UBT News

Sonte nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK

Sonte, në orën 21:00, në Prishtinë, do të ngrihet perdja për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje që do të zgjasë tri net dhe do të sjellë në skenë artistë të njohur e talente të reja.

Në garë do të jenë 20 këngë, nga artistë brenda e jashtë Kosovës, duke dëshmuar interesimin e madh për këtë ngjarje të rëndësishme.

Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, ka bërë të ditur se përgatitjet janë realizuar nga punëtorët e RTK-së, nga dizajni dhe grafika, te skenografia e ndriçimi. Ai tha se skenografia ndërthur elemente tradicionale me moderne, duke reflektuar frymën e bashkimit të brezave.

“Sivjet kemi zbatuar një qasje të re organizuese: gjithçka që do të shfaqet në skenë është prodhim i drejtpërdrejtë i RTK-së. Në tri netët festive do të dëgjojmë zërat e të rinjve, që lindin nga tradita por shkojnë drejt së ardhmes”, deklaroi Gërvalla.

Ai shtoi se Organizata Evropiane e Transmetuesve po ndjek përgatitjet, duke vlerësuar përpjekjet e Kosovës për pjesëmarrjen e saj të ardhshme në garën evropiane të këngës, Euro Song.

“E kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Euro Song’. Pavarësisht sfidave rajonale, EBU na ka ndjekur me interes dhe e ka vlerësuar progresin tonë, sidomos duke pasur parasysh kushtet e kufizuara financiare me të cilat punon televizioni publik”, shtoi ai.

Ndërkohë, drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, u shpreh se ky festival është shndërruar në platformë të fortë artistike dhe teknike për artistët vendorë.

“Festivali i Këngës është bërë institucion dhe përbën një arritje të jashtëzakonshme për vendin tonë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij rrugëtimi”, tha Boshnjaku.

Skenaristi i edicionit të tretë, Genc Salihu, bëri të ditur se fokusi do të jetë më shumë te muzika, duke reduktuar elementet dramaturgjike.

Ai paralajmëroi edhe një retrospektivë për historinë e këngës në Kosovë, si dhe ndarjen për herë të parë të Çmimit për Vepër Jetësore “Okarina e Artë”, që do t’i jepet një artisti me kontribut të gjatë në muzikë.

Festivali do të moderohet nga Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj, ndërsa do të zhvillohet më 6, 7 dhe 8 nëntor në Prishtinë.

Gjatë këtyre netëve, 20 artistë do të garojnë për pesë çmimet kryesore, ndërsa publiku do të ketë mundësi ta ndjekë spektaklin drejtpërdrejt në RTK dhe nga salla, pasi rezervimet për biletat tashmë kanë nisur.

Këngët dhe artistët garues në ‘Fest 3’:

Almir Kraba – “Nuk ka si ti”

Arjeta Palushaj – “Andrra”

Arsi Bako – “Rreze Zjarr”

Art Lokaj – “Ty”

Bledi Kaso – “S’do të doja dy jetë”

Dea Berisha – “Afër”

Egzon Pireci – “Kënga Jonë”

Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”

Florent Abrashi – “Unë dhe ti”

Kiara Juba – “Nirvana”

Klea Dina – “At”

Laorjan Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”

Nita Latifi & Algert Sala – “Pija”

Santino de Bartolo – “Naze Naze”

Semi Tafaj – “Vazhdoj”

Teutë Halili – “Amin”

Vlera Kastrati – “Nanë”

Vjosa Shehu – “Alo”

Xuxi – “Identitet”

Zergjina Hasanaj – “Pres”

Exit mobile version