Lajmet

​BE dhe UNDP ndihmojnë mbi 7 mijë familje në varfëri të skajshme për gjashtë muajt e ardhshëm

Published

on

Mbi 7 mijë e 500 familje në varfëri të skajshme do të përfitojnë kuponë për ushqim, higjienë dhe artikuj të tjerë të nevojshëm për gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa qendrat për punë sociale në tërë territorin e Kosovës do të kenë burime njerëzore shtesë prej 40 punëtorëve socialë.

Krejt kjo falë Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të cilët sot kanë lansuar projektin e përbashkët për të ndihmuar qytetarët e prekur nga COVID-19.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se periudha e krizës si rezultat i pandemisë me COVID-19 ka rritur pabarazitë shoqërore dhe se gjendja e personave me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve është përkeqësuar.

“BE është këtu për të ndihmuar popullin e Kosovës, fushata e vaksinimit ka filluar dhe ne po punojmë shumë intensivisht me qeverinë dhe partnerët për të siguruar që të arrijmë sa më shumë doza të vaksinave në periudhë sa më të shkurtër. Paralelisht kemi lansuar programin BE për mbrojtje sociale, kemi ndihmuar rreth 200 mijë persona të cenueshëm përmes skemave të mbështetjes, ndihmave humanitare dhe banim për familje, gratë dhe për t’i ndihmuar më mirë atyre familjeve dhe individëve të cenueshëm. Sot kemi kënaqësinë të dorëzojmë dy rezultate konkrete të këtij programi të BE-së, si rezultat i dy aktiviteteve që janë zbatuar nga UNDP. Aktiviteti i parë është ndihma ekonomike për familjet që jetojnë në varfëri, pra shpërndarja e kuponëve 7 mijë e 500 familje, këta kuponë mund të përdoren për të blerë ushqime, higjienë dhe artikujt të tjerë thelbësor për të mbajtur amvisëritë në gjendje të dinjitetshme. Rezultati i dytë është vendosja e punëtorëve të kualifikuar në Qendrat për Punë Sociale, 40 sosh”, tha ambasadori Szunyog.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, tha se pandemia në Kosovë ka goditur ata që tashmë veç kishin vështirësi, por që tha se tashmë janë bashkuar për t’iu ofruar ndihmë atyre që janë goditur më së shumti nga pandemia.

Suokko tha se projekti do të ofrojë mbështetje atyre që jetojnë në varfëri të skajshme, gratë kryefamiljare dhe viktimat e dhunës mbi baza gjinore.

“Kosova dhe populli i saj nuk janë kursyer nga efektet e pandemisë, kriza ka goditur në veçanti ata të cilët tashmë kishin vështirësi që t’ia dilnin mbanë. Në kulmin e krizës UNDP, BE, Ministria janë bashkuar për të planifikuar si të ofrojnë ndihmë të menjëhershme atyre që janë goditur më së shumti. Kjo iniciativë do të ofrojë mbështetje për ata që jetojnë në varfëri apo atyre që luftojnë në margjina të shoqërisë, amvisëritë me gratë si kryefamiljare, viktimat e dhunës mbi bazë gjinore, njerëzit që jetojnë në vende të largëta me qasje të kufizuar në shërbime sociale”, tha ajo.

Suokko tha se nga 40 vullnetarët për Qendrat për Punë Sociale, 90 për qind prej tyre janë gra, ndërsa 18 për qind nga komunitet jo shumicë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se si ministri e vlerësojnë këtë projekt qëllimi i së cilës është lehtësimi i barrës financiare që kanë ekonomitë familjare që përfitojnë nga skema e ndihmës sociale dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore në institucionet e Qendrave për Punë Sociale. Ai tha se si pasojë e pandemisë dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit ka pasur ndikim në rritjen e çmimeve sidomos në artikujt ushqimorë, e kjo sipas tij ka rënduar barrën e familjeve me asistencë sociale.

“Ky program është i mirëseardhur për mbështetjen e atyre familjeve me kuponë ushqimorë, pra do të jenë rreth 7 mijë e 500 familje që përfitojnë për gjashtë muaj, e ku si kritere për përzgjedhjen e këtyre familjeve kanë qenë fillimisht nga familjet që kanë prindër vetushqyes, familjet që kanë anëtar me aftësi të kufizuara, familjet që jetojnë në zona të thella rurale, si dhe familje të tjera me gjendje të rëndë socio-ekonomike. Po ashtu, masa 15 e pakos emergjente fiskale ka treguar që ka hapësirë shumë përtej nivelit ekzistues për zgjerimin e skemës së asistencës sociale, prandaj ne si ministri jemi të përkushtuar që të luftojmë në këto dy fronte. Pra, në njërën anë duke ofruar më tepër ndihmë për ata që kanë më tepër nevojë, por në anën tjetër duke targetuar dhe duke rikonstrukturuar skemat sociale dhe pensionale asisoj që të mbështeten fillimisht ata që kanë nevojë me tepër për mbështetje, kurse ata që janë të aftë dhe kanë mundësi për punë t’u ofrohet mundësi e punësimi në mënyrë që edhe ato familje të kenë mundësi të përfitojnë një pagë të dinjtetshme nga puna e tyre”, tha Murati.

Murati tha se përkushtimi i tyre do të vazhdojë, për çka tha se kanë paraparë ofrimin e skemës për punësim sezonal për familjet në skemat e asistencës sociale.

Projekti i Ndihmës Humanitare financohet nga BE dhe implementohet nga UNDP. 

Lajmet

Aktakuza për krime lufte ndaj 6 ish-gardianëve për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dy aktakuza me propozim për gjykim në mungesë për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në rastin e parë, aktakuza është ngritur ndaj J.J. dhe A.S., ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit gjatë viteve 1998-1999 kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje. Ata gjithashtu akuzohen se i kanë kanosur seriozisht me vrasje.

Ndërkaq, në rastin e dytë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër ish-gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan: L.S., D.L., S.A. dhe B.S.

Sipas aktakuzës, të pandehurat, në bashkëkryerje me të akuzuarën N.C., gjatë periudhës së luftës 1998-1999 kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.

Me këto aktakuza, Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurit të gjykohen në mungesë, në përputhje me legjislacionin në fuqi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Lidershipi në epokën e Inteligjencës Artificiale: Diskutimet kyçe nga paneli i parë i Konferencës Ndërkombëtare

Published

on

By

Në panelin e parë të Konferencës së Lidershipit me temën: “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, e cila u zhvillua në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u vendos fokusi në vëmendjen e institucioneve, e cila shpesh mbetet vetëm te zbatimi teknik, duke lënë anash strategjinë dhe menaxhimin e mençur të këtyre sistemeve.

Pjesë e panelit, Prof. Dr. Blerton Abazi – Dekan i Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT, vuri në dukje se valët e shpejta të inovacionit gjatë dekadës së fundit kanë ndryshuar rrënjësisht terrenin operacional. Profesor Abazi tërhoqi vëmendjen se sistemet e vjetra nuk ishin projektuar me mendësinë e mbrojtjes kibernetike ndaj këtyre sfidave dhe kërkoi që fokusi të zhvendoset drejt lidershipit.

“Që nga viti 2013 e këtej, ne kemi pasur disa ndryshime të mëdha, si Internet of Things, Cloud Computing, Data Science, siguria kibernetike dhe së fundi inteligjenca artificiale. Ne zakonisht diskutojmë për aspektin e implementimit teknik, e shumë pak për aspektin e lidershipit dhe përdorimit sa më të mençur të këtyre sistemeve”, shprehet Abazi.

Në të njëjtën linjë, panelisti dhe profesori i UBT-së, Florin Aliu, potencoi se rrugëtimi teknologjik ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë, duke kulmuar sot me Inteligjencën Artificiale.

Profesor Aliu ftoi për më shumë maturi, duke argumentuar se e ardhmja mbetet e panjohur sepse varet nga vendimet njerëzore, dhe se të dhënat apo teknologjia nuk e zëvendësojnë dot qeverisjen e duhur.

“E ardhmja është e panjohur sepse varet nga vendimet e qeverive dhe njerëzve. Kush mund ta parashikonte krizën financiare të viteve 2008-2009 në SHBA, edhe pse atje janë universitetet dhe kërkuesit më të mirë? Inteligjenca artificiale po përmirëson disa gjëra, por le të mos mbështetemi verbërisht tek ajo sepse ka edhe efekte anësore”, tha Aliu.

Nga këndvështrimi institucional, drejtori i Departamentit të TI-së në ATK, Prof. Agron Hamiti, nënvizoi se procesi i digjitalizimit nuk lë hapësirë për ngurrim, por kërkon një përgatitje të thellë të strukturës organizative dhe menaxhimit të të dhënave. Ai bëri të ditur se po hidhen hapat e parë konkretë për krijimin e një divizioni të dedikuar posaçërisht për inteligjencën artificiale.

“Digjitalizimi nuk lë vend për ngurrim. Ne kemi hartuar dokumente që gjenerohen prej strategjisë së përgjithshme, ku një prej tyre është ajo për menaxhimin e të dhënave. Kemi bërë edhe freskimin e strukturës organizative dhe parashohim krijimin e një divizioni që do të merret veçanërisht me pjesën e inteligjencës artificiale (AI)”, sipas Hamiti. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Operacion i përbashkët SHBA–Nigeri vret zëvendëskomandantin e ISIS në Afrikë

Published

on

Forcat amerikane dhe nigeriane kanë kryer një operacion ushtarak në verilindje të Nigerisë në muajin maj, ku është vrarë Abu-Bilal al-Minuki, i identifikuar si zëvendëskomandant i ISIS në nivel global.

Operacioni u zhvillua pas një sulmi amerikan të autorizuar nga presidenti Donald Trump, i cili deklaroi se militantët kishin synuar komunitetet e krishtera në Nigeri.

Duke folur në një konferencë të shefave të mbrojtjes afrikane në Angola, komandanti i AFRICOM-it, gjenerali Dagvin Anderson, tha se bashkëpunimi SHBA–Nigeri po shërben si model për operacionet e ardhshme të sigurisë në Afrikë.

Sipas tij, SHBA ka tërhequr shumicën e forcave pas përfundimit të operacionit, por po vazhdon bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të inteligjencës me Nigerinë.

Anderson shtoi se operacioni në rajonin e Liqenit Çad ka ndikuar ndjeshëm në degradimin e strukturave drejtuese të Shtetit Islamik, duke goditur komandantë lokalë dhe rrjetet e komunikimit të organizatës militante./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Betohen 12 kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gradohen nëntogerë

Published

on

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit dhe betimit të 12 kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë përfunduar me sukses studimet katërvjeçare në programin ushtarak në Qendrën për Studime Universitare pranë Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, si dhe përgatitjen akademike në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ceremonia nisi me raportimin zyrtar para udhëheqësve shtetërorë dhe komandës së FSK-së, ndërsa kulmoi me betimin solemn të gjeneratës 2026. Pas betimit, kadetët u graduan me gradën nëntoger, duke u bërë udhëheqësit më të rinj të FSK-së.

Ky diplomim u vlerësua si një moment i rëndësishëm për zhvillimin profesional të FSK-së dhe forcimin e kapaciteteve të saj në përputhje me standardet moderne ushtarake./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara