UBT News

Studentët e vitit të tretë të Artit dhe Dizajnit në UBT hapën ekspozitën “Praktika Artistike si Komunikim”

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Ditët e Artit dhe Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT prezantoi ekspozitën “Praktika Artistike si Komunikim”, e realizuar nga studentët e vitit të tretë në kuadër të lëndës Projekt Individual (Semestri VI), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita solli para publikut një gamë të gjerë projektesh artistike, të cilat pasqyrojnë qasje individuale, kërkime personale dhe eksperimente krijuese të studentëve në mediume të ndryshme bashkëkohore.

Ndryshe nga ekspozitat tematike, kjo ekspozitë nuk u fokusua në një temë të vetme, por krijoi hapësirë për secilin student që të prezantojë vizionin, interesat dhe drejtimin e vet artistik. Përmes veprave të ekspozuara, studentët reflektuan mbi temat, konceptet dhe format e komunikimit që i konsiderojnë të rëndësishme në zhvillimin e praktikës së tyre profesionale.

Ekspozita “Praktika Artistike si Komunikim” dëshmoi potencialin krijues të studentëve të UBT-së dhe rëndësinë e mbështetjes së proceseve të pavarura artistike, duke shërbyer si një platformë prezantimi dhe dialogu mes artistëve të rinj dhe publikut.

Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT vazhdojnë të ofrojnë aktivitete të ndryshme akademike, artistike dhe kulturore, duke promovuar kreativitetin, inovacionin dhe zhvillimin profesional të studentëve.

Exit mobile version