Klarinetisti dhe profesori i UBT-së, Blerim Emerllahu ka arritur një nga kulmet më të rëndësishme të karrierës së tij artistike — ai është përzgjedhur Ambasador Artist i kompanisë botërisht të njohur “Henri Selmer Paris”, e cila prej më shumë se një shekulli simbolizon cilësinë dhe ekselencën në prodhimin e instrumenteve frymore.
Ky është një moment historik, pasi për herë të parë një artist nga Kosova dhe shtetet e rajonit përfshihet në rrjetin global të artistëve të “Henri Selmer Paris”, që përfaqësojnë nivelin më të lartë të muzikës botërore.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, aktiviteti dhe zhvillimi artistik i Emerllahut do të menaxhohet drejtpërdrejt nga kompania franceze, duke e renditur atë përkrah emrave të njohur të muzikës klasike dhe xhazit ndërkombëtar.
“Kjo përfaqëson një arritje të madhe jo vetëm për karrierën time personale, por edhe për Kosovën dhe institucionin tonë, pasi është hera e parë që një artist nga rajoni përzgjidhet si ambasador i ‘Henri Selmer Paris’”, u shpreh profesori Emerllahu.
Ai falënderoi UBT-në, drejtuesit dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme, duke shtuar se kjo arritje është një frymëzim për studentët dhe kontribuon në afirmimin ndërkombëtar të Fakultetit të Muzikës dhe të UBT-së në tërësi.
