Lajmet

​Anulohen dy seanca, gjykimi ndaj Shalës vazhdon më 16 qershor

Seancat e tjera të planifikuara për këtë javë janë anuluar.

Published

on

Ka përfunduar intervistimi i dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Procesi gjyqësor do të vazhdojë të premten e 16 qershorit me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa seancat e tjera të planifikuara për këtë javë janë anuluar.

Dëshmitari i shtatë i Prokurorisë, i cili ka dëshmuar nën masa mbrojtëse sikur edhe gjashtë të tjerët para tij, është dëgjuar kryesisht në seanca të mbyllura për publikun.

Me pyetje nga Prokuroria, mbrojtja e Shalës si dhe trupi gjykues, intervistimi i dëshmitarit me kodin 1 ka zgjatur pesë ditë.

Në mbylljes të seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Shalës lidhur me rishqyrtimin e vendimit për deklaratat e mëparshme të të akuzuarit.

“Trupi gjykues i ka marr në konsideratë parashtrimet e bëra nga palët përfshirë përgjigjet e ZPS-së dhe kundër-përgjigjet e mbrojtjes. E rrëzojmë kërkesën, së pari trupi gjykues vëren se rishqyrtimi nuk duhet të përdoret si një mjet i dytë apelimi apo për të riparashtruar kërkesën përpara trupit gjykues për të cilat është marr vendim përpara. Pranueshmëria e deklaratave të të akuzuarit është parashtruar si kërkesë trupit gjykues i ka leje mbrojtjes që të apeloj vendimin e vetë. Mbrojtja e ka bërë këtë gjë dhe Gjykata e Apelit ka marr vendim mbi këtë aspekt dhe e kanë lënë në fuqi vendimin e trupit gjykues, mbrojtja nuk mund të përdor rregullën 79 të rregullores për të rihapur çështje për të cilat është marr vendim… Trupi gjykues mendon se është të rëndësishme që të ruhet parimi i finalitetit, faktit që vendimi është i formës së prerë dhe konstaton që rishqyrtimi nuk është justifikuar për këtë arsye trupi gjykues rrëzon kërkesën e mbrojtjes”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia.

Pjetër Shala, i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021, këtë seancë e ka përcjellur vetëm përmes video-lidhjes.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Opinione

Ditar: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 11 maj 1993-1998?

Published

on

By

Derisa lajmet në vitet e mëhershme kryesisht kanë të bëjnë me aktivitete politike e raste të shumta të dhunës serbe ndaj shqiptarëve, lajmet e 11 majit 1998 pasqyrojnë luftën që po zhvillohej në shumë anë të Kosovës

 (Foto: Ilustrim)

 Në vitin 1993, lajmi kryesor i datës 11 maj ishte ai që kishte të bënte me lëvizjet e ushtrisë serbe në Kosovë.

Kjo është përmbajtja e tij:

Lëvizjet e ushtrisë serbe dhe përqëndrimi i tyre në pjesë të ndryshme strategjike në Kosovë, po intensifikohen gjithnjë e më shumë.

Sot në Gjilan, rreth orës 9.00, nga kazerma e ushtrisë serbe, në drejtim të fshatit Koretishtë, shkoi një formacion me mëse 70 ushtarë. Ushtarët ishin të pajisur me armatim të rëndë dhe të lehtë, si topa e minahedhës. Po ashtu, rreth orës 10.00, nga stacioni i autobusëve të këtij qyteti, në drejtim të Ferizajt, u nis kolona prej 11 kamionësh ushtarakë të tipit TAM. Në kamionë kishte ushtarë, që shoqëroheshin me armatim të rëndë dhe të lehtë.

Lëvizje të ushtrisë serbe ditët e fundit janë vërejtur edhe në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, në fshatrat Stanqiq, Pidiq dhe Shurdhan. 

Sot, rreth orës 7.00, përsëri në aeroportin bujqësor të Dushanovës, ateruan dy helikopterë ushtarakë serbë. Gjithashtu në Dushanovë, dje në kthesën e rrugës që çon në drejtim të aeroportit, është vendosur një patrullë ushtarake serbe.

Ushtria serbe demonstronte praninë edhe në rrugët e Prishtinës:

 Në kuadër të lëvizjeve të shtuara dhe të demonstrimit të forcës të ushtrisë serbe në Kosovë, dje nëpër udhëkryqet e Prishtinës ushtarët serbë, të armatosur me armë të lehta dhe të veshur me pancirë, përcillnin gjendjen. Është hera e parë gjatë muajve të fundit, në një mënyrë të tillë publike ushtarët serbë dalin në rrugë për të demonstruar forcën dhe pranin e tyre.

Ndërkohë, nëpër shumë pjesë të Kosovës, njësitë ushtarake serbe kanë zënë pozicionet strategjike, të shumtën duke i kthyer tytat e artilerisë dhe të armëve të rënda kah qytetet më të afërta. Një koncentrim i forcave serbe është vërejtur edhe në afërsi të Vushtrrisë.

Dje, një kolonë e ushtrisë shkoi deri në fshatin Shtupeq të Rugovës. Rugova është një grykë strategjike në afërsi të Pejës e banuar vetëm me shqiptarë.

Lajmet e tjera kryesore janë: Policia bllokoi një pjesë të tregut në Prishtinë; Në vend të djalit u mor peng nëna e tij; Policia serbe e Qollopekut vazhdon bastisjen e familjeve shqiptare; Në Nashec të Prizrenit u bastis një familje; Milosava Shoshkiq theu banesën e Ramiz Miftarit në Pejë; Përfaqësuesit e misionit të KSBE-së biseduan me autoritetet serbe në Odën Ekonomike të Kosovës; “Zëri i Amerikës”: U nënshkrua marrëveshja për korridorin Lindje-Perëndim nëpër Shqipëri.

11 maj 1994, ka disa lajme protokollare. Një vizitë e presidentit të Shqipërisë Sali Berisha në Rumani, një vizitë e vëzhguesve të Bashkësisë Evropiane në Ulqin.

Lajme të tjera: Japonia i akordoi Shqipërisë një hua 20 milionë dollarë;  Në paraburgim për zhvillimin e hetimeve;  Katër vetave – 39 muaj burg; Policia financiare ua ndali hovin koncerteve në Suharekë; U promovua romani i ri i Emin Kabashit; Ushtria serbe provokon banorët e fshatit Galicë të Vushtrrisë; Aktivistët e LASH-it dhe Këshillit për Financim të Gjakovës u dërguan në Gjykatë serbe të Qarkut në Pejë; Edhe funksionari i instaluar serb në Kosovë kërkon ndalimin e punës së LDK-së së Rugovës;Në Pejë policia nxori edhe një familje shqiptare nga banesa; “Borba”: Serbët shpresojnë në gjendjen e status kuosë në Kosovë.

 Rubrika “Represioni në Kosovë” ka këtë përmbajtje:

Ferizaj: – Sot, rreth orës 3,30 të mëngjesit, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia arrestoi Milazim dhe Selman Zekën në rr.”Jusuf Gërvalla” në Ferizaj.

Në stacionin e policisë në Ferizaj, Milazim Zeka u torturua brutalisht dhe bëhet me dije se kundër tij u përdor edhe kaska elektrike. Selman Zeka u lirua me kusht që të lajmërohet nesër në orën 11 në stacionin e policisë në Ferizaj.

Sot në stacionin e policisë në Ferizaj, inspektorët serbë morën në pyetje Skënder Ferizin, anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të LDK-së Dega në Ferizaj.

Thirrjen për t’u paraqitur sot në stacionin e policisë në Ferizaj e mori edhe Haki Braha, koordinator i Sindikatës së Pavarur të Ferizajt.

Istog: – Pardje, inspektorët serbë morën në pyetje Sylë Maksutajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në Sudenicë dhe anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Vrellë të Istogut. Inspektorët serbë nga Sylë Maksutaj u interesuan të dinë rreth aktivitetit politik dhe për Këshillin për Financim të Istogut.

Deçan: – Pardje në orët e pasditës, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Lush Demukajt në Deçan. Policia gjatë bastisjes shkaktoi dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar shumë orendi. Pas bastisjes, policia mori me vete Lushin dhe vëllain e tij Brahim Demukajn në stacionin e policisë në Deçan. Të lartëpërmendurit u mbajtën rreth dy orë në stacionin e policisë dhe u keqtrajtuan fizikisht. Vëllezërit Demukaj u liruan me kusht që Lushi të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Deçan.

Pardje, policia bastisi shtëpinë e Haxhi Malokut në Irzniq. Meqë Haxhi Maloku nuk gjendej në shtëpi, policia bastisi shtëpinë e axhës së tij, emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë.

Mitrovicë: – Pardje, policia arrestoi në shtëpinë e tij, Bekim Becajn nga Mitrovica, nxënës i shkollës së mesme. Bekim Becajn policia e pat arrestuar edhe më 5 maj, nën prtekst se disponon me një revole. Bekim Bekaj pardje në stacionin e policisë dorëzoi një pistoletë ajrore. Policia e rrahu brutalisht këtë ri, si dhe kundër tij përdori elektroshokun, të cilin ia vunë në organet gjenitale.

Bëhet me dije se Bekim Becaj gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dje në stacionin e policisë në Stantërg, nën pretekst të dorëzimit të armëve u keqtrajtuan fizikisht vëllezërit Ajet dhe Kadri Tahiri nga Sheshi i Vjetër.

Vëllezërit Tahiri u liruan me kusht që të paraqiten sërish dje në stacionin e policisë në orën 10.

Dje, policia bastisi shtëpinë e Nuhi Morinës në të cilën banon Bahri Bunjaku në rr.”Riza Voca” në Mitrovicë. Policët thyen derën dhe morën një pushkë gjuetie me leje.

Klinë: – Më 7 maj, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Daut dhe Ismet Racit. Pas bastisjes, policia ua la thirrjet Daut dhe Shemsi Racit që të lajmërohen në polici më 8, 9 dhe 10 maj.

Podujevë: – Më 6 maj në Turuqicë, policia bastisi shtëpitë e Pajazit, Naim e Sabit Ajetit dhe atë të Ali Rrustemit. Në tri nga familjet e bastisura, policia gjeti nga një pushkë të vjetër, ndërsa personave të lartëpërmendur policia ua la thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë.

Po këtë ditë, policia bastisi shtëpitë e Rexhep dhe Jahir Rexhepit në fshatin Brainë. Njoftohet se personat e lartëpërmendur u keqtrajtuan rëndë.

Më 7 maj, policia bastisi edhe shtëpitë e Sylejman e Ismail Fetahut dhe ato të Beqir Azemit dhe të Murat Munishit. Njoftohet se Murat Munishi (70) u rrah rëndë në prani të anëtarëve të familjes.

Po këtë ditë në fshatin Konushevc, policia bastisi shtëpinë e Ismail Berishës. Njoftohet se pas bastisjes, policia mori me vete djalin e Ismailit, Zeqir Berishën, i cili u keqtrajtua fizikisht në stacionin e policisë në Lluzhan.

Pardje në Pollatë, policia bastisi shtëpitë e Niman L.Latifit dhe atë të Niman F.Latifit. Që të dyve iu lanë thirrjet që të paraqiten në polici.

Pejë: – Dje, rreth orës 15, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, kërkoi Adem Shalën, Halil Berishën dhe Ahmet Tafilajn nga Dobërdoli i Pejës. Këtyre iu lanë thirrjet të paraqiten në stacionin e policisë në Pejë.

11 maj 1995, ndër të tjera, ishin këto lajme: Kryetari Rugova priti diplomatë norvegjezë e suedezë; Kryetari Rugova priti disa studiues grekë; “Zëri” kremton 50-vjetorin e botimit; Parlamenti Evropian shqyrton peticionin e shqiptarëve; Policia ndërhyri në objektet shkollore; Dhuna e përditshme në Kosovë; Doganierët serbë në Preshevë i morën revista e libra dr. Fehmi Aganit; PLK reagon kundër marrjes në polici të Gjergj Dedajt; Muhamet Halili bisedoi me Shtulin; Pse autoritetet maqedonase e mbyllën radiotelevizionin e pavarur “Era” në Shkup?; Eshtrat e shkrimtarit Bilal Xhaferrit varrosen në Shqipëri; Hapet festivali i dhjetë i filmit shqiptar.

11 maji 1998 ishte vit i luftës. Dhe lajmet ishin më të shumta e më të rënda.

Ja disa nga titujt e lajmeve të kësaj dite:

Të shtëna sporadike gjatë natës në Baballoq e Hulaj të Deçanit; Të shtëna me armë mbi fshatin Sllatinë të Prishtinës; Në fshatrat e Lipjanit janë vendosur shumë të ikur nga Llapushniku e Arllati; M. Ollbrajt: Kërkesat e Grupit të Kontaktit patjetër të zbatohen; Vetëm NATO mund të sigurojë paqen dhe stabilitetin; Në një tubim në Kragujevc u tha se në Kosovë në javë ka 700 shkelje të të drejtave të njeriut; Rahovec: Policia serbe keqtrajtoi rëndë një qytetar shqiptar; Nga vizita e diplomatëve amerikanë Hollbruk e Gellbard në Tiranë; Gazetat britanike për aktivitetin e diplomacisë amerikane në vijën Beograd-Prishtinë-Tiranë; Në manifestimin protestues në Prishtinë morën pjesë mijëra qytetarë shqiptarë; Gjatë tërë natës pati të shtëna armësh edhe në Cërmjan; Policia ndërhyri në zyrat e LDK-së, KMDLNJ-së dhe KKF-së në Gllogoc; Forcat serbe dëmtuan disa shtëpi në Llapushnik; Policia ndërhyri në disa familje në rrugën “R. Gajdiku” në Prishtinë; Të shtëna me armë në kazermën ushtarake në Mitrovicë; Polica arrestoi një aktivist të KMDLNJ-së në Podujevë; Mitrovicë: Shtatë shqiptarëve të arrestuar iu vazhdua paraburgimi edhe për 48 orë; Fushë Kosovë: Policia pyet për UÇK-në dhe inçizon shtëpitë e shqiptarëve; Policia ndaloi azilkërkuesin e kthyer; U hodhën bomba në dy lokale të shqiptarëve në Pejë; Policia serbe ka arrestuar tre shqiptarë të një fshati afër Klinës; Policia shkeli me pizgauer disa protestues në Shtimje; Shumë nxënës u keqtrajtuan në postbllokun e Nadakocit; Mitrovicë: Policia arrestoi katër veta; Viti: Policia serbe keqtrajtoi një qytetar dhe bastisi dy familje shqiptare; Në Pejë policët serbë keqtrajtuan një qytetar shqiptar; Në udhëkryqin e Duhlës policia serbe ndali autobusin dhe keqtrajtoi dy të rinj shqiptarë; Në shëtitjet protestuese në Vushtrri e Kaçanik morën pjesë mijëra qytetarë shqiptarë; Policia keqtrajtoi kryetarin e Degës së SHBP-së në Kaçanik; Në Biraq të Suharekës policia serbe keqtrajtoi katër shqiptarë; Gjykata serbe e Pejës i ka filluar hetimet kundër 13 shqiptarëve;  Në rrugën Mitrovicë-Pejë janë plagosur katër serbë; Afër Komoranit u plagosën dy serbë; Dy civilë serbë rrahën e kërcënuan disa shqiptarë në Pejë; Dhunë e shfrenuar në Pejë; Baballoçi po sulmohet me artileri; Forcat serbe granatuan fshatin Cerovik të Klinës; Edhe në Gjilan po ngriten postblloqe të policisë serbe; Rruga Prishtinë – Pejë e mbyllur, policia shtin me armë në mbrëmje në Komoran.

Continue Reading

Vendi

MINT publikon çmimet e reja të derivateve për fundjavë dhe të hënën

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për datat 10 dhe 11 maj 2026.

Sipas njoftimit të ministrisë, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.61 euro për litër, ndërsa benzina nuk mund të shitet më shtrenjtë se 1.50 euro për litër.

Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është përcaktuar në 0.79 euro për litër.

Rritja e shqetësimeve për tregun e naftës po lidhet edhe me tensionet e fundit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Irani ka paralajmëruar vështirësi për anijet e vendeve që mbështesin sanksionet ndaj Teheranit, duke shtuar frikën për ndikim në furnizimin global me derivate. Këto zhvillime kanë nxitur lëvizje dhe pasiguri në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Continue Reading

Vendi

Kosova në Ditën e Evropës: Aspirata evropiane mes pengesave politike

Published

on

By

Kosova po e shënon 9 Majin – Ditën e Evropës – mes simbolikës së orientimit të saj pro-evropian dhe sfidave që vazhdojnë ta përcjellin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndonëse konsiderohet një nga shoqëritë më pro-evropiane në Ballkanin Perëndimor, vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit, edhe pse aplikimi për anëtarësim u dorëzua në fund të vitit 2022.

Për më shumë se dy vite, procesi integrues i Kosovës u rëndua nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të vendosura pas tensioneve në veri gjatë vitit 2023. Këto masa sollën pasoja edhe në aspektin financiar, duke bllokuar mbi 600 milionë euro projekte dhe mbështetje për Kosovën, deri në fillim të vitit 2026, kur Brukseli vendosi t’i largojë ato.

Situata nxiti reagime dhe kritika për qasjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në raport me zhvillimet në rajon. Ndërkohë që Kosova u përball me masa kufizuese, Serbia nuk u sanksionua në mënyrë të ngjashme as pas sulmit të armatosur në Banjskë, ngjarje që tensionoi më tej raportet mes dy vendeve.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se Kosova ka treguar vazhdimisht orientim të qartë drejt Bashkimit Evropian, sidomos përmes përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane.

“Kosova është jashtëzakonisht shumë e përkushtuar drejt integrimit evropian. Të gjitha ligjet që janë miratuar që nga pavarësia janë në përputhje me ligjet e BE-së dhe në këtë aspekt Kosova është shumë e përgatitur”, thotë Arifi.

Sipas tij, megjithëse Kosova ka bërë progres në aspektin institucional dhe ligjor, pengesat politike vazhdojnë të mbeten vendimtare në procesin e integrimit.

“Procesi i integrimit nuk është vetëm teknik, por edhe politik. Problemi politik ka ndikuar që Kosova të stagnojë në këtë proces, edhe pse është ndër vendet më pro-evropiane jo vetëm në Ballkan, por edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian”, deklaron ai.

Arifi thekson se një ndër vështirësitë kryesore mbetet fakti që pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që, sipas tij, krijon pengesa të vazhdueshme në avancimin e vendit drejt strukturave evropiane.

“Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe kjo realisht e dëmton rrugën drejt integrimit. Në një mënyrë të vetëdijshme apo jo, vetë BE-ja po e dëmton procesin e integrimit të Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, shprehet Arifi.

Ai kritikon edhe vendimin për masat ndëshkuese, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me ndikim negativ për zhvillimin e vendit.

“Masat ndëshkuese të BE-së kanë qenë jashtëzakonisht të dëmshme dhe jokorrekte dhe kanë ndikuar shumë në potencialin tonë si shtet”, thotë ai.

Profesori vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ndërtimin e standardeve evropiane, pavarësisht ritmit të integrimit formal në BE.

Ai shton se forcimi i institucioneve dhe funksionimi sipas standardeve evropiane duhet të mbetet prioritet i Kosovës, pavarësisht sfidave politike që e shoqërojnë procesin.

“BE-ja duhet ta bëjë një hap dhe ta pranojë Kosovën si vend kandidat. Kjo do ta ndryshonte edhe politikën e Serbisë, sepse do të kuptohej qartë se Bashkimi Evropian nuk ka më dykuptimësi për shtetësinë e Kosovës”, deklaron Arifi.

Pas heqjes së masave ndëshkuese, pritjet tashmë janë që institucionet e Kosovës të fokusohen në objektivat e ardhshme evropiane, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe avancimin drejt statusit të vendit kandidat.

Në Ditën e Evropës, Kosova vazhdon ta shohë integrimin evropian si synim strategjik, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje dhe trajtim më të barabartë nga Bashkimi Evropian.

Continue Reading

Lajmet

MINT gjobit KEDS-in edhe me 35 mijë euro pas parregullsive me njehsorët elektrikë

Published

on

By

Komisioni verifikues në kuadër të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) po vazhdon me verifikimin e njehsorëve elektrikë pas ankesave të shumta të qytetarëve, proces ky që ka rezultuar me masa ndëshkimore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas kontrolleve laboratorike të 16 njehsorëve, janë gjetur shkelje të rënda, për çka Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.

Nga analizat e detajuara laboratorike, në gjashtë raste është vërtetuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në gjashtë raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, inspektorët kanë konstatuar një rast të heqjes së miratimit të tipit të njehsorit, ndërkohë që tre pajisje të tjera janë ende në proces të ekzaminimit të mëtutjeshëm.

MINTI dhe Agjencia e Metrologjisë kanë bërë të ditur se ky aksion nuk do të ndalet me aq. Verifikimet do të vazhdojnë intensivisht edhe në ditët në vijim për të garantuar që çdo pajisje matëse funksionon sipas standardeve ligjore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga faturimet e pasakta dhe sigurimin e transparencës në tregun e energjisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara