa të sqaroja dje, këto nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Kur përdorim fjalën sanksion ose masa kufizuese, do të thotë masa të cilat bazohen në kornizën ligjore për sanksionim. Ky nuk është rasti në Kosovë, këto janë masa. Këto janë instrumentet që ne po i përdorim për të treguar se Bashkimi Evropian është serioz në pritjen e de-përshkallëzimit dhe reagimin nëse de-përshkallëzimi nuk ndodh dhe prandaj, kur është fjala për marrëdhëniet me Kosovën, dje përmenda se shtetet anëtare mbështetën një sërë masash në lidhje me Kosovën, pasi ende presim që kryeministri Kurti të zbatojë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës, dhe këto masa, janë të përkohshme, mund të zvogëlohen, mund të hiqen, ato përfshijnë shtyrje të vizitave zyrtare, të komisioneve, apo ngjarjeve që janë planifikuar ose janë në planifikim, si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën”, ka thënë ai.

Stano ka potencuar se vendimi i ndërmarrë për masa ndaj Kosovës nuk ka qenë i lehtë. Ai është shprehur se homologët kosovarë janë në dijeni për pritjet e Bashkimit Evropian.

“Sërish nuk do të hyj në detaje, homologët tanë kosovarë janë shumë mirë të informuar për mendimin e Bashkimit Evropian, për pritjet e Bashkimit Evropian. Këto masa nuk janë diçka që Bashkimi Evropian do ta merrte lehtë, por këto janë masat që janë reagimi i domosdoshëm i Bashkimit Evropian ndaj faktit se deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap vendimtar kuptimplotë për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se BE po bën më të mirën për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se qëllimi i përgjithshëm është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i ndihmonte Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së.

“Bashkimi Evropian është një ndërmjetës i ndershëm që po bën më të mirën me sasi të mëdha energjie dhe burimesh për të lehtësuar normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në kërkesat e të dyja palëve, të miratuar nga rezoluta e OKB-së. Pra, ne po bëjmë rolin tonë si lehtësues…Qëllimi i përgjithshëm është të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është qëllimi i përgjithshëm për të mirën e njerëzve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme për rrugën drejt BE-së si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, kështu që për të arritur atje, pritet të japë sjelljen evropiane do të thotë jo përshkallëzimi, por gjetja e zgjidhjeve, de-përshkallëzimi, sjellja evropiane do të thotë konsensus dhe gjetja e kompromiseve duke mos pasur situata konstante kur për shkak të hapave të njëanshëm, kemi krizë pas krize, të cilat Bashkimi Evropian përpiqet t’i zgjidhë”, ka thënë ai.

Lidhur marrëveshjen e Ohrit, Stano ka thënë se asnjëherë nuk është hequr dorë dhe se roli i BE-së është të ndihmojë në arritjen e objektivit të përgjithshëm.

“Lidhur me marrëveshjen e Ohrit ose e ashtuquajtura Marrëveshja e Ohrit për aneksin e zbatimit, ka një deklaratë të qartë të Përfaqësuesit të Lartë të dakorduar qartë nga të dyja palët, është atje, është publikuar. Asnjëherë nuk është hequr dorë, askush nuk ka hequr dorë nga kjo deklaratë dhe është atje. Roli i BE-së është të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë për të arritur objektivin e përgjithshëm. Nëse ata nuk duan, është vendimi i tyre, por nëse duan të përmbushin këtë objektiv dhe përkushtimin e tyre për të ardhmen e BE-së për njerëzit e tyre, atëherë Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë, por në të njëjtën kohë do të presim një sjellje evropiane, dhe sjellje evropiane nuk do të thotë të tregosh vazhdimisht gishtin drejt të tjerëve, por duke parë veten, çfarë mund të bëni veçanërisht nëse partnerët tuaj, aleatët tuaj më të afërt dhe partnerët tuaj po ju tregojnë se cila është rruga përpara”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian është shprehur se nuk ka dijeni për mbajtjen e një takimi “sekret” në Bruksel, për të cilin dje ka folur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se kur bëhet fjalë për dialogun gjithçka është transparente.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të fshehtë për dialogun, gjithçka që bëjmë kur bëhet fjalë për dialogun është plotësisht transparente. Takimet shpallen, komentohen siç duhet. Pra, le të mos e largojmë vëmendjen nga ajo që është vërtet e rëndësishme. Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është që ka përshkallëzim, i cili nuk ndalet, ai vazhdon, dhe nuk ka depërshkallëzim siç presin BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë… Nëse nuk arrijmë të kalojmë nga kjo situatë aktuale e përshkallëzimit të vazhdueshëm në depërshkallëzim të menjëhershëm, kjo do të ketë pasoja negative dhe ka filluar të ketë pasoja negative në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

Stano është pyetur edhe lidhur me rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës nga Serbia, me ç’rast ka thënë se janë duke e ndjekur ngjarjen nga afër.

Tutje, zëdhënësi i BE-së i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në ngritjen e tensioneve. Ai ka ripërsëritur thirrjen që të dy vendet të de-përshkallëzojnë situatën urgjentisht.

“Epo, kjo është diçka që sigurisht po e ndjekim nga afër dhe jemi, si çështje urgjente, në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, që është shumë e rëndësishme në këtë kontekst për të vërtetuar se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe si ndodhi. Dhe ndërkohë ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve, të cilat tashmë janë goxha të larta, dhe dhe me hapa vendimtarë”, ka shtuar tutje ai.

Vendi

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për mungesë kuorumi, shtyhet shqyrtimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbahet të martën për shkak të mungesës së kuorumit.

Këtë e bëri të ditur nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili para gazetarëve foli edhe për Projektligjin për Gjykatën Speciale. Ai tha se vazhdimi i seancës së ndërprerë, ku ishte paraparë shqyrtimi i këtij projektligji, kërkon koordinim dhe dakordim mes partive politike.

“Është çështje komplet jashtë rendit të ditës së Kryesisë. Arsyeja që është ndërprerë seanca ka të bëjë me mungesë të kuorumit dhe realisht kryetarja Haxhiu ka autorizuar që, në koordinim me shefat e grupeve parlamentare, të caktohet një datë kur do të vazhdojë ajo seancë. Mbetet çështje e dakordimit politik, të menaxhuar dhe drejtuar nga kryetarja e Kuvendit”, theksoi Gola.

Ai u pyet edhe për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gola shprehu keqardhje për procesin gjyqësor që po zhvillohet në këtë institucion, ndërsa bëri të ditur se vendimi i fundit do të trajtohet edhe në kuadër të grupit punues për strategjinë lidhur me ish-krerët e UÇK-së, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

“Shprehim keqardhjen tonë për gjithë procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Ne e kemi themeluar një grup punues, në krye të të cilit është zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, dhe shpresojmë që edhe ky vendim të jetë si pjesë shtesë e këtij grupi punues”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Gjykata e Lartë në Beograd cakton paraburgimin dhe lëshon urdhërarrest për Milan Radoiçiqin

Published

on

By

Gjykata e Lartë në Beograd ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit dhe lëshimin e urdhërarrestit ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, pasi ky i fundit nuk është paraqitur në stacionin policor, konfirmim ky i dhënë për median serbe Insajder nga vetë Gjykata e Lartë në Beograd.

Sipas Gjykatës, vendimi për paraburgim dhe fletarrest është marrë për shkak se Radoiçiq i cili ndodhet nën hetime për pjesëmarrje në sulmin e armatosur në fshatin Banjskë nuk është lajmëruar në stacionin policor më 15 nëntor. Paraqitja periodike në polici ishte një nga masat e sigurisë të caktuara nga gjykata si garanci se ai do të ishte i disponueshëm gjatë kohëzgjatjes së hetimeve. Sipas po të njëjtave burime gjyqësore, paraburgimi u caktua për shkak të rrethanave që tregojnë se i pandehuri po fshihet ose është arratisur. Informacionin fillimor se për Radoiçiq është lëshuar urdhërarrest e kishte publikuar portali BIRN.

Milan Radoiçiq po hetohet në Serbi në kuadër të lëndës “Banjska”, e cila u iniciua pas konfliktit të armatosur në fshatin Banjskë të Kosovës më 24 shtator 2023, ku mbetën të vrarë katër persona, rreshteri i Policisë së Kosovës,  Afrim Bunjaku i cili ishte në detyrë dhe tre anëtarë të grupit të armatosur.

Radoiçiq kishte pranuar përmes avokatit të tij, Goran Petronijević, se kishte qenë përgjegjës logjistike për organizimin e grupit terrorist.

Ndonëse Prokuroria e Lartë në Beograd kishte kërkuar paraburgim pas nisjes së procedurës penale për vepra të tilla si armëmbajtje pa leje dhe vepra kundër sigurisë përgjithëshme, gjykata e kishte lënë të mbrohet në liri, me kusht që të dorëzonte pasaportën, të mos udhëtonte në Kosovë dhe të paraqitej në polici çdo dy javë. Që atëherë, prokuroria nuk kishte dhënë asnjë informacion për ndonjë përparim tjetër në këtë hetim.

Paralelisht me këto zhvillime në Serbi, në Kosovë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor kundër 45 personave, ku rasti në Banjskë është cilësuar si terrorizëm dhe sulm ndaj rendit kushtetues, proces në të cilin dy persona tashmë janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe një tjetër me 30 vjet burgim.

Në kohën kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq ushtronte funksionin e nënkryetarit të Listës Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës me lidhje të ngushta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, ndërsa më parë ishte shfaqur shpesh në tubime politike dhe në shoqërinë e zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Serbisë. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Marko Hatlak kërkon falje për interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në Bruksel

Published

on

Muzikanti dhe fizarmonicisti slloven, Marko Hatlak, ka kërkuar falje për përzgjedhjen dhe interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë ceremonisë hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2026 në Bruksel.

Kënga, e cila përmban pretendime nacionaliste serbe ndaj Kosovës, kishte nxitur reagime të shumta pas interpretimit të saj në këtë aktivitet.

Hatlak, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e programit muzikor në emër të Komisionit Evropian, ka thënë se përzgjedhja ishte e paqëllimshme dhe se nuk ishte në dijeni të kontekstit historik e politik të këngës.

Në një reagim publik, ai ka shpjeguar se ishte ngarkuar të përzgjidhte dhjetë këngë, nga një për secilin vend pjesëmarrës në forum, dhe t’ia dorëzonte ato organizatorëve për miratim.

Sipas tij, gjatë kërkimit në Google për një këngë tradicionale nga Kosova, kishte hasur në “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila ishte përshkruar si këngë patriotike.

“Unë e përzgjodha atë nga këndvështrimi i një muzikanti, pra duke u bazuar në harmoninë, ritmin dhe tingullin e saj”, ka shpjeguar Hatlak.

Ai ka thënë se kishte vetëm një javë kohë për përgatitjen dhe interpretimin e programit dhe se, për shkak të afatit të shkurtër, nuk kishte arritur të hulumtonte prejardhjen dhe domethënien e këngës. Sipas tij, as organizatorët nuk e kishin vënë në pah natyrën problematike të përzgjedhjes gjatë shqyrtimit të programit.

“U kërkoj sinqerisht falje të gjithë atyre që janë prekur nga kjo ngjarje”, ka deklaruar muzikanti.

Hatlak ka bërë të ditur se kërkimfaljen ua ka dërguar drejtpërdrejt edhe ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, ambasadorit të Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kryenegociatorit për Integrimin Evropian, Jeton Zulfaj, si dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Ai ka theksuar se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd dhe se nuk do ta kishte interpretuar këngën po ta kishte ditur kontekstin e saj.

“Po ta kisha ditur kontekstin dhe domethënien e saj, sigurisht që nuk do ta kisha interpretuar. Gjatë gjithë karrierës sime, jam përpjekur që përmes muzikës t’u sjell njerëzve vetëm gëzim dhe paqe të brendshme. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të fyej askënd”, ka shkruar ai.

Në fund, Hatlak ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke shpresuar që kërkimfalja e tij të pranohet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Studimi i profesorëve të UBT-së publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”

Published

on

By

Punimi shkencor i profesorëve të Shkencave Mjekësore në UBT, Prof. Dr. Fitim Alidema dhe Prof. Dr. Zejdush Tahiri, në bashkëautorësi me Mr. Ph. Flakron Alidema, është publikuar në revistën prestigjioze ndërkombëtare Pharmacoepidemiology.

Ky studim vëzhgues retrospektiv ka analizuar të dhënat e 4.668 pacientëve të trajtuar me aspirinë 100 mg në kujdesin parësor shëndetësor. Gjetjet kryesore të hulumtimit tregojnë se përdorimi potencialisht i papërshtatshëm i aspirinës është dukshëm më i lartë në parandalimin parësor kardiovaskular (52,3%) krahasuar me atë dytësor (1,8%).

Kontributi i veçantë i këtij punimi të profesorëve të UBT-së qëndron në vlerësimin e përbashkët të indikacionit mjekësor, profilit të rrezikut për gjakderdhje dhe barnave shoqëruese, në raport me ndërprerjen e dokumentuar të terapisë. Sipas analizës, historia e gjakderdhjes gastrointestinale rezultoi të jetë faktori kryesor i lidhur me ndërprerjen e trajtimit me aspirinë, duke nxjerrë në pah nevojën për rivlerësim individual të raportit përfitim–rrezik te secili pacient.

Revista Pharmacoepidemiology, e botuar nga MDPI, renditet në kuartilin Q2 sipas SCImago 2025 në kategorinë e farmakologjisë dhe toksikologjisë, indeksohet në platformat e njohura Scopus dhe Web of Science (ESCI), dhe ka faktor ndikimi 1,6 sipas Clarivate.

Continue Reading

Të kërkuara