UBT News

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, publikon studim shkencor mbi vlerësimin e cilësisë së ujërave në Kosovë

Profesori i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrasktrukturës në UBT, Prof. Dr. Hazir S. Çadraku, në bashkëpunim me Prof. Dr. Arjan Beqiraj nga Polytechnic University of Tirana – Faculty of Geology and Mining, Department of Earth Sciences, ka publikuar punimin shkencor me titull “Application of Water Quality Index Methods for the Assessment of Water Quality in Kosovo, Review” në revistën ndërkombëtare Italian Journal of Engineering Geology and Environment.

Punimi paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të metodave të përdorura për vlerësimin e cilësisë së ujërave sipërfaqësore në Kosovë, duke u bazuar në konceptin e Water Quality Index (WQI), një nga metodat më të përdorura në nivel botëror për monitorimin dhe klasifikimin e cilësisë së ujit.

Studimi ofron një përmbledhje sistematike të literaturës shkencore dhe analizon aplikimin e metodave të ndryshme të WQI-së në rrjetin hidrografik të Kosovës. Rezultatet tregojnë se faktorët natyrorë dhe aktivitetet njerëzore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e ujërave sipërfaqësore, ndërsa vlerësimet e realizuara evidentojnë se ujërat me cilësinë më të ulët gjenden në pellgun e lumit Lepenc, ndërsa cilësia më e mirë është regjistruar në pellgun e lumit Ibër.

Punimi thekson gjithashtu rëndësinë e zbatimit të metodave të standardizuara për monitorimin e cilësisë së ujërave, në përputhje me kërkesat e Direktivës Evropiane për Ujërat (Water Framework Directive 2000/60/EC), duke ofruar një bazë të rëndësishme shkencore për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ky publikim përfaqëson një kontribut të vlefshëm në fushën e inxhinierisë mjedisore, hidrologjisë dhe menaxhimit të burimeve ujore, duke dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve të UBT-së në kërkimin shkencor me ndikim ndërkombëtar dhe në zhvillimin e zgjidhjeve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Punimi është publikuar në numrin e parë të vitit 2026 të revistës Italian Journal of Engineering Geology and Environment dhe është i qasshëm në linkun: PUNIMI

Exit mobile version