Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” ka shpallur thirrje publike për dizajnimin e logos dhe krijimin e “Brandbook”-ut zyrtar për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030. Afati për aplikim është deri më 25 mars.
Sipas njoftimit të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, projekti i brendimit duhet të përfshijë logon dhe udhëzuesin për përdorimin e saj, si dhe përshtatjen e identitetit vizual në materiale të ndryshme promovuese, produkte promocionale, objekte sportive dhe jo sportive.
Identiteti vizual pritet të shtrihet edhe në hapësira të rëndësishme që lidhen me organizimin e lojërave, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, qendrën e mediave, qendrën e akreditimit dhe lokacione të tjera ku do të zhvillohen aktivitetet.
Po ashtu, brendimi duhet të përfshijë edhe mjetet e transportit dhe stacionet rrugore, si dhe prezantimin e identitetit vizual në qytetin e Prishtinës dhe në qytetet e tjera ku do të zhvillohen garat. Projekti parasheh gjithashtu përshtatjen e identitetit në veshjet e stafit, vullnetarëve dhe kontraktorëve që do të angazhohen gjatë organizimit të lojërave.
Sipas kritereve të përcaktuara, logoja duhet të jetë origjinale, e qartë dhe e përshtatshme për përdorim në platforma të ndryshme, si në dokumente fizike ashtu edhe në prezantime elektronike, ndërsa duhet të përfshijë edhe rrathët zyrtarë të Lojërave Mesdhetare.
Të drejtë aplikimi kanë kompanitë e dizajnit grafik dhe marketingut digjital që kanë së paku pesë vite përvojë në ofrimin e këtyre shërbimeve. Propozimet do të vlerësohen nga një komision profesional i themeluar nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa vendimi përfundimtar do të miratohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.
Në procesin e vlerësimit do të merret parasysh kreativiteti i konceptit të logos me 45 për qind, zbatimi i identitetit vizual me 30 për qind dhe oferta financiare me 25 për qind.