Në qytetin e bukur dhe historik të Prizrenit, në ambientet e Kampusit të UBT-së, u hap ekspozita e studentëve të vitit të parë të programit të Dizajnit, në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT.
Ekspozita “Nga Forma te Eksperimenti” solli para vizitorëve një koleksion punimesh që pasqyrojnë kreativitetin, përkushtimin dhe zhvillimin artistik të studentëve gjatë vitit të tyre të parë të studimeve.
Përmes vizatimit, pikturës dhe eksplorimeve konceptuale, studentët prezantuan procesin e tyre krijues, duke kaluar nga studimi i formës dhe kompozimit drejt qasjeve më eksperimentale dhe interpretimeve personale. Punimet dëshmojnë jo vetëm për aftësitë teknike të fituara, por edhe për hapat e parë në ndërtimin e identitetit të tyre artistik.
Ekspozita u realizua në kuadër të lëndëve Artet e Bukura I dhe Artet e Bukura II, nën mentorimin e profesorëve Laura Ymeri dhe Vehbi Murati, të cilët kanë udhëhequr studentët në rrugëtimin e tyre drejt shprehjes artistike dhe mendimit krijues.

