Në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u zhvillua hapja e projektit “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi”, një iniciativë e organizuar nga UBT në bashkëpunim me AMIK – Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës.
Ky aktivitet ka për qëllim fuqizimin e vajzave dhe grave të reja përmes ofrimit të njohurive praktike, mentorimit dhe krijimit të mundësive të reja për angazhim në botën e ndërmarrësisë. Pjesëmarrëset do të pajisen me shkathtësi të rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa profesionale dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke rritur mundësitë e tyre për punësim, krijim të bizneseve të vogla dhe inovacion.
Në hapje të aktivitetit, u theksua rëndësia e partneritetit mes institucioneve akademike dhe sektorit financiar për mbështetjen e gjeneratës së re të sipërmarrësve.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vuri në pah se projektet e tilla janë të nevojshme për të krijuar një platformë të qëndrueshme për ndërmarrësi dhe zhvillim ekonomik në nivel vendi, dhe se bashkëpunimi me sektorin financiar dhe organizatat që mbështesin inovacionin është kyç për suksesin e vajzave të reja.
Zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore të Kosovës, Nesrin Shileku-Shala, i inkurajoi pjesëmarrëset duke theksuar rëndësinë e edukimit financiar, planifikimit dhe guximit për të ndërmarrë iniciativa të reja, duke u bërë modele suksesi për komunitetet e tyre.
Drejtori i Bordit të AMIK, Adrian Alo, theksoi se fuqizimi i vajzave përmes projekteve të ndërmarrësisë kontribuon në stabilitetin ekonomik dhe përfshirjen sociale, duke nxitur edhe zhvillimin e sektorit mikrofinanciar dhe inovacionin në vend.
Përfaqësuesi i AMIK, Prof. Shpresim Vranovci, nënvizoi rëndësinë e mentorimit dhe krijimit të rrjetit të kontakteve për pjesëmarrëset, si një element kyç për arritjen e suksesit profesional dhe zhvillimin e projekteve të reja sipërmarrëse.
Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, theksoi se institucioni mbetet i përkushtuar të ofrojë platforma praktike për zhvillimin e studentëve dhe të rinjve, duke i lidhur ata me sektorët strategjikë të ekonomisë dhe aktorë që kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive të reja për punësim, ndërmarrësi dhe inovacion.
Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vajzave dhe grave në ekonominë inovative dhe ndërmarrëse të vendit, duke nxitur një kulturë të barazisë, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.