Në vitin 1993, kur Tina Turner u pyet se pse qëndron ende në këmbë, përgjigja e saj ishte shumë e thjeshtë: “Unë u ngrita për jetën time”.
Ikona e rock-ut dhe feminizmit, kur foli për herë të parë mbi dhunën që përjetoi nga duart e ish-bashkëshortit dhe partnerit të saj muzikor, Ike, hapi një çështje të padëgjuar më parë.
Turner ishte e para nga personazhet e njohura që iu dha zë mijëra të tjerave që po përjetonin situata të ngjashme dhe i hapi rrugën ndryshimit kulturor për atë se si diskutohet dhuna në familje dhe si trajtohen të mbijetuarat. Në të njëjtën kohë, nuk e la dhunën që ta definojë atë.
Pasi u deklarua për herë të parë mbi dhunën në vitin 1981, në kujtimet e saj dhe në intervista ajo foli edhe për “torturën” e martesës së saj 16-vjeçare, për kockat e thyera dhe poshtërimin, rrahjet para se ajo të mahniste skenën krah tij.
“Po jetoja një jetë buzë vdekjes. Nuk ekzistoja. Por mbijetova. Dhe kur u largova, u largova. Nuk shikova mbrapa”, deklaroi ajo në dokumentarin e vitit 2021 që u realizua për të nderuar jetën e saj.
Turner qe tashmë një yll. Por pas martesës së saj, ajo u bë ikonë: Mbretëresha e Rock’n’Rollit.
“Kur një e mbijetuar që është në një lidhje abuzive dëgjon një grua sikurse Tina Turner duke folur rreth eksperiencave të saj, flet rreth rrugëtimit të saj drejt mbijetesës, dhe pastaj mund të përjetojë suksesin dhe rezultatet që ka arritur – ajo u jep shpresë të mbijetuarave dhe atyre që përballen me dhunë në familje kurajo dhe shpresë për të kërkuar ndihmë”, deklaroi Farah Nazeer, shefe ekzekutive e Women’s Aid.
“Turner është dëshmi se mund të largohesh nga këto marrëdhënie të dëmshme. Është tejet e rëndësishme të kesh një shembull sikurse Tina Turner, një grua ikonike, personazh i famshëm, që flet në këtë mënyrë”, deklaroi ajo tutje.
Kur ajo foli për herë të parë për dhunën që përjetoi, ishte “revolucion”, tha Nazeer.
“U dha zë grave që ndjenë se nuk mund të flasin mbi këtë, nuk ishte çështje e pranueshme në shoqëri”, deklaroi ajo tutje.
“Aty filloi transformimi ku ne flasim mbi çështje të tilla, dhe ne tani pajtohemi edhe më shumë se dhuna në familje është krimi i autorit dhe të mbijetuarit nuk duhet të ndjehen fajtorë, nuk duhet të turpërohen. Por ajo ishte kultura e atyre ditëve”, deklaroi ajo edhe më tej.
Këngëtarja e Boney M, Liz Mitchell, e cila ishte mike me Turnerin, vlerësoi guximin e yllit për të kapërcyer vështirësitë me të cilat u përball në jetë.
“Sot, i gjithë imazhi i saj është një dëshmi për shumë gra që të kuptojnë se gjërat mund të shkojnë keq në jetën tuaj, por nëse mund të gjeni një rrugëdalje prej saj, gjeni rrugën dhe vazhdoni si ajo. Ajo thjesht qëndroi e fortë”, deklaroi ajo.
Guximi i saj për të folur rreth dhunës ka nxitur një mori lëvdatash pas vdekjes së saj në moshën 83-vjeçare, dhe të mbijetuarat ndajnë histori se si ajo i inspirioi.
“Mu thye zemra”, ka shkruar Trisha Jopson, nga New Yorku, në Instagram.
“Ajo ishte arsyeja që unë u largova nga një marrëdhënie abuzive. Ajo ishte shumë më tepër sesa argëtuese. Ajo ishte një frymëzim absolut”.
Spice Girl Melanie Brown, e cila ka folur për përvojën e saj me dhunën në familje është gjithashtu në mesin e atyre që e kanë lavdëruar yllin.
“Ajo e bëri të pamundurën. E la atë, mbijetoi, u largua dhe u dha shpresë të gjitha të mbijetuarave sikurse unë”, shkroi Brown në Instagram.
Aktivistet thonë se përveç muzikës së saj, kjo është trashëgimia e Turnerit./UBTNews/