Lajmet

​Banka Botërore: Ballkani Perëndimor ka nevojë për politika e reforma që nxisin rritjen ekonomike

Në një komunikatë për media thuhet se këto kriza po kthehen në pengesa për rajonin.

Published

on

Performanca ekonomike e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor mbetet e prekur nga vazhdimi i luftës në Ukrainë dhe rritja e lartë e çmimeve të energjisë që ka rezultuar prej saj, si dhe nga ngadalësimi i rritjes globale, pohon edicioni i fundit i Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Në një komunikatë për media thuhet se këto kriza po kthehen në pengesa për rajonin, përkundër rritjes më të lartë seç pritej më herët këtë vit.

Falë nxitjes prej konsumit dhe investimeve private, gjysma e parë e vitit 2022 u shoqërua me rritje solide ekonomike që i tejkaloj pritjet.

Në mesin e vitit 2022, nivelet e punësimit kapën pikat më të larta historike në disa prej vendeve të rajonit, ndërsa shkalla mesatare e punësimit në rajon tanimë është 46 për qind, duke u rritur për 3 pikë përqindjeje krahasuar me mesin e vitit 2021.

Të gjithë sektorët kontribuuan në rimëkëmbjen e tregut të punës, por ishin shërbimet (përfshirë turizmin) që luajtën rol madhor. Sidoqoftë, vrulli i rritjes veçse ka filluar të ngadalësohet përballë sfidave në rritje.

Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë shtyrë inflacionin në nivele që nuk janë parë prej shumë vitesh, duke e dobësuar fuqinë blerëse dhe besimin e bizneseve. Aktiviteti në tregun e punës po fillon të ulet teksa shihet ngadalësim i ritmit të punësimit përballë inflacionit të lartë dhe rritjes së pasigurisë.

Edhe pse gjatë vitit 2022 vazhduan trendet rënëse të shkallëve të varfërisë, inflacioni shumë i lartë paraqet rreziqe për uljen e varfërisë në të ardhmen. Po të mos ishte mbështetja prej qeverive, ashpërsia e tronditjes së shkaktuar prej çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të rezultonte me rritje për 13 për qind në numrin e qytetarëve të varfër në Ballkanin Perëndimor.

“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor po i marrin masat e nevojshme si kundërpërgjigje ndaj rritjes së inflacionit dhe krizës energjetike, por çmimi që po paguhet është i lartë: shpenzimet publike janë rritur ndjeshëm”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Është me rëndësi kritike që këto masa t’i zbusin ndikimet e krizave tek amvisëritë dhe bizneset më të cenuara, dhe Banka Botërore është e gatshme t’i mbështesë vendet në këto përpjekje.”

Presionet e shpenzimeve fiskale pas goditjeve të shkaktuara nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit e kanë amortizuar rritjen e të ardhurave publike që solli inflacioni i lartë, si dhe e kanë ndalur konsolidimin fiskal.

Borxhi publik dhe ai i garantuar publikisht pritet të ulet gjatë vitit 2022, por sërish do të mbetet mbi nivelin kulmor të arritur para COVID-it, ndërkohë që kushtet e financimit po shtrëngohen teksa politika monetare globale po përpiqet ta zbusë goditjen prej inflacionit.

“Teksa gjysma e parë të vitit 2022 rezultoi me rritje relativisht solide, tanimë është e qartë se rajonin e pret një stuhi tjetër,” tha Sanja Madzarevic-Sujster,

ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe njëri prej autorëve kryesorë të raportit.

“Goditjet e kombinuara kanë ndikim të rëndë në perspektivën e rajonit. Kushtet më të shtrënguara globale për financim, ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe dobësimi i besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, me siguri që do të ndikojnë në sektorin financiar të rajonit”.

Veç shtrëngimit të kushteve të financimit, raporti vë në pah se ende ekziston risku që COVID-19 të shpërthejë sërish gjatë dimrit, ndërsa zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të jenë në gjendje stresi.

“Në plan afatshkurtër, për të minimizuar rreziqet fiskale, qeveritë duhet t’i kenë prioritet politikat që mbështesim më të cenuarit, duke u siguruar që masat janë të përkohshme dhe prekin ata që kanë më së shumti nevojë,” shtoi Christos Kostopoulos, krye-ekonomist i Bankës Botërore dhe njëri prej autorëve kryesorë të raportit.

Me hapësirë të kufizuar fiskale, prioritet i politikë-bërësve, po ashtu duhet të jenë reformat e domosdoshme që me kosto të kufizuar nxisin rritjen afatmesme.

Sipas raportit, reforma të tilla do të duhej të përfshinin masa për rritjen e nivelit të konkurrencës, heqjen e barrierave për hyrjen e bizneseve të reja në treg, rritjen e mbajtjes së fitimeve dhe ri-investimit mes investitorëve të huaj, zbutjen e barrierave për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, përmirësimin e cilësisë së arsimit, si dhe ngritjen e standardeve të qeverisjes, përfshirë këtu edhe digjitalizimin.

Raporti shton edhe se vazhdimi i krizës është një tjetër argument i fortë për rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër në rajon, në mënyrë që nga hidrokarburet e paqëndrueshme të kalohet drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike, si dhe modeleve më të gjelbra të prodhimit dhe konsumit.

Rajoni

Rektori Hajrizi viziton UniMarconi në Romë

Published

on

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, zhvilloi një vizitë në Universitetin UniMarconi, i pari institucion digjital i i akredituar në Itali.

Me këtë rast, Rektori Hajrizi u takua me Rektorin e UniMarconi-t, Prof. Marco Abate, me Prof. Ulrike Haider-Quercia, udhëheqëse e Shkollës së Doktoratës, si dhe me Prof. Francesco Gaspari, përgjegjës për bashkëpunimin ndërkombëtar.

Të dy rektorët shkëmbyen përvoja rreth zhvillimit të universiteteve moderne, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe mundësive për forcimin e partneritetit ndërmjet dy institucioneve në fusha të ndryshme, si mobiliteti akademik, studimet e përbashkëta, projektet kërkimore dhe inovacioni.

Continue Reading

Lajmet

​Bellingham dhe Foden rikthehen në kombëtaren e Anglisë

Published

on

Jude Bellingham dhe Phil Foden janë rikthyer në skuadrën e Anglisë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Serbisë dhe Shqipërisë.

Trajneri Thomas Tuchel ka ftuar për herë të parë mesfushorin e Bournemouthit, Alex Scott, i cili ka bërë paraqitje mbresëlënëse këtë sezon. Nga ana tjetër, Jack Grealish dhe Danny Welbeck nuk janë përfshirë në listë, ndërsa mungojnë edhe Ollie Watkins dhe Myles Lewis-Skelly.

Bellingham, që kishte munguar në grumbullimin e kaluar për shkak dëmtimi, është rikthyer në formë me Real Madridin, duke shënuar tre gola në katër ndeshjet e fundit. Edhe Foden ka shkëlqyer me Manchester Cityn, ku shënoi dy herë në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmund.

“Jemi të kënaqur që janë rikthyer. Të dy kanë qenë vendimtarë për klubet e tyre dhe tani mund të ndihmojnë edhe kombëtaren,” tha Tuchel.

Anglia kryeson Grupin K me 18 pikë pas gjashtë ndeshjeve, ndërsa përballet me Serbinë në Wembley të enjten dhe me Shqipërinë në Tiranë të dielën.

Skuadra e Anglisë:

Portierë: Henderson, Pickford, Pope

Mbrojtës: Burn, Guehi, James, Konsa, O’Reilly, Quansah, Spence, Stones

Mesfushorë: Anderson, Bellingham, Henderson, Rice, Rogers, Scott, Wharton

Sulmues: Bowen, Eze, Foden, Gordon, Kane, Rashford, Saka./S.K/KP/

Continue Reading

Sport

Vdes në moshën 24 vjeçare lojtari i Cowboys, Marshawn Kneeland

Published

on

Sipas autoriteteve ligjore, ka vdekur mbrojtësi i Dallas Cowboys, Marshawn Kneeland në moshën 24 vjeçare. Ekipi lëshoi ​​një deklaratë të enjten duke mos përmendur shkakun e vdekjes.

“Me trishtim të madh, Dallas Cowboys njoftojnë se Marshawn Kneeland ndërroi jetë tragjikisht këtë mëngjes. Marshawn ishte një shok skuadre i dashur dhe anëtar i organizatës sonë. Mendimet dhe lutjet tona në lidhje me Marshawn janë me të dashurën e tij Catalina dhe familjen e tij.”, thuhet në njoftim.

Cowboys kanë vënë në dispozicion burime këshillimi për të gjithë lojtarët, trajnerët dhe stafin.

Lojtarët aktualisht janë në javën e pushimit dhe nuk janë planifikuar të stërviten përsëri deri të hënën.

Policia e DPS-së gjeti automjetin e Kneeland të rrëzuar në Dallas Parkway në drejtim të jugut pranë Warren Parkway. Sipas raportit, Kneeland iku nga vendi i ngjarjes në këmbë dhe oficerët kontrolluan zonën me ndihmën e K-9 dhe njësive të dronëve.

Ndërsa autoritetet po kërkonin Kneeland, një dispeçer u tha oficerëve se njerëzit që e njihnin kishin marrë një mesazh në grup nga Kneeland duke i thënë lamtumirë. Përafërsisht tre orë më vonë, Kneeland u gjet i vdekur./S.K/NFL/

 

Continue Reading

Rajoni

Profesorët e UBT-së përfaqësojnë institucionin në konferencën ndërkombëtare të projektit COWEB në Sarajevë

Published

on

Profesorët Dr. Engelbert Zefaj dhe Dr. Mentor Shaqiri përfaqësuan UBT-në në konferencën punuese ndërkombëtare të projektit COWEB, e cila u mbajt në Sarajevë, në ambientet e International Burch University.

Gjatë konferencës, përfaqësues nga universitete partnere të rajonit prezantuan punimet dhe rezultatet e tyre kërkimore, duke ndarë përvoja mbi zhvillimin e praktikave të reja në mësimin virtual bashkëpunues.

Në këtë kuadër, profesori i UBT-së Dr. Engelbert Zefaj mbajti një prezantim me temën: “Kultura dhe Ndërkulturaliteti në Mësimin Virtual Bashkëpunues (VCL): Ndikimet Pedagogjike dhe Vlerësimi i Studentëve”, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndikimin pozitiv të tij në përmirësimin e përvojës së të nxënit.

Projekti COWEB ka për qëllim ndërtimin e kapaciteteve në institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor për bashkëpunim ndërkombëtar virtual, duke promovuar pedagogji inovative dhe bashkëkrijimin e përmbajtjeve digjitale që forcojnë aftësitë dhe kompetencat e shekullit XXI.

Nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në këtë projekt, UBT vazhdon të dëshmojë rolin e tij si një ndër institucionet lidere në avancimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe në nxitjen e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Continue Reading

Të kërkuara