Lajmet

​Aliu: Me shpronësim të pronave është zhbllokuar terminali doganor në Han të Elezit

Aliu akuzoi kompaninë private për vënie pengesash në prona private e në ato të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Published

on

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media, ka folur për problemet që ishin në terminalin doganor të Hanit të Elezit, ku theksoi se vendimi i djeshëm i Qeverisë për shpronësim të pronave në Han të Elezit, i hap rrugë zhbllokimit të një terminali privat doganor.

Madje, ministri Aliu ka akuzuar kompaninë private për vënie pengesash në prona private e në ato të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Ministri Aliu theksoi se pengesat kanë qenë që nga 1 nëntori i vitit të kaluar, ku të gjithë transportuesit e mallrave kanë qenë të obliguar të kalojnë në rrugën që është gjobitur, duke iu kërkuar 40 euro për të hyrë në terminalin privat si mundësi e vetme për zhdoganim mallrash.

“Më 1 nëntor kemi marrë një ankesë nga agjendët doganorë lidhur me bllokimin e terminalit në Hanin e Elezit dhe kështu që transportuesit e mallrave kanë qenë të obliguar të kalojnë nëpër rrugën dhe janë gjobitur ku është kërkuar nga transportuesit të paguajnë 40 euro për t’u futur në terminalin privat atje. Dhe kjo ka qenë mundësia e vetme e tyre për me bërë zhdoganimin e mallrave respektivisht për me kaluar në atë terminal. Kështu nëse ata do të donin që të bënin zhdoganim në një terminal tjetër që kanë të drejt kudo në Kosovë, ata do ta paguanin vetëm atë 40 euro dhe kudo që shkojnë diku tjetër duhet të paguanin prapë një 40 euro tjetër. Ky bllokim i tillë ka krijuar një situatë ta pavolitshme për transportuesit e mallrave. Ka krijuar një precedan të keq ku një operator privat të bllokojë rrugën dhe detyron operatorët respektivisht transportuesit e mallrave të kalojnë domodoshmërisht nga një terminal i caktuar”, theksoi Aliu.

Ministri Aliu ka shtuar se me marrëveshje, pronari i pronave të privatizuara s’ka pasur të drejtë të bllokonte rrugën. Ai deklaroi se AKP-ja ka hasur në pengesa në tri prona për t’i hequr bllokadat, për të cilat prona gjykata ka vendosur që t’i japë të drejtë operatorit privat, ta bllokojë pronën e AKP-së. Këtë vendim të gjykatës, ministri Aliu e ka quajtur të çuditshëm.

“Kemi kërkuar nga AKP të bëjë menjëherë zhbllokimin e kësaj rruge, dhe kështu ky institucion pas kërkesës tonë ka filluar me bërë zhbllokimin, ku ndërkohë kanë hasur në një problem ku tri nga ato parcela të cilat janë nën menaxhim të AKP-së për to ka një vendim gjykate, ku gjykata i jep të drejt operatorit privat që ta bllokoj pronën e AKP-së. Ky ka qenë një vendim i çuditshëm i gjykatës për shkak se në këtë proces fare nuk ka qenë e përfshirë as AKP-ja… Kësisoj janë marrë vendimet e para për zhbllokim dhe përfundimisht ne kemi marrë vendim që përpos zhbllokimit të rrugës që ndodhi javën që shkoj, dje qeveria në mbledhjen e qeverisë kemi marrë vendim që të bëjmë shpronësimin e pronave të cilat janë aktualisht nën menaxhim të AKP-së. Kështu është e drejta ligjore që qeveria t’i shpronësojë drejtpërdrejt dhe t’i kthej në pronësi të shtetit dhe rrjedhimisht të eliminojmë çfarë do lloj mundësie për një bllokim të tillë”, theksoi ai.

Në këtë konferencë për media, ministri Aliu theksoi se sa i përket reshjeve të borës gjatë ditës së sotme, ministria të cilën e drejton ai, është e mobilizuar gjatë gjithë kohës me të gjithë operatorët ekonomik në terren për pastrimin e rrugëve. Kështu ai tha se të gjitha rrugët janë të kalueshme.  

Lajmet

Zbulimi i varrezave masive në Zubin Potok: Kryeprokurori Gashi e cilëson si obligim ligjor e moral ndriçimin e fatit të viktimave të luftës

Published

on

By

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me rastin e zbulimit të varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet për trupa të tjerë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryeprokurori Gashi ka vlerësuar lart punën e të gjitha institucioneve ligjzbatuese që janë të përfshira në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka ky rast për drejtësinë dhe familjarët.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive është një përpjekje dhe angazhim shtetëror për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Mbi të gjitha, ndriçimi i këtyre rasteve përbën një detyrim institucional dhe ligjor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që prej vitesh presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre“, ka deklaruar Kryeprokurori Gashi.

Në deklaratën e tij, ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës për identifikimin e përgjegjësve për këto krime.

“Kryeprokurori i Shtetit vlerëson praninë e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve në vendin e ngjarjes ku janë gjetur mbetjet mortore. Kontributi dhe bashkëpunimi i secilit kanë qenë dhe mbetet thelbësor për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe për identifikimin e personave përgjegjës të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve me qëllim që ata të përballen me drejtësinë“, përmbyllet deklarata. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon Zijadin Selën, diskutojnë zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e partisë Lidhja Shqiptare dhe deputetin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Zijadin Selën.

Gjatë takimit, Kurti i uroi mirëseardhje Selës në Prishtinë dhe e falënderoi për vizitën, ndërsa bashkëbiseduan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedës ishin përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, formimin e Qeverisë së re dhe procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së vendit.

Palët diskutuan gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë dhe aksit Bllacë–Shkup./A.K/

Continue Reading

Lajmet

KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së

Published

on

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato tejkalonin kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas KDI-së, dispozitat e shfuqizuara i jepnin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kompetenca shtesë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave, zgjeronin kërkesat për dokumentacion dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave, duke lënë hapësirë për vendimmarrje arbitrare.

KDI thekson se rregullorja kufizonte edhe pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, gjë që, sipas organizatës, cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kufizoheshin edhe të drejtat e vëzhguesve dhe mediave për të ndjekur mbledhjet publike të KQZ-së dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i tyre garantohet me ligj.

Sipas KDI-së, vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë ligjore, duke vendosur një standard të rëndësishëm për ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe transparencën në administrimin e zgjedhjeve.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje KQZ-së që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga 1 shtatori vendoset tarifa e rikyçjes për konsumatorët që shkyçen për mospagesë të rrymës

Published

on

By

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka njoftuar konsumatorët se nga 1 shtatori 2026 do të fillojë zbatimi i tarifës së rikyçjes nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Sipas njoftimit të KESCO-s, kjo tarifë do t’u aplikohet të gjithë konsumatorëve të cilët shkyçen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave dhe kërkojnë rikyçjen e furnizimit. Masa bazohet në Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Tarifa e re e rikyçjes do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi. Perveç kanaleve zyrtare të komunikimit, njoftimi do të përfshihet edhe në faturat mujore të rrymës që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.

KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet financiare brenda afateve të përcaktuara në faturë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen dhe kostot shtesë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara