Kronikë e zezë

​Arrestohen tetë persona nga aksioni policor, lëndohen gjashtë policë në veri të Mitrovicës

PK-ja thotë se grupet kriminale të organizuara kishin bllokuar rrugët.

Published

on

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion policor për luftimin e mallrave të kontrabanduara. Derisa në disa qytete të Kosovës gjithçka shkoi mirë, në veri të Mitrovicës policët u përballën me qytetarët. Nga ky aksion u arrestuan tetë persona, ndërsa gjashtë zyrtarë policorë janë lënduar.

Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie thotë se grupet kriminale të organizuara kishin bllokuar rrugët me mjete të ndryshme transportuese. Ata përdorën bombola gazi, shok bomba e kanë shtënë me armë zjarri e granata dore. Krejt kjo për të penguar sulmin ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë. Megjithëkëtë tashmë thuhet se situata në veri është qetësuar.

“Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare. Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje bëhet e ditur se “Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar. Deri në këtë fazë janë arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona; R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës, A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës, M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri, I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri, M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri”.

Poashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.

“Operacioni policor ka përfunduar, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar, përderisa veprimet e mëtejme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë”, përfundon komunikata e policisë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar duke thënë se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

“Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, ka shkruar Kurti. 

Lajmet

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës

Published

on

Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.

Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.

Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nën masa të larta sigurie, nis gjykimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i akuzuar për kanosje ndaj saj.

Seanca, e caktuar për orën 11:00, po zhvillohet pa praninë e publikut, bazuar në vendimin e gjykatës të datës 10 nëntor 2026.

Mediumi Arbresh.info ka publikuar pamje të momentit kur Njësia Speciale Intervenuese e ka sjellë Sylajn në gjykatë, nën masa të larta sigurie.

Sylaj akuzohet për kanosje ndaj Arlinda Zekajt, e cila tashmë ka ndërruar jetë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara