Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e mbledhjes së taksës së qarkullimit, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e çmimit të naftës.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2027, Rama ka bërë të ditur se taksa e qarkullimit do të hiqet nga çmimi i karburantit dhe do të zhvendoset te automjetet. Sipas tij, kjo masë do të mundësonte uljen e çmimit të naftës me 32 lekë për litër, apo rreth 35 centë.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë. Ndërkohë që taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim nëpërmjet transportit rrugor. Do të vendosim një taksë qarkullimi, siç e ka Europa, për makinat e huaja që hyjnë në Shqipëri”, ka deklaruar Rama.
Projektbuxheti i vitit 2027, i cili sipas raportimeve të mediave shqiptare arrin vlerën e rreth 10 miliardë eurove, është cilësuar si më i larti deri më tani.
Në kuadër të masave të propozuara, Qeveria shqiptare ka paraparë edhe uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për 54 produkte ushqimore bazë, nga 20% në 6%.
Gjithashtu, projektbuxheti parasheh rritjen e bonuseve për kategori të caktuara të pensionistëve, si dhe investime në sektorë të rëndësishëm, përfshirë mbrojtjen, arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë.
Këto ndryshime janë pjesë e politikave të propozuara ekonomike dhe fiskale për vitin 2027, të cilat synojnë lehtësimin e kostos së jetesës dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
D.L
