Lajmet

​26 vjet nga rënia e tre ushtarëve emblematikë të UÇK-së

26 vjet më parë ranë heroikisht tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Published

on

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë.

Aktivitetet ushtarake Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë.

Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan.

Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake.

Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj.

Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

Për të gjithë aktivitetin e tij ndihmën më të madhe ia ka dhënë kushëriri i tij Fadil Pajaziti i cili ishte një biznesmen dhe pothuajse të gjithë financimin e ka pasur nga ai.

Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës.

Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo.

Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

Hakif Zejnullahu ka një kontradiktë mes heshtjes së tij dhe punës së bërë prej tij. Nëse heshtjen e ka të jashtëzakonshme, punën e ka po ashtu të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme.

Live

Marta Kos: Sot zhvillohen katër konferenca për BE-në, Shqipëria mbyll tre kapitujt e parë

Published

on

By

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka cilësuar të martën si një ditë të rëndësishme për procesin e zgjerimit, duke njoftuar se për herë të parë në më shumë se dy dekada po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit brenda së njëjtës ditë.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social X, Kos bëri të ditur se katër vendet që po shënojnë hapa përpara në këtë proces janë Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Sipas saj, Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, duke pasur të mbyllur 18 nga 33 kapitujt gjithsej.

Komisionerja Kos theksoi se ky momentum i krijuar duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

Published

on

By

Në raportin e fundit të Policisë së Kosovës janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në disa komuna të ndryshme. Në të gjitha rastet, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorëve përkatës.

Në Graçanicë janë raportuar dy raste të ndara të dhunës psikike. Në rastin e parë, një grua ka njoftuar se ish-bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike të vazhdueshme ndaj saj. Në rastin e dytë, një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj motrës së tij.

Në Lipjan është arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Dy viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor.

Në Istog dhe në Rahovec janë regjistruar dy raste të ngjashme ku bashkëshortet kanë qenë viktima të dhunës fizike nga burrat e tyre. Viktimës në Istog i është ofruar edhe ndihma mjekësore, ndërsa rasti ka kaluar nën hetime.

Një grua në Pejë ka pranuar trajtim mjekësor pasi është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar nga policia dhe më pas është liruar.

Në Mitrovicën e Veriut është iniciuar rast ndaj një personi, i cili dyshohet se ka kanosur përmes telefonit ish-bashkëshorten e tij.

Continue Reading

lajme

Profesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, ftohet si studiuese kërkimore në një nga bibliotekat më prestigjioze në botë

Published

on

By

Profesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, është ftuar zyrtarisht si Guest Researcher në Herzog August Bibliothek në Wolfenbüttel të Gjermanisë, një prej bibliotekave kërkimore më prestigjioze në botë dhe ndër institucionet më të rëndësishme për studimet humanistike.

Ky angazhim përbën një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për punën e saj shkencore, duke e pozicionuar atë në një prej qendrave më elitare të kërkimit në Evropë, ku studiues nga e gjithë bota zhvillojnë projekte mbi historinë, kulturën dhe trashëgiminë intelektuale evropiane.

E themeluar në vitin 1572, Herzog August Bibliothek ka një histori mbi 450-vjeçare dhe në shekullin XVII njihej si “Mrekullia e Tetë e Botës”, falë koleksionit më të madh të librave në Evropë. Biblioteka ruan mijëra dorëshkrime mesjetare, inkunabula, harta historike, dokumente arkivore dhe koleksione unike me rëndësi botërore. Ndër pasuritë e saj më të çmuara është edhe Evangeliari i Henrikut të Luanit, një nga dorëshkrimet më të rëndësishme të Mesjetës evropiane. Institucioni është udhëhequr ndër shekuj edhe nga personalitete të shquara të mendimit evropian, si Gottfried Wilhelm Leibniz dhe Gotthold Ephraim Lessing.

Gjatë qëndrimit në këtë institucion, Prof. Bekteshi-Ferati do të zhvillojë projektin e saj kërkimor me titull “Cultural Encounters and Theatrical Representation: The Balkans between the Ottoman and Habsburg Worlds (16th–18th Century)” (“Takimet kulturore dhe përfaqësimi teatror: Ballkani ndërmjet botës Osmane dhe asaj Habsburge (shekujt XVI–XVIII)”), duke hulumtuar në një nga fondet më të pasura arkivore në Evropë.

Ky projekt synon të analizojë ndërveprimet kulturore dhe mënyrën e përfaqësimit të Ballkanit në teatër gjatë periudhës ndërmjet shekujve XVI dhe XVIII, duke u mbështetur në burime të rralla historike dhe materiale arkivore me vlerë të jashtëzakonshme shkencore.

Continue Reading

Lajmet

Vdes një grua në Fushë Kosovë si pasojë e një aksidenti të ndodhur në qershor

Published

on

By

Një grua ka vdekur dje në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të marra nga një aksident trafiku që kishte ndodhur më 5 qershor 2026 në rrugën “Nënë Terezë” në Fushë Kosovë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, asaj i është keqësuar gjendja shëndetësore të hënën, me ç’rast është dërguar me autoambulancë në Emergjencën e QKUK-së në Prishtinë, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara