Ballafaqimi i kësaj të enjteje mes Kosovës dhe Sllovakisë po merr vëmendje të madhe nga mediat në Sllovaki, të cilat po e konsiderojnë këtë përballje si tejet të vështirë dhe një “pagëzim me zjarr”.
Sipas analizave të fundit në shtypin sllovak, kjo është një ndeshje ku luhet gjithçka: ose do të shuhet shpresa për kampionatin veror të futbollit, ose ajo do të jetë gjallë edhe për pesë ditë të tjera deri në finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Turqi – Rumani.
Të besuarit e Francesco Calzonas nuk konsiderohen favoritë para kësaj faze vendimtare të kualifikimeve, megjithëse në favor të tyre flet fusha vendase që ua caktoi shorti.
Pengesa e parë, Kosova, vlerësohet si jashtëzakonisht e vështirë pasi futbollistët nga Ballkani shënuan rezultate të jashtëzakonshme në grup, përfshirë fitoren në Suedi, ndaj nuk kanë asnjë arsye të ndihen si autsajderë në Bratislavë, shkruan gazeta sllovake Pravda.
Mediat sllovake theksojnë se Kosova do të jetë veçanërisht e fortë në sulm, duke pasur në përbërje dy emra të mëdhenj nga ligat kryesore si Vedat Muriqin e Mallorcës, golashënuesin e dytë më të mirë në La Liga, dhe Fisnik Asllanin, për të cilin po interesohen klube si Barcelona e Chelsea.
Ndërkohë që cilësia në sulm anon nga Kosova, Sllovakia shpresat i mban te mbrojtja e udhëhequr nga Milan Škriniar, nëse ky i fundit rikuperohet në kohë. Me një rekord prej vetëm gjashtë golash të shënuar në gjashtë ndeshje, formacioni i Calzonas do të kërkojë forcën te mbrojtja e organizuar dhe shfrytëzimi efikas i rasteve, duke tentuar të përsërisë sukseset historike si ai i vitit 2010.
Për Kosovën ky mbetet momenti më i rëndësishëm sportiv që nga pavarësia në vitin 2008, dhe duke qenë se skuadrat nuk janë ndeshur kurrë më parë, gjithçka mbetet e hapur deri në sekondën e fundit, ku nuk përjashtohet as mundësia e shtesave apo goditjes së penalltive.
