Lajmet

​Avokati i Popullit: Procesi zgjedhor ishte i sigurt, i lirë dhe demokratik

Published

on

Avokati i Popullit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka vëzhguar për së afërmi zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura dje, më 14 shkurt 2021, gjithmonë duke pasur parasysh se e drejta për të votuar është thelbësore për demokracinë e bazuar në vullnetin e popullit.

“Bazuar në parimet e monitorimit të pavarur dhe të paanshëm, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) 43 punonjës të IAP-së, të cilët të shpërndarë në ekipe lëvizëse (mobile), kanë vëzhguar procesin e votimit nga perspektiva e të drejtave dhe e lirive të njeriut në pothuajse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Nga ajo që është raportuar nga terreni, Avokati i Popullit konsideron se në tërësinë e vet, procesi zgjedhor është zhvilluar në një atmosferë të sigurt, i qetë, i lirë e demokratik. Pjekuria e qytetarëve në njërën anë, angazhimi maksimal të cilin KQZ-ja e ka treguar në tërësinë e vet në përgatitjet dhe në organizimin e këtyre zgjedhjeve, kanë shënuar moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe nivelin e demokracisë në vend. Prandaj, nga perspektiva e respektimit dhe e ushtrimit të kësaj të drejte politike, Avokati i Popullit shpreh konsideratën dhe vlerësimin e tij maksimal. Po ashtu, Avokati i Popullit vlerëson Policinë e Kosovës për mbështetjen profesionale që ka ofruar përgjatë gjithë ditës së zgjedhjeve nëpër të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar siguri dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Gjithsesi, duke e pasur parasysh vështirësinë që ka një proces zgjedhor, ka pasur segmente specifike nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut që kanë tërhequr vëmendjen e vëzhguesve të Avokatit të Popullit.

Realizimi i zgjedhjeve në situatë pandemie ka imponuar kërkesa specifike përkitazi me masat anti-COVID. Mundësitë e zbatimit të distancës ndërmjet votuesve nuk kanë ekzistuar në secilën qendër votimi, në radhë të parë, por as ndërmjet administruesve të procesit. Ky problem është shfaqur veçmas në qendra të mëdha votimi (kryesisht në qytete), ku fluksi i votuesve ka qenë më i madh. Megjithatë ka pasur respektim sa i përket bartjes së maskave dhe përdorimit të dezinfektuesve.

Në anën tjetër, shumica e shkollave që shërbenin si qendra votimi nuk ofronin kushte të përshtatshme infrastrukturore (mungesa e pjerrinave, ashensorëve etj.) për personat me aftësi të kufizuara në të ecur dhe për personat e moshës së tretë. Të shumtën e herëve, vendvotimet ishin në katet e dyta apo në të treta dhe kjo ka paraqitur vështirësi në realizimin e së drejtës së tyre për të votuar. Ndërkaq, pothuajse të gjitha qendrat e votimit kanë qenë të pajisura me fletëvotime me alfabet të Brajlit, për rastet kur votuesit mund të jenë persona të verbër.

Po ashtu, bazuar në mandatin specifik që ka Avokati i Popullit, ka monitoruar për së afërmi institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, si: qendrat e paraburgimit, qendrat korrektuese dhe Burgun e Sigurisë së Lartë. Vëzhguesit e IAP-së gjatë monitorimit kanë vërejtur se për shkak të bartjeve që kanë ndodhur me të (para)burgosurit, pasi janë dërguar të dhënat përkitazi me ata që kanë të drejtë vote, ka pasur raste kur persona të privuar nga liria nuk kanë pasur mundësi të votonin, sepse emri i tyre nuk ka qenë në listat e ekipit mobil, ndërkaq nuk janë verifikuar aty për aty edhe me listën e përgjithshme të votuesve.

Po ashtu, nën monitorimin e vëzhguesve nga IAP-ja ishin edhe shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, shtëpitë integruese në bashkësi, Qendra për Integrim dhe Rehabilitim të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK). Në këto institucione, administrimi i votimit është bërë nga ekipet mobile të KQZ-së.

Për më tepër, përkitazi me ecurinë e procesit elektoral në të gjitha fazat e tij, Avokati i Popullit do të dalë me raport më të detajuar dhe gjithëpërfshirës, përfshirë raportimet gjatë ditës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt 2021.

Lajmet

Arrestohet në Prizren i dyshuari për keqpërdorim të të dhënave bankare të shtetasve amerikanë

Published

on

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për keqpërdorim të të dhënave bankare dhe personale.

Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim përmes platformave të ndryshme online, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Gjatë aksionit, të realizuar me urdhër të gjykatës, janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me autoritetet amerikane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tërmet 5.9 ballë godet Zelandën e Re

Published

on

Një tërmet me magnitudë 5.9 ka goditur qytetin Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke shkaktuar lëkundje të forta, por pa raportime të menjëhershme për të lënduar apo dëme materiale.

Epiqendra ishte rreth 40 kilometra në veri të Te Anaut, pranë rajonit turistik Fiordland.

Fillimisht autoritetet vlerësuan magnitudën në 6.3 dhe lëshuan paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të sigurta.

Pas rishikimit të të dhënave, magnituda u ul në 5.9, paralajmërimi u zbut dhe më pas u anulua plotësisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Supreme ndryshon dënimin për Edmond Lajqin: Nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së të pandehurit Edmond Lajqi, duke ndryshuar vendimin për dënimin e tij të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të ri të Supremes, Lajqit, i cili është shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve, i është zbutur dënimi nga burgimi i përjetshëm në 30 vjet burgim efektiv. Gjykata ka vendosur që në këtë dënim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët e tjera, aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë kanë mbetur të pandryshuara.

Ndonëse Supremja konstatoi se gjykatat më të ulëta e kishin vërtetuar drejt fajësinë dhe cilësimin juridik të veprave, ajo gjeti se ato nuk e kishin zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme sqaroi se një pjesë e rrethanave të cilësuara si veçanërisht rënduese nuk kishin mbështetje në prova, kurse disa të tjera përbënin elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të përdoreshin sërish për të justifikuar masën më të rëndë ndëshkimore.

“Burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Duke u bazuar në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme vlerësoi se ky standard ligjor nuk ishte plotësuar për dënimin maksimal, duke argumentuar se dënimi i ri i vendosur prej 30 vitesh përmbush plotësisht efektin e drejtësisë.

“Dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm” thuhet në vendim.

Continue Reading

Lajmet

Ish-drejtori i kompanisë së autostradave në Itali dënohet me 12 vjet burg për shembjen e urës Morandi

Published

on

Ish-drejtuesi i kompanisë Autostrade per l’Italia, Giovanni Castellucci, është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, ku humbën jetën 43 persona në gusht të vitit 2018.

Vendimi u mor nga gjykata në Xhenova, ndërsa prokurorët kishin kërkuar një dënim më të ashpër për Castelluccin, i cili ishte në mesin e 57 të pandehurve në këtë proces gjyqësor.

Ura u shemb gjatë një stuhie shiu, duke bërë që automjete dhe kamionë të binin nga lartësia. Tragjedia ndodhi në kulmin e sezonit turistik dhe konsiderohet një nga fatkeqësitë më të rënda infrastrukturore në Itali.

Një tjetër ish-zyrtar i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burgim.

Familjarët e viktimave e mirëpritën vendimin. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në tragjedi, tha se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin e gjykatës, ndërsa Egle Possetti, që humbi motrën dhe familjen e saj, e cilësoi dënimin ndaj Castelluccit si “të pranueshëm”.

Castellucci aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër prej gjashtë vitesh burgim për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në vitin 2013./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara