Lajmet

​80 pacientë me COVID-19 në Spitalin e Pejës, gjysma në oksigjenoterapi

Published

on

Aktualisht në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës janë të hospitalizuar 80 persona, prej tyre 42 janë me oksigjenoterapi. Por përkundër këtyre shifrave, nga udhëheqësit e këtij spitali po vlerësohet se situata është nën kontroll.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Skender Dreshaj tha se gjendja me pacientët në këtë spital është e menaxhueshme. Sipas tij, trendi i rasteve që kërkojnë hospitalizim në këtë spital ditëve të fundit është pothuajse i njëjtë.

“Ka disa ditë që ne kemi një numër të njëjtë të rasteve që sillet rreth 80 pacientë të shtrirë të hospitalizuar raporti i atyre që janë nën oksigjenoterapi dhe atyre pa nevojë me këtë tretman është më i vogël si kundër krahasuar më herët e tjera. Mund të themi se ka disa ditë që nuk kemi tendencë të rritjes së rasteve të reja që na bënë të shpresojmë qe edhe kjo valë e përhapjes është në fazën e vetë përfundimtare”, tha ai.

Dreshaj deklaroi se 42 pacientë janë me oksigjenoterapi, ndërsa shtoi se trajtimi i pacientëve të prekur me COVID nuk i ka lënë pa shërbime mjekësore pacientët që vuajnë nga sëmundjet e tjera.

“42 (pacientë) janë në oksigjenoterapi dhe një me CPAP maskë. Ne e kemi një plan të menaxhimit të kësaj situate që parasheh tri faza dhe në atë të tretën dhe ne jemi në gjendje t’i fusim në funksion 16 (shtretër) që paraqet 40 përqind të kapaciteteve tona. Vënia në funksion e këtyre shtretërve për pacientët më COVID nuk i rrezikon në asnjë moment kapacitetet tona në trajtimin e pacientëve më sëmundje të tjera”, tha ai. 

Edhe në komunën e Pejës ka filluar sot vaksinimi kundër COVID-19.

Lajmet

REL: Kosova dhe Ukraina: Kur historia përsërit pamjet e saj

Published

on

By

Fotografi të nënave që qajnë mbi arkivolet e fëmijëve të tyre të vrarë, njerëz që ikin nga lufta me trena e autobusë, trupa të vrarësh në rrugë… Këto fotografi të luftës në Kosovë dhe në Ukrainë janë shkrepur me mbi 20 vjet diferencë, por kanë një ngjashmëri të frikshme, dhe shërbejnë si kujtesë se lufta ka po të njëjtën fytyrë kudo, ajo sjell vuajtje të pafundme njerëzore dhe shkatërrim të madh. Teksa lufta në Kosovë përfundoi më 1999 pas ndërhyrjes së NATO-s, ajo që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022 po vazhdon dhe me të po vazhdojnë edhe vuajtjet e ukrainasve.

 

Kosovë: Një grua shqiptare duke qarë mbi arkivolin e djalit të saj, një luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i vrarë në vitin 1999. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, afër 2.000 luftëtarë të UÇK-së u vranë gjatë luftës në Kosovë.

Ukrainë: Nëna e majorit Ivan Skrypnyk duke qarë mbi arkivolin e djalit të saj, i cili vdiq si pasojë e sulmit të kryer nga Rusia me raketa në bazën ushtarake ukrainase në Javoriv. Në fillim të vitit 2026, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 55 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në mbrojtje të Ukrainës që nga fillimi i luftës më 2022. Megjithatë, numri i saktë i të vrarëve nuk dihet.

Kosovë: Një grup shqiptarësh pasi arritën në këmbë nga Peja në kufirin me Malin e Zi më 30 mars 1999.

Ukrainë: Një grua duke u transportuar me karrocë, në mes të njerëzve që i ikën sulmeve ruse në Irpin, afër Kievit më 9 mars 2022.

Kosovë: Një burrë duke shikuar një dritare të thyer në Prishtinë më 13 prill 1999, pas sulmeve ajrore të NATO-s mbi caqet serbe në kryeqytetin e Kosovës.

Ukrainë: Një grua mund të shihet përmes një çarjeje në xhamin e një makine, e cila u godit nga raketat ruse pranë një blloku apartamentesh në Kiev.

Kosovë: Një tren i mbipopulluar në Prishtinë duke transportuar refugjatë të shumtë shqiptarë, që largoheshin nga Kosova drejt Maqedonisë [tashmë Maqedonisë së Veriut] më 1 prill 1999. Sipas UNHCR, 800 deri 900 mijë shqiptarë janë detyruar të largohen nga vendi gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Ukrainë: Njerëz që ikin nga pushtimi rus i Ukrainës mblidhen në stacionin e trenit në Lviv, Ukrainë, 9 mars 2022. Rreth 6.9 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022, sipas UNHCR. Ky është numri më i madh i refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen katër persona për mashtrim mbi 1.5 milion euro, paraburgim 30 ditësh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R., dhe B.Z., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në bashkëkryerje. Shuma e dëmit të shkaktuar dyshohet të arrijë 1,578,180 euro, sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, M.M. dyshohet edhe për falsifikim dokumentesh, ndërsa D.R. dyshohet edhe për legalizim të përmbajtjes së rreme. Të katër të dyshuarit janë ndaluar fillimisht për 48 orë, ndërsa Gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokurori ka nxjerrë urdhër ndalues për parcelat përkatëse të përfshira në rast, pasi ekziston dyshimi se prona është shitur në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Gjykata ka kërkuar gjithashtu lëshimin e urdhërit ndalues përfundimtar për sigurimin e pronës deri në përfundim të procedurës penale.

 

Continue Reading

Lajmet

Ish-drejtori i AKI-së dënohet sërish në rastin “Gylenistët” me 4 vite e 8 muaj burg

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sërish fajtor ish-drejtorin e Agjencia Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Aktgjykimin e dha kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra. Përveç dënimit me burg, Gashit iu shqiptua edhe masa plotësuese që ndalon ushtrimin e funksioneve në administratën publike për katër vjet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.

Sipas aktakuzës së Prokuroria Speciale e Kosovës, në mars 2018, gjatë kohës si drejtor i AKI-së, Gashi kishte tejkaluar kompetencat e tij duke u përfshirë në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, në kundërshtim me procedurat ligjore.

Rasti ishte kthyer për rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës në dhjetor 2024 vetëm për pjesën që lidhej me Gashin, ndërsa lirimi i dy të akuzuarve të tjerë ishte konfirmuar. /Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Osmani priti komandantin e larguar dhe komandantin e ri të KFOR-it amerikan në Kosovë

Published

on

By

Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani, priti dje në takim lamtumirës kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisiana, komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin gjatë mandatit të tij në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i dorëzoi një mirënjohje për angazhimin e çmuar.

Më tej, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të pranisë së Ushtrisë së Shtetet e Bashkuara në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it, duke nënvizuar se kjo mbështetje është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe rajon. Ajo shtoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj SHBA-së për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat.

Continue Reading

Të kërkuara