Lajmet

​10 përfitimet nga bashkëpunimet në vendin e punës

Bashkëpunimi ndodh atëherë kur ekipi punon së bashku dhe i kombinojnë aftësitë dhe përvojën.

Published

on

Bashkëpunimi i suksesshëm e rritë kualitetin e ekipit, e nxit produktivitetin si dhe moralin e punonjësve.

Çka është bashkëpunimi? Ai ndodh atëherë kur ekipi punon së bashku dhe i kombinojnë aftësitë dhe përvojën. Ata e bëjnë këtë për të zgjidhur probleme, të gjejnë ide të reja ose edhe të krijojnë diçka inovative, por përfitimet nga bashkëpunimi në punë janë në numër më të madh.

Rritë produktivitetin

Kur anëtarët e ekipit bashkëpunojmë me të tjerët në një projekt, ata arrijnë t’i ndajnë detyrat dhe të operojnë në mënyrë më efikase si grup. Puna në grupe zakonisht i bën individët të jenë më të zellshëm për t’i përfunduar detyrat, për shkak të presionit të bashkësisë. Ata kanë zakonisht më shumë motiv sesa kur punojnë individualisht.

Pikëvështrime të ndryshme

Shumë ekipe kanë anëtarë të moshave, prejardhjeve dhe stileve të ndryshme të punës. Duke kombinuar përpjekjet, individët mund të mësojnë më shumë për njëri-tjetrin dhe të dëgjojnë nga këndvështrime të ndryshme. Dikush mund të sugjerojë një qasje unike për një detyrë ose të jetë në gjendje t’i kuptojë të tjerët shumë mirë.

Marrëdhënie të përmirësuara

Bashkëpunimi mund të jetë një mjet efektiv që ekipet të njihen më mirë me njëri-tjetrin. Të mësosh më shumë për të tjerët në vendin e punës mund të zbulojë aftësi dhe njohuri të rëndësishme, të cilat mund të jenë të dobishme për një projekt aktual ose të ardhshëm. Kjo gjithashtu mund të krijojë marrëdhënie më të forta midis kolegëve dhe të përmirësojë besimin e tyre në aftësitë e njëri-tjetrit.

Zgjidhje inovative

Kur ekipet punojnë së bashku, ata shpesh janë më inovativë. Individët mund të punojnë mbi idetë e njëri-tjetrit, duke çuar në zgjidhje më kreative dhe ide origjinale. Ideja e një personi mund të frymëzojë një mendim ose koment shtesë nga dikush tjetër. Një qasje bashkëpunuese u mundëson ekipeve të kombinojnë ekspertizën e tyre kolektive, për të ndërtuar diçka të madhe në fund.

Zgjidhja më efektive e problemeve

Nëse hasni një sfidë në punë, pyesni të tjerët për këshilla sepse kjo mund t’ju ndihmojë ta gjeni një zgjidhje më efikase. Një anëtar tjetër i ekipit tuaj mund të ketë përvojë të drejtpërdrejtë me çështjen ose detyrën në fjalë. Bashkëpunoni me dikë që e dini se ka cilësi ose aftësi që mund të përfitojnë nga një projekt ose situatë. Kjo mund t’ju ndihmojë të maksimizoni efektivitetin e zgjidhjeve tuaja dhe t’ju tregojë se si t’u qaseni sfidave të ngjashme në të ardhmen.

Më shumë qejf

Të punosh me një ekip është shpesh më argëtuese dhe gjallëruese sesa të punosh vetëm. Kur bashkëpunojnë me të tjerët, anëtarët e ekipit mund të ndajnë ide, t’i demonstrojnë teknika të reja njëri-tjetrit dhe të marrin këshilla nga njëri-tjetri. Puna ekipore shpesh mund të nxisë një ndjenjë komuniteti, duke i bërë të gjithë të ndihen sikur po e bëjnë një detyrë shumë të rëndësishme.

Rritja e njohurive

Kur bashkëpunojnë në një projekt, punonjësit shpesh mund të mësojnë nga njëri-tjetri. Puna me dikë nga një ekip tjetër ose në një pozitë tjetër mund t’ju japë qasje në njohuritë dhe përvojën e tyre. Duke rritur marrëdhëniet me kolegët tuaj, mund të mësoni rreth njohurive që kanë kolegët për atë industri ku punoni. Disa fusha të ekspertizës mund të mos lidhen drejtpërdrejt me punën, por mund të jenë ende një burim i vlefshëm nëse diçka për të cilën ata kanë njohuri shfaqet në një projekt.

Më shumë reagime të menjëhershme

Kur bashkëpunojnë me të tjerët, individët mund të marrin “feedback” të drejtpërdrejtë mbi idetë e tyre. Një anëtar i ekipit mund t’i inkurajojë ata të zhvillojnë një ide më tej, të shpjegojnë se si funksionon një koncept ose të sugjerojë një strategji të mundshme për t’iu qasur një projekti të ri. Reagimet e menjëhershme mund t’i ndihmojnë ekipet të kursejnë kohë dhe përpjekje të vlefshme, duke i lejuar anëtarët të investojnë energjinë e tyre në ide dhe veprime më efektive

Kultura e përmirësuar e punonjësve

Duke i zhvilluar marrëdhëniet e tyre, ekipet bashkëpunuese shpesh krijojnë mjedise më mbështetëse dhe inkurajuese në vendin e punës. Individët mund të ndihen më të sigurt duke u kërkuar të tjerëve këshilla ose ndihmë, më të gatshëm për të marrë pjesë në takime ose aktivitete në grup dhe më të vetëdijshëm për rolet e të tjerëve brenda zyrës ose vendit të punës.

Ndjenja e zhvilluar e komunitetit

Bashkëpunimi mund t’i ndihmojë individët të ndihen sikur i përkasin një ekipi. Sa më shumë të zhvillojnë marrëdhëniet e tyre dhe të rriten, aq më shumë mund të ndihen të mbështetur nga kolegët dhe vendi i punës. Në fund të fundit, kjo mund t’i ndihmojë ata të formojnë një ndjenjë komuniteti dhe mund të rrisë besnikërinë që ata ndjejnë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj kompanisë. Individët që ndihen sikur janë pjesë e një ekipi të vlefshëm mund të ndihen gjithashtu më të sigurt në vlerën dhe aftësitë e tyre./Akademi Pune/

Lajmet

Zbulimi i varrezave masive në Zubin Potok: Kryeprokurori Gashi e cilëson si obligim ligjor e moral ndriçimin e fatit të viktimave të luftës

Published

on

By

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me rastin e zbulimit të varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet për trupa të tjerë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryeprokurori Gashi ka vlerësuar lart punën e të gjitha institucioneve ligjzbatuese që janë të përfshira në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka ky rast për drejtësinë dhe familjarët.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive është një përpjekje dhe angazhim shtetëror për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Mbi të gjitha, ndriçimi i këtyre rasteve përbën një detyrim institucional dhe ligjor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që prej vitesh presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre“, ka deklaruar Kryeprokurori Gashi.

Në deklaratën e tij, ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës për identifikimin e përgjegjësve për këto krime.

“Kryeprokurori i Shtetit vlerëson praninë e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve në vendin e ngjarjes ku janë gjetur mbetjet mortore. Kontributi dhe bashkëpunimi i secilit kanë qenë dhe mbetet thelbësor për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe për identifikimin e personave përgjegjës të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve me qëllim që ata të përballen me drejtësinë“, përmbyllet deklarata. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon Zijadin Selën, diskutojnë zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e partisë Lidhja Shqiptare dhe deputetin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Zijadin Selën.

Gjatë takimit, Kurti i uroi mirëseardhje Selës në Prishtinë dhe e falënderoi për vizitën, ndërsa bashkëbiseduan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedës ishin përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, formimin e Qeverisë së re dhe procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së vendit.

Palët diskutuan gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë dhe aksit Bllacë–Shkup./A.K/

Continue Reading

Lajmet

KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së

Published

on

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato tejkalonin kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas KDI-së, dispozitat e shfuqizuara i jepnin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kompetenca shtesë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave, zgjeronin kërkesat për dokumentacion dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave, duke lënë hapësirë për vendimmarrje arbitrare.

KDI thekson se rregullorja kufizonte edhe pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, gjë që, sipas organizatës, cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kufizoheshin edhe të drejtat e vëzhguesve dhe mediave për të ndjekur mbledhjet publike të KQZ-së dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i tyre garantohet me ligj.

Sipas KDI-së, vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë ligjore, duke vendosur një standard të rëndësishëm për ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe transparencën në administrimin e zgjedhjeve.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje KQZ-së që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga 1 shtatori vendoset tarifa e rikyçjes për konsumatorët që shkyçen për mospagesë të rrymës

Published

on

By

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka njoftuar konsumatorët se nga 1 shtatori 2026 do të fillojë zbatimi i tarifës së rikyçjes nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Sipas njoftimit të KESCO-s, kjo tarifë do t’u aplikohet të gjithë konsumatorëve të cilët shkyçen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave dhe kërkojnë rikyçjen e furnizimit. Masa bazohet në Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Tarifa e re e rikyçjes do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi. Perveç kanaleve zyrtare të komunikimit, njoftimi do të përfshihet edhe në faturat mujore të rrymës që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.

KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet financiare brenda afateve të përcaktuara në faturë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen dhe kostot shtesë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara