Muzikologjia dhe etnomuzikologjia tashmë kanë një vepër të re, pas promovimit të librit: “200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri”, nga autori dhe profesori i UBT-së, Prof. Ass. Dr. Korab Shaqiri.
Në këtë promovim, pjesëmarrës të së cilit ishin figura publike, kompozitorë dhe autorë, profesorë, studentë, si dhe pjesëmarrës të tjerë, u prezantua libri i cili me vete sjell tekstet dhe kreativitetin e kompozitorëve dhe autorëve që punuan së bashku me Ilir Shaqirin, një kolos të këngës së mirëfilltë shqipe.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se përmes kësaj vepre, autori i librit, Korab Shaqiri, ka dhënë një kontribut të çmuar në aspektin akademik dhe profesional, duke iu ndihmuar shumë studiuesve të muzikës për të ardhmen.
“Është kënaqësi që sot promovojmë një libër të profesorit tonë, Korab Shaqiri, një libër i cili përmbledh një veprimtari të gjerë të të nderuarit Ilir Shaqiri. Është kënaqësi se ne këtë promovim po e bëjmë në qendrën tonë të dijes, qendër kjo me konceptin e menaxhimit të dijes, pra me idenë që të përmblidhen veprat, të përpunohen, të kurohen, të menaxhohen dhe të ruhen me vite të tëra, sepse mendoj se ka shumë vlera, kontribute, por që shpesh nuk i kemi të dukshme”, ka thënë rektori Hajrizi.
Redaktori letrar i librit “200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri”, Arben Veselaj, ka vlerësuar lartë këtë libër, duke thënë se autori i këtij libri me përmbledhjen e 200 këngëve brenda një opusi ka ofruar një antologji të veçantë të poezisë.
“Kur e kam lexuar për herë të parë materialin e përzgjedhur nga Korab Shaqiri me 200 tekste të këngëve të Ilir Shaqirit vetëm atëherë e kam kuptuar se sa e thellë dhe sa e gjerë është krijimtaria e artistit tonë. I përmbushur çdo herë me anën muzikore të artit të tij, më duhet ta pranoj se jo shumë shpesh kisha vrarë mendjen se duhet bërë një analizë tekstuale të kësaj krijimtarie”, ka thënë Veselaj.
Profesoresha në Fakultetin e Muzikës Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhment në UBT, Kristina Përkola, ka vlerësuar lartë librin e autorit Korab Shaqiri, duke thënë se një libër i tillë i ka munguar muzikologjisë.
“Muzikologjisë dhe etnomuzikologjisë tonë si drejtime relativisht të reja tek ne i kanë munguar dhe vazhdojnë ti mungojnë botimet, monografitë, apo edhe përmbledhjet e veprave muzikore të klasifikuara, qoftë sipas zhanreve, formave, përmbajtjes apo autorëve. Prandaj dalja në dritë e librit ‘200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri’, paraqet disa momente të rëndësishme për muzikologjinë shqiptare, veçanërisht atë të Kosovës”, ka thënë profesoresha Përkola.
Përgjegjësi për botime i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Sevdail Demiri, para të pranishmëve tha se kjo vepër është një thesar i çmuar i trashëgimisë shqiptare, të përmbledhura në librin me tekst dhe nota muzikore që janë vet historia e shqiptarit ndër shekuj.
“Padyshim kjo vepër përbën një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë tonë kulturore-artistike në rrafsh kombëtar e cila sublimohet në veprimtarinë e bujshme prej disa dekadave të mjeshtrit të madh të këngës shqipe, Ilir Shaqiri”, ka thënë përgjegjësi për botime i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Sevdail Demiri.
E nën emocion, autori i librit, njëherit profesori i UBT-së, Prof. Ass. Dr. Korab Shaqiri, ka thënë se ky libër do t’iu shërbejë muzikantëve jo vetëm vendorë por edhe ndërkombëtarë, për të njohur këtë lloj krijimtarie letrare e muzikore që është krijuar në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë.
“Duke punuar në këtë libër, kujtesa më kthente në vitet e mia të fëmijërisë, kur babai im më merrte në prehër, pranë një pianoje të vjetër në banesën tonë të ngushtë në Prishtinë. Idetë dhe motivet e atyre këngëve së pari tingëllonin aty, për t’u shpërndarë më vonë gjithandej audiencës ku jetojnë shqiptarët. Dhe s’kisha si ta imagjinoja, nuk mund ta dija unë, se pas shumë vitesh ato krijime do të bëheshin subjekt i admirueshëm studimi për mua. Ky ritual domethënës, do të praktikohej shpesh në banesën tonë, deri atëherë kur këmbët e mia të vogla u zgjatën për të arritur pedalet e pianos”, ka thënë autori i librit “200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri”, Korab Shaqiri.
Kantautori Ilir Shaqiri, ka thënë se ndihet i nderuar me rastin e promovimit të këtij libri, dhe se me këtë libër përpos këngëve po vihen në pah edhe ata që i kanë krijuar ato, duke përfshirë autorët e poezisë, muzikës, e orkestracionit.
“Të gjitha këngët në këtë libër kanë autorët e tyre, të poezisë, të muzikës, të orkestracionit, si dhe vitin se kur janë realizuar ato. Brenda gjithë këtyre viteve, që nga viti 1983 deri në ditët e sotme, duke u evidentuar të gjithë këto, autorët dhe viti se kur janë realizuar këto këngë, përmes tekstit dhe melodisë ne do të arrijmë të njohim atë periudhë jo të lehtë për vendin tonë, por që sot na jepet mundësia që shumë gjëra të asaj kohe dhe asaj periudhe t’i kemi t’i trajtojmë dhe t’i përurojmë sot, siç po përurojmë në universitetin tuaj”, ka thënë kantautori, Ilir Shaqiri.
Me këtë libër, autori Korab Shaqiri, përmbajtjen e këngëve të kantautorit Ilir Shaqiri, në një tregim të gjatë me vëmendje rreth ideve dhe idealeve të këngëve të realizuara asokohe, në një krijimtari unike me gjuhë universale muzikore.